Të shkarkohet Dardan Gashi nga postet qeveritare!

Politika

Të shkarkohet Dardan Gashi nga postet qeveritare!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 dhjetor 2017 Në ora: 09:49
Dardan Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës, gjegjësisht shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit, njëherësh edhe ministrit të Diasporës Dardan Gashi, pasi ky i fundit kishte gjuajtur me armë zjarri në odën e Fatmir Limajt, ku po festohej lirimi i tij nga akuzat për korrupsion.

LDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit Dardan Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti po ashtu në një konferencë për media ka njoftuar se GP i LDK-së ka dorëzuar  në Kuvend kërkesën për interpelancë me kryeministrin Ramush Haradinaj, lidhur me gjuajtjen me armë si dhe sjelljen e pahijshme të zyrtarëve të lartë të Qeverisë, përkatësisht zëvendëskryeministrit dhe ministrit  të diasporës, Dardan Gashi.

“Ne vlerësojmë se ajo sjellje bie ndesh me kodin penal të Republikës së Kosovës për armbajtës pa leje për rrezikim të sigurisë publike, por mbi të gjitha bie ndesh me etikën e lartë që duhet të kenë zyrtarët e institucioneve... Ne kërkojmë interpelancë të kryeministrit të diskutojmë se si mundet një zyrtar i lartë të sillet kështu dhe e dyta do të kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të votojë për shkarkimin e menjëhershëm  të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, z Dardan Gashi’, ka thënë  Hoti.

Image
Tomë Gashi

Shkarkimi varet prej Haradinajt

Avokati Tomë Gashi, në lidhje me këtë ka thënë se askush nuk mund ta kontestojë se ka pasur gjuajtje me armë zjarri.

“Se si do të rrjedh gjithë epilogu i hetimeve kjo varet krejtësisht se çfarë do të zbulohet, e pastaj është çështje e Prokurorisë se a do të ngrihet akuzë kundër tij apo jo? Dhe kjo vlen edhe për z. Gashin edhe për çdo person tjetër, sepse askush nuk mundet të predikojë se si do të përfundojnë hetimet. Megjithatë, mbajtja e tij e pozitës si zyrtar i lartë gjegjësisht si zv/kryeministër, e bën atë edhe më të përgjegjshëm sepse janë veprime të cilat janë kryer krejtësisht  të qëllimshme. Por prapë po theksojë se këto veprim vlejnë për të gjithë si për z.Gashi ashtu edhe për të tjerët”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Ai konsideron se në këtë rast, Prokuroria e Kosovës faktet të cilat veç do ti zbulojë pas hetimeve të bëra, duhet doemos ti paraqes në një aktakuzë ose duhet ngritur aktakuzë apo duhet ti pushojë hetimet.

“ Pra këto janë të drejtat obligative të Prokurorisë dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të predikojë se si do të bëhen këto hetime. Por e mira e kësaj është se ky incident është bërë publike në një televizion vendor dhe e mira e kësaj, është që prokuroi ka urdhëruar hetimin e këtij rasti”, ka thënë Gashi.

Kurse, sa i përket asaj se a duhet shkarkuar zv/ kryeministri Dardan Gashi për shkak këtij incidenti apo jo, Gashi ka thënë se, kjo krejtësisht varet nga Kryeministri Ramush Haradinaj dhe është në duart e tij, sepse tani për tani, me këtë nuk ka të bëj fare Prokuroria dhe as Gjykata e Kosovës.

Image
Shqipe Pantina

Pantina: Gashi duhet të shkarkohet

Deputetja e LVV-së Shqipe Pantina vlerëson se zëvendëskryeministri, Dardan Gashi, pas këtij akti duhet shkarkuar.

“ Të them të drejtën unë në realitet asnjëherë nuk e kam kuptuar arsyen se përse Dardan Gashi është emëruar zv/ Kryeministër, pasi ai nuk përfaqëson asnjë subjekt politik . Megjithatë veprimi i tij që është përdorim i pa autorizuar i armës, përbën vepër penale dhe ai përveç që duhet të shkarkohet nga pozita e zv/ kryeministrit, ndaj tij po ashtu Prokuroria duhet të hap edhe hetimet madje edhe të ngre aktakuzë”, ka thënë deputetja Pantina.

Ajo ka vlerësuar se përdorimi i armës është vepër penale, pasi ka të bëj me jetët e njerëzve të pafajshëm.

“Dihet që përdorimi i armës është vepër penale dhe z. Gashi  e ka bërë këtë me armë të pa autorizuar, madje duke rrezikuar kështu edhe jetët të njerëzve të pafajshëm. Tash jemi në dijeni se ka shumë raste kur njerëzit edhe e kanë humbur jetën nga të ashtuquajtur ”plumba qorr”, e që janë shkrepu nga njerëz të pa përgjegjshëm siç është edhe zv/kryeministri Dardan Gashi, kur për shkak tekeve të tyre ashtu si edhe në këtë rast kemi pasur humbje njerëzish”, ka thënë deputetja e VV-së Shqipe Pantina.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Gashi kreu vepër penale

Njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Sigurisë, Jeton Kelmendi ka thënë se nuk ka fare dilema në këtë çështje se a duhet shkarkuar apo jo zv/ kryeministri Gashi, pasi ai në këtë rast ka kryer vepër penale.

“Natyrisht se në momentin e parë që  është parë duke gjuajtur me armë z. Gashi është dashur me automatizëm që pikërisht atë ditë që ka gjuajtur me armë në manifestimin kur z. Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm është dashur të shkarkohet. Dhe jo vetëm kaq, por ishte dashur që edhe lënda me procedurë të shpejtë të dërgohet në Gjykatë, e pastaj Gjykata të merret me të”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka bërë të ditur se me ligjin e Kosovës është e ndaluar gjuajta me armë zjarri në vendet publike si dhe mbajtja e armës pa leje.

“Por kur kësaj i shtohet edhe fakti se ky njeri i ashtuquajtur “ njeri” është edhe zyrtar i Institucioneve të Kosovës e rrit edhe më shumë pa besueshmërinë dhe jo kredibilitetin tek Institucionet e vendit. Prandaj me shumë bindje e them se të tillët si Dardan Gashi duhet shkarkuar dhe të gjithë personat tjerë të cilët kanë shtrirë me armë”, ka theksuar ai.

Dëmtimi i imazhit shtetëror

Megjithatë, Kelmendi ka thënë se, drejtësia duhet të merret më raste të tilla.

“Këto raste janë të pa pranueshme të cilat e ulin imazhin e Kosovës dhe tregojnë qartë se çfarë rrugaç hyjnë në Qeverinë e Kosovës dhe çfarë niveli drejtohen Institucionet e vendit”,është shprehur ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava ka thënë se situata në të cilën gjendet Kosova tregon më së mirë ky rast  me zëvendës kryeministrin Dardan Gashin.

 “ Në të kundërtën tek ne, sa më lartë që postohet dikush ata i bëjnë veprat më të rënda kriminale, madje edhe shumica nga ta janë të zhytur në krime të organizuara, dhe pikërisht për këtë e kemi gjendjen e tillë, dhe jo rastësisht kemi mbetur  i vetmi shtet në Evropë pa liberalizim të vizave”, ka thënë Tërnava, duke shtuar se z. Gashi  ka gjetur formulën e ngritjes se lartë, madje pa pasur fare parti.

Sipas tij, zv/ kryeministri Dardan Gashi pa pasur parti po ashtu edhe  po pozicionohet në postet më të larta në funksione shtetërore, pa kurrfarë kontributi në jetën e tij.

“ Ai as gjatë luftës, e as pas luftës, nuk bërë diçka për vendin, madje po tregohet i ditur që di ti luaj edhe lojërat e kohës të cilën e ka kapluar Kosovës. E ceka si rregull që njerëzit në poste zyrtare që posedojnë armë zjarri, duhet të jenë të ligjshëm dhe asnjëherë të mos i përdorin ato armë jashtë ligjit. Madje, edhe ata që i bartin armët me vete nëse i posedojnë  me leje, është e paraparë mënyra e bartjeve të tyre dhe e përdorimit të tyre gjithashtu”, ka thënë Tërnava.

Ai po ashtu ka theksuar se arsyet pse ndodhin veprime të tilla në Kosovë, nga njerëzit me poste të larta është për shkak se të “ mëdhenjtë” e këtij vendi kanë kapur shtetin për fyti.

Image
Faton Mehmeti

Puna si “sekser”

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se Qeveria nuk guxon të shkarkoj Dardan Gashin, pasi ai është njëri i njohur si sekser.

Ai konsideron se, veprimi i tij duke gjuajtur me armë zjarri është akt i papranueshëm dhe që duhet të pasojë me shkarkimin tij nga pozita.

“Njeriu misterioz që po arrin të zhvaste çdo qeveri, ka arritur të shtojë pasurinë e tij duke qenë sekser në mes të shërbimeve sekrete me disa deputet. Së pari zv/ kryeministri Dardan Gashi duhet të hetohet për mënyrën se si u bë zv/kryeministër pa pasur asnjë parti politike. Fuqia e tij është e sintetizuar me atë të Kadri Veselit. Se sa është ky njeri i  rrezikshëm dhe misterioz, tregon më së miri fakti se Qeveria e Kosovës nuk udhëhiqet nga njerëz të ndershëm por nga një banditë, nga një gangster dhe sekser i tipit të tij. Andaj, duhet që opozita të bëj presione në Kuvend në mënyrë që ky njeri të shkarkohet. Ku edhe përmes shkarkimit të Gashit besoj se do ti lëkunden themelet qeverisë me paterica”, është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

Ndryshe, Lirie Podrimaj, zëdhënësja e Policisë Rajonale të Gjakovës ka thënë rasti po hetohet.

“Me të pranuar informatën në lidhje me rast, Policia e Kosovës respektivisht stacioni policor në Malishevë ka hapur rast. Në koordinim me Prokurorin e shtetit po vazhdojmë me procedura hetimore”, tha Podrimaj.

Ministri Tahiri, në emisionin “Debat D”, duke komentuar videon që ka qarkulluar në media, e ku në një aheng shihen zyrtarë të lartë shtetërorë, ndër ta edhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi duke shtënë me armë, ka thënë se janë pamje të pahijshme. “Kjo nuk i bën nderë qeverisë së Kosovës”.

Lidhur me këtë rast, zëvendëskryeministri, Gashi ka pranuar se ka gjuajtur me armë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat