“Fundi politik i Haradinajt”

Politika

“Fundi politik i Haradinajt”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 dhjetor 2017 Në ora: 11:26
Ramush Haradinaj

Të hënën u procedua në Kuvend “Raporti final i Demarkacionit” i përgatitur nga Komisioni i ri i kryesuar nga ish deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për herë të parë do të përballen me një situatë interesante. Ata do të kenë përpara një Projektligj për ta miratuar dhe një dokument shtesë që thotë se ai Projektligj nuk bënë të miratohet.

Për këtë të parën, Ramush Haradinaj, tani kryeministër i Kosovës, për dy vite më radhë e kishte kundërshtuar ashpër, me protesta e gaz lotsjellës, me të vetmin arsyetim, se kjo është dëmshme për Kosovën.

“Qeveria Haradinaj duhet të largohet sa më parë”

Image
Bajram Gecaj

Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, e ka komentuar veprimin e Haradinajt.

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për “Bota sot”,  ka thënë se kryeministri Haradinaj dikur e kishte “kallë” Kosovën, ndërsa tani vetë e aprovoi Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe projektuar nga Murat Meha.

“Kryeministri aktual pothuajse e kishte “kallë” Kosovën me opozitën e atëhershme, lidhur me këtë marrëveshje, ndërsa tani e aprovon Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar nga Hashim Thaçi”, tha Gecaj.

Gecaj, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga Haradinaj, mund të ketë edhe pasoja penale.

“Nëse Qeveria Haradinaj e nënshkruan Marrëveshjen e Demarkacionit, derisa në anën tjetër beson se Kosova po humb territore, kjo mund të ketë edhe pasoja penale”, u shpreh anëtari i Lidhje Demokratike të Kosovës.

Sipas Gecajt, deputetët e LDK-së do të diskutojnë se cilat mund të jenë veprimet e ardhshme të Qeverisë Haradinaj. 

“Deputetët e LDK-së duhet të diskutojnë se çfarë “salltash” tjera do të ndërmarrë kjo qeveri, lidhur me ligjin për Demarkacionin me Malin e Zi, sepse ata veçse tani e kanë dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, çka do të thotë se e gjithë Qeveria Haradinaj është pajtuar me marrëveshjen, të cilën e ka nënshkruar Thaçi vite më parë”, theksoi ai.

I pyetur se cila do të jetë e ardhmja e koalicionit qeverisës, Gecaj është shprehur se kjo e tanishmja duhet të largohet sa më parë të jetë e mundur.

“Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet të largohet sa më parë të jetë e mundur, sepse nuk po i sjellë asnjë të mirë këtij vendi”, përfundoi Bajram Gecaj për “Bota sot”.

Qëndrimi i Nismës

Image
Haxhi Shala

Deputeti i Nisma për Kosovën, Haxhi Shala, ka thënë se subjekti i tij është kundër versionit aktual të Demarkacionit.

“Qëndrimi i Nismës është ashtu siç ka qenë edhe para një viti, nuk ka ndryshuar asgjë dhe do të vazhdojmë ta mbajmë këtë qëndrim. Njëkohësisht edhe unë si deputet  qëndroj në atë vijë dhe se ende mendoj që ka qenë e dëmshme për vendin tonë”, u shpreh Shala për “Bota sot”.

Shala tutje ka deklaruar se nëse votohet versioni i Murat Mehës, NISMA do ta respektojë vendimin e shumicës.

“Kjo çështje nuk është diskutuar, por  nëse Kuvendi i Kosovës vendos edhe pse nuk besoj se janë votat, ne përsëri do ta respektojmë vendimin e shumicës”, ka theksuar deputeti nga Malisheva.

“Ky proces është bërë për të tërheq LDK-në nga pushteti”

Image
Blerim Burjani

Sipas analistit politik, Blerim Burjani,  “Bota sot”, thotë se me Demarkacion është krijuar një pështjellim me qëllime politike.

“Është krijuar një pështjellim me qëllime politike, me dy komisione, me dy raporte dhe me një marrëveshje të nënshkruar. Të gjitha këto janë bërë më të vetmin qëllim, për të ardhur në pushtet një njeri”, u shpreh Burjani.

Madje, ai thotë se krejt ky proces është bërë për të tërhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës nga pushteti.

“Këto gjëra janë demaskuar tani, dhe se tani po dihet plotësisht se krejt kjo ishte vetëm një lojë për ta tërhequr LDK-në nga pushteti”, përfundoi Burnjani.

“Ky mund të jetë fundi politik i Haradinajt”

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër Faton Mehmeti, ka thënë se me demarkim Kosova ka humbur territor si pasojë e primitivizmit të Hashim Thaçit.

“Tashme dy gjëra dihen, se me demarkim Kosova ka humb territor, kjo si pasojë e primitivizmit të Thaçit, si dhe faktit se kjo marrëveshje më nuk zhbëhet. Andaj, çdo gjë tjetër është kauzë për poena politik, siç veproi edhe Ramush Haradinaj”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.

Ai beson, se deputetët e LDK-së dhe të PDK-së, do e votojnë demarkacionin, por thekson se me këtë, kryeministri aktual do të shënoj fundin e tij politik.

“Besoj se deputetët e LDK-së dhe PDK-së, shumica e deputetëve të tyre do e votojnë demarkacionin me ndonjë përjashtim të rrallë. Nëse kalon versioni i 2015-tës pritët të shënohet edhe fundi politik Haradinajt, njollosja e Hashim Thaçit dhe rritje të mbështetësve ndaj VV-së e LDK-së.

Krejt në fund, analisti Mehmeti, thotë se mund dhe duhet të votohet demarkacioni, pasi nuk ndryshohet më një gjë e tillë dhe se Kosova s’ka kohë të humbur më shumë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Kosovë kanë thënë se kjo marrëveshje (versioni i Murat Mehës) është e saktë dhe si e tillë duhet ratifikuar.

Madje sipas tyre, komisionet e mëparshme (duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar) kanë bërë një ekzaminim të përgjithshëm rreth kësaj marrëveshjeje që tregon për saktësinë e kësaj marrëveshjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat