Asnjëra Qeveri nuk kërkoi kompensimin e dëmeve miliardëshe që Serbia ia bëri Kosovës

Politika

Asnjëra Qeveri nuk kërkoi kompensimin e dëmeve miliardëshe që Serbia ia bëri Kosovës

Nga Më 7 dhjetor 2017 Në ora: 19:11
ilustrim

Deri më sot asnjëra qeveri në Prishtinë nuk kërkoi kompensimin e dëmeve miliardësh që Serbia ua bëri shqiptarëve të Kosovës, duke ua djegur kështu shtëpitë e bizneset, duke i dëbuar nga vatrat e tyre, dhe duke i plaçkitur, vrarë e masakruar. Mirëpo siç duket këtë fakt e kanë harruar pushtetarët tanë , të cilët vrapojnë në takimet e Brukselit më tepër të gëzuar për mëditjet që marrin dhe ‘qefet’ që bëjnë, sesa të jenë të përgjegjshëm për peshën e procesit dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike, dhe profile të ndryshme të subjekteve politike vlerësojnë  se pa e vënë drejtësi në vend, nuk do të ketë kurrë qetësi dhe normalizim raportesh mes Serbisë dhe Kosovës.

Sipas tyre, Bashkimi Evropian kurrë nuk bëri as edhe presionin më të vogël ndaj Serbisë, që marrëveshjet t'i zbatoj edhe në praktikë.

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi duke folur rreth asaj se çfarë mendon rreth vazhdimit të dialogut Prishtinë- Beograd në nivel presidentësh, ka thënë për “ Bota sot” se dialogu me Serbinë qysh në fillim ka nisur keq dhe në asnjë mënyrë ky dialog nuk duhet të vazhdojë.

Image
Rexhep Selimi

Sipas tij, që nga fillimi ky dialog nuk ka qenë dialog  Kosovë - Serbi, madje as dialog mes Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës, por ka qenë total dialog i Thaçit me Serbinë.

“ E them këtë pasi dialogu është formatizuar varësisht nga  pozicionet që ka mbajtur Hashim Thaçi. Kur Thaçi ka qenë kryeministër dialogu ka qenë në nivel të kryeministrave . Kur Thaçi ka qenë Ministër i Jashtëm, dialogu ka qenë  në nivel të Ministrave të Jashtëm dhe tash si President është zhvendosur dhe formatizuar dialogu në nivel presidentësh. Pra kështu që në as në variantin e parë,  as në variantin e dytë e në asnjë variant ky dialog nuk duhet të vazhdojë, sepse është i destinuar për të qenë pistë e tij për Serbinë. Andaj gjëja e vetme që duhet të ndodhë është ndërprerja e këtij dialogu dhe ndërprerja e mundësisë së Thaçit që të dialogojë më tutje me Serbinë”, ka thënë deputeti i VV-së Rexhep Selimi

Ndryshe politologu Albinot Maloku ka thënë se dialogu i Brukselit mes Kosovës e Serbisë është i pakuptim, pasi është pa platformë e konsensus të të gjithë akterëve të skenës politike në Kosovë.

Sipas tij, Presidenti Hashim Thaçi me kokë në vete, në situata aspak të volitshme në vend, pat marr rrugën  për të takuar homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç.

“Në atë kohë Kosova ishte pa institucione dhe si pasoj e kësaj këtë lloj dialogu që po vazhdon të ngelet në pritje e shoh të padobishëm për të gjitha proceset politike të Kosovës. Pra çdo dialog ose proces bisedimesh i cili vazhdon pa afat skadencë e kalim në një fazë konkrete të njohjes së ndërsjellët mes Kosovës e Serbisë është i kot”, ka thënë politologu Maloku.

Image
Albinot Maloku

Ai mes tjerash ka theksuar se dialogu që në fillim kishte filluar ‘ rrugëtimin’ së prapthi, madje

Kosova pat pranuar dialogun e Brukselit pa asnjë kushtëzim, dhe me plot koncesione për Serbinë.

“ Dihet që Serbia ka fituar edhe liberalizimin e vizave, edhe statusin e anëtarit kandidat për në BE, duke ju falënderuar lëshimeve të Kosovës, madje kurrë nuk është konkretizuar çështja e reparacioneve, e bile as edhe e të pagjeturve e mos të flasim për paralelizëm të shqiptarëve në Luginë të Preshevës me serbët në veri të Kosovës. Pra shumë marrëveshje ende nuk janë jetësuar deri në fund dhe prapë pas gjithë kësaj ka pasur  prodhime të dokumenteve, ku edhe veç ka filluar të mos flitet për to duke e lënë dialogun të mbesë  vetëm një  ‘fiasko’  për Kosovën”, është shprehur politologu Maloku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat