“Kuku çka na bane”, ofshama e Haradinajt që flet më shumë se fjalët!

Politika

“Kuku çka na bane”, ofshama e Haradinajt që flet më shumë se fjalët!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 4 dhjetor 2017 Në ora: 18:28
Raportimi i Komisionit për Demarkacion

Ardhjen e Ramush Haradinajt në pozitën e kryeministrit e karakterizon kauza e tij për demarkacionin me Malin e Zi. Para se të vinte në pushtet, Haradinaj premtonte dy gjëra: Që kufirin me Malin e Zi do ta sillte në Çakorr, dhe liberalizmin e vizave për shtetasit e Kosovës do ta bënte brenda tre muajsh.

Por, kur kanë kaluar pothuajse tre muaj që nga qeverisja e tij, ai nuk ka arritur që ta realizojë asnjërën, të dyja këto premtime të Haradinajt kanë mbetur vetëm “mashtrime”.

Çështjen e Demarkacionit, Haradinaj kishte premtuar se do ta zgjidhte shumë shpejtë. Për këtë, ai që në ditën e parë të punës së tij kishte shkarkuar ish komisionin për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, të udhëhequr nga Murat Meha dhe kishte themeluar një komision të ri të udhëhequr nga njëri ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të versionit aktual të marrëveshjes, Shpejtim Bulliqi.

Dhe sot, pikërisht pas gati tre muaj punë, ky komision raportoi para qeverisë. Por ky komision, më shumë se fakte që solli, ai më shumë u morë me kritikuat dhe akuzat drejtuar komisionit paraprak.

“Gjatë analizës së materialeve komisioni jonë ka ardhur në përfundim se puna e ish-komisionit është reflektuar me të meta thelbësore, të cilat dhe i kanë determinuar këto përfundime. Komisioni ka tejkaluar kompetencat e tij, gjykuar sipas nenit 40 të ligjit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke i lejuar vetës t’i futet procesit të delemitimit, përkatësisht caktimit të vijës së re të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake. Dy kjo për faktin se marrëveshjen e nënshkruar për kufirin, thuhet se çështja e demarkacionit është lënë të kryhet brenda dy vitesh, pasi të hyjë në fuqi kjo marrëveshje. Ish komisioni ynë ka qenë i thirrur të shënjoj vijën e dikurshme administrative mes dy njësive të ish-Jugosllavisë, e në asnjë mënyrë të bëjë kufirin e ri”, tha kryetari i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi.

Por, sot Haradinaj kishte një ofshamë të  çuditshme në momentin kur Bulliqi ia dorëzoi raportin e përgatitur nga ky komision.

“Kuku çka na bane”, ishte shprehja që Haradinaj iu drejtua Bulliqit. Në media u raportua se ky reagim i Haradinajt erdhi pasi  Atlasi të cilin Bulliqi ia dorëzoi kryeministrit ishte aq i madh të cilin mezi e mbante në dorë Haradinaj.

Por, sa është i vërtetë ky arsyetim për reagimin e Haradinajt? Pa dyshim që prapa tij fshihen shumë gjëra. Njëra ndër to është ajo që sot, haptas Haradinajn e kundërshtoi fuqishëm zëvendësi i tij nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, partinë e të cilit Haradinaj e ka partner kryesor në bashkëqeverisje.

“Mandatin që keni marrë nga kryeministri, nga Qeveria përveç mandatit, i cili është i votuar në mbledhje të Qeverisë, ka qenë që të gjendet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Unë personalisht dëgjova ka vlerësime shumë të përgjithshme, por dhe jo ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Meqë kam qenë anëtar i disa qeverive, ju jeni komisioni i 5 që merreni me ketë teme. Vërtetë iu dëgjova me vëmendje nuk ishit konkret dhe nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të Qeverisë, unë kam thënë se kur temat janë komplekse, është detyrë e komisionit dhe politikës që t’i thjeshtësoj. Sot e kam përshtypjen se e keni kompliku dhe më shumë“, u shpreh Hoxhaj duke kundërshtuar fuqishëm komision e formuar nga kryeministri Haradinaj.

E në linjë me Hoxhajn, ishte edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“Përshëndes vendimin e Qeverisë për ta sjellë në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.  Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi.  Izolimi i qytetarëve tanë duhet të marrë fund. Presim nga Bashkimi Evropian liberalizimin e vizave”, kishte thënë Veseli pas vendimit të Qeverisë për dërgimin e marrëveshjes për demarkacion në Kuvend.

Dhe duke parë kundërshtimin e partnerit kryesor, dhe mundësisë që edhe Haradinaj ta pësojë të njëjtin fat sikur qeveritë e mëhershme nga PDK-ja, pa dyshim që edhe kjo është një arsye për reagimin e çuditshëm të Haradinajt!

E, arsye tjetër mund të jetë edhe faktet e pakta që komisioni për demarkacion paraqiti para qeverisë. Ky raportim nuk arriti të bind askë për të gjeturat e reja nga ata. Ky komision sot, u morë vetëm me punën e komisionit paraprak, duke mos arritur që të sjellë argumente të reja për shënjimin  vijës kufitare.

Po ashtu, njëra ndër arsyet është edhe ajo që sot Haradinaj aprovoi për dërgimin në Kuvend marrëveshjen e atij që dikur e quante edhe “peder”, Murat Mehes. Marrëveshjen e nënshkruar nga ish ministri Thaçi, Haradinaj shumë herë e kishte quajtur marrëveshje të vdekur. Por, sot si duket për Haradinajn, kjo marrëveshje u ringjallë dhe i pari e qeverisë e dërgoi në Kuvend për votim.

Haradinaj nga pozita e kryeministrit e përcjelli në Kuvendin e Kosovës, Marrëveshjen për Kufirin me Malin e Zi të vitit 2015 të nënshkruar nga ish ministri i Jashtëm, tash president i vendit Hashim Thaçi, së bashku me raportin e paraqitur nga Shpejtim Bulliqi.

Kjo është hera e dytë që ekzekutivi e përcjell për ratifikim këtë marrëveshje. Ish-kryeministri, Isa Mustafa, e pati tërhequr Projekligjin për demarkacion, pa e hedhur në votim, në seancë plenare, për shkak se besohej se nuk do të merrte votat e 2/3 të deputetëve.

Po ashtu, arsye e “ofshamës” së madhe të Haradinajt janë edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që të dyja këto janë deklaruar haptas që mbështesin versionin aktual të marrëveshjes së demarkacionit më Malin e Zi, duke bërë thirrje që kjo të votohet sa më parë në kuvend.

E kujtojmë, se për arsye të mosratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, shtetasit e Kosovës, janë të vetmit në Evropë që e kanë të pamundur të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së.

Se si do të veprojë Kuvendi i Kosovës me marrëveshjen për demarkacion, tashmë i mbetët deputetëve të vendosin. Ta votojnë këtë marrëveshje apo ta rrezojnë atë. E si zgjidhje, tashmë Haradinaj sheh vetëm dërgimin e çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit.Pa dyshim reagimi i sotëm i Haradinajt tregon pozitën e vështirë në të cilën gjendet i prej se ka ardhur në pozitën e kryeministrit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat