Miratimi i këtij ligji do ta rrëzonte Qeverinë Haradinaj

Politika

Miratimi i këtij ligji do ta rrëzonte Qeverinë Haradinaj

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 dhjetor 2017 Në ora: 15:33
Kabineti qeveritar

Projektligji për Qeverinë ende nuk është dërguar në Kuvend, ndërsa sot gjatë seancës kryeministri Haradinaj ka pranuar se për ligjin për qeverinë nuk e ka mbështetjen, gjersa ka shtuar se ky ligj do të hyjë në fuqi nga qeveria e ardhshme.

“U mundova me dhënë një perspektive edhe kohore. Ligjin për qeverinë mendoj me sjellë në Kuvend në një moment të një dakordimi politik që të paktën ata që formojnë Qeveri pas meje të kenë një kornizë ligjore. Sot partitë e koalicionit që kemi formuar qeverinë kuptohet që i kanë pritjet e veta për përfaqësim. Nesër nëse kjo është e kornizuar e ne e votojmë në parlament por që hyn në fuqi për një qeveri e ardhshme do të ishte formulë e duhur”, u shpreh Haradinaj.

Refuzimi i këtij ligji për  dërgim në kuvend, sipas analistëve politikë nënkupton humbjen e privilegjeve dhe njëkohësisht me miratimin e tij rrëzimin e qeverisë.

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se është e nënkuptuar që Kryeministri nuk e dërgon ligjin për Qeverinë në Kuvend, pasi me miratimin e tij do të bie qeveria.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, nëse miratohet ligji Qeveria nuk do t’i kishte mbi 70 zëvendësministra dhe kaq shumë ministri.

“ËshtË e ditur se kryemistri nuk e dërgon ligjin për Qeverinë në kuvend, pasi me miratimin e tij do bie qeveria. Kjo qeveri është qeveri e interesave të ngushta, andaj miratimi i një ligji të tille do iu humbaste privilegjet. Nëse do të miratohet ligji qeveria s’do t'i ketë mbi 70 zv.minstra dhe kaq shumë ministri andaj i bie që duhet reduktohet, me reduktim nënkupton pakënaqësi dhe përfundimisht qeveria do të humbasë edhe këtë shumicë minimale që do të thotë rënie të saj. Qeveria Haradinaj asnjëherë nuk pritet të miratojë ligjin për Qeverinë, por duhet opozita të iniciojë një ligj të tillë që rrjedhimisht do e rrëzonte këtë qeveri të paaftë”, ka pohuar Mehmeti.

Në anën tjetër mos dërgimin e këtij ligji në kuvend, e ka kritikuar opozita.

Deputetja nga radhët e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se Haradinaj dëshmon për paaftësinë e tij për të menaxhuar me koalicionin qeverisës.

“Dy të mira i ka përgjigja e Kryeministrit:1. konfirmon paaftësinë e tij të menaxhojë me Qeverinë dhe koalicionin që vet e lidhi dhe 2. E pranon se nuk fiton më kurrë tjetër (çerek) mandat qeverisës”, ka shkruar Kusari- Lila në Facebook./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat