Eksperti i sigurisë tregon arsyet pse Kosova nuk do të anëtarësohet në NATO me këtë qeveri

Politika

Eksperti i sigurisë tregon arsyet pse Kosova nuk do të anëtarësohet në NATO me këtë qeveri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 dhjetor 2017 Në ora: 15:58
Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtëm në Kosovë, Behgjet Pacolli, është duke marrë pjesë në takimin e në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut (A5), që po i zhvillon punimet në Maqedoni, nën kryesimin e kësaj të fundit.

Pacolli në këtë takim ka deklaruar se hyrjen e Kosovës në NATO nuk mund ta pengojë e as ta vonojë askush prej vendeve të rajonit.

Duke komentuar deklaratën e Pacollit, eksperti i sigurisë thotë se për anëtarësimin e Kosovës në NATO duhen përmbushur kritere strikte të cilat kërkojnë kohë.

Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë ka thënë për “Bota sot” se çështja e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk është e thjeshtë.

Sipas tij, koha për anëtarësim varet nga kapacitetet intelektuale, demokratike dhe ekonomike.

“NATO është organizatë serioze dhe hyrja në të nuk është çështje e thjeshtë. Kjo ka procedurë e cila sipas një rrjedhë normale respektohet. Kjo procedurë kërkon plotësimin e një sërë kriteresh të cilat janë strikte dhe kërkojnë kohë të përmbushjes së tyre. Kjo kohë a është më e gjatë apo më e shkurtër varet nga kapacitetet intelektuale, demokratike dhe ekonomike që ka një vend. Këto kritere në radhë të parë kanë të bëjnë me nivelin e zhvillimit demokratik të një vendi, legjislacionin që regullon funksionimin dhe kontrollin e sistemit të sigurisë në tërsi dhe forcave të armatosura në veçanti, pastaj aspektet doktrinorë, të standardizimit etj. Këto kapacitete i kanë plotësuar me vështersi vendet të cilat pas ndrrimit të regjimeve të tyre shtetërore kanë aspiruar të jenë pjesë e NATO-së. Merreni vetëm Malin e Zi si shtetin e fundit që ka aderuar në NATO, i cili ka traditë qindravjeçare të ushtrisë, pas shkëputjes nga Serbia ka trashëguar ushtri funksionale si në aspektin organizativ, të kuadrove dhe teknik dhe pas 20 viteve ja arrinë mezi të anëtarësohet”, ka pohuar Kajtazi.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk do të ndodh brenda mandatit të kësaj qeverie.

Kajtazi ka përmendur arsyet e tij, përse Kosova nuk do të anëtarësohet në NATO.

“Pavarësisht dëshirave tona si popull që të jemi pjesë e aleancës me të fuqishme ushtarake të botës, dhe pavarësisht dëshirës së ministrit Pacolli që ta merr "trofeun" e integrimit të Ushtrisë së Kosovës në NATO,  kjo nuk do të ndodh për disa arsye: Së pari mandati i kësaj qeverie do të jetë i shkurtër, së dyti NATO në gjirin e saj pranon vetëm organizata me statusin e ushtrisë, kurse FSK nuk e ka këtë, se treti transferimi i FSK-së në ushtri në përputhje me itenerarin e përcaktuar nga NATO e do një periudhë kohore, kjo lidhet me përmbylljen e sistemit komandues në të gjitha nivelet me nënoficer dhe oficer me shkollim adekuat në përputhje me standardet e pranuara nga NATO. Pavarësisht këtyre, kjo varet edhe nga vullneti i të gjitha shteteve anëtare të cilat anëtarësimin e çdo shteti e miratojnë në Këshillin e NATO-së Dihet se kjo do një koncenzus dhe për shkak se shtetet antare kanë të drejtën e vetos. Kur kihet parasysh qëndrimin e Spanjës, Greqisë, Sllovakisë dhe Rumanisë karshi Kosovës, gjasat për një afat të shkurtër kohor për aderim të Kosovës në NATO janë të voglë, pavarësisht dëshirës dhe kapitalit privat që ka ministri Pacolli. Paraprakish duhet të eliminohe barrierat që përmendëm me lart, pastaj po u eleminuan ato, faktori serbi nuk paraqet ndonjë problem që vlenë për t’u theksuar”, ka theksuar Kajtazi.

Ndërsa, Zëvendëskryeministri dhe Ministri, Pacolli në takimin e sotëm i ka bërë ftesë

të gjithë vendeve anëtare të NATO-s, që ishin të pranishëm në këtë takim.

“Do ju lutesha: kuptojeni rëndësinë simbolike, që ka lajmi i anëtarësimit në Kartën e Adriatikut për opinionin tonë publik. Të punojmë së bashku ta inkurajojmë opinionin publik të Kosovës, me lajmet që Kosova është pjesë e bashkësisë perëndimore të shteteve dhe këtë nuk e lëvizë dot askush”, është shprehur ai.

Aktualisht, Republika e Kosovës ka statusin e vendit vëzhgues të Kartës së Adriatikut dhe pjesëmarrja e saj është mbështetur në këtë status. Në fund të vitit të shkuar (2016) në Deklaratën Ministrore të miratuar në Zagreb, është hapur mundësia e anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat