Qeveria PANA-Lista serbe ditët e numëruara

Politika

Qeveria PANA-Lista serbe ditët e numëruara

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 07:52
Qeveria PANA-Lista serbe

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ditë më parë, kanë deklaruar se nuk ka konsistencë brenda koalicionit qeveritar dhe se asnjë reformë substanciale nuk mund të shkojë përpara. Sipas LDK-së asnjë ligj më i thjeshti nuk mund të shkoj përpara dhe të aprovohet në Kuvend pa marrë miratimin e Listës Serbe dhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Për këtë arsye, kjo parti vazhdon të mendoj se qeveria aktuale e drejtuar nga Ramush Haradinaj i ka ditët e numëruara.

Duke folur rreth asaj se si komentohet kjo deklaratë e LDK-së, dhe se a ka pajtim kjo deklaratë të LDK-së në Lëvizjen Vetëvendosje, shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë për gazetën “ Bota sot”  se LDK-ja e ka agjendën e saj dhe si partia më e madhe në Kosovë, pret që edhe partitë tjera ti bashkohen.

Image
Avdullah Hoti

“Ne e kemi agjendën tonë opozitare si parti e qendrës së djathtë dhe si partia më e madhe në Kosovë, e konfirmuar në zgjedhjet e fundit lokale.  Pres që partitë e tjera opozitare të na bashkohen në iniciativat që do të ndërmarrim në të ardhmen”, ka thënë për gazetën “Bota sot” Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së.

Koalicioni i 24 partive nuk do të mund të mbijetojë gjatë me vetëm 61 vota

Kurse, anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj për “ Bota sot” ka thënë se koalicioni i 24 partive me vetëm 61 vota nuk do të mund të mbijetojë gjatë, derisa në ndërkohë do të ketë probleme të vazhdueshme për shtyrjen para të ligjeve e projekteve të qeverisjes së përditshme, e mos të flasim për çështjet e mëdha.

Image
Bajram Gecaj

"Besoj se në momentin e duhur edhe LVV-së do ti bashkëngjitet rrëzimit të qeverisë më të dobët, që ky vend ka pasur ndonjëherë”, ka thënë anëtari i LDK-së Gecaj.

“ Politika e tërnakopit”  nuk ec në këtë konstipacion të forcave politike

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë për “ Bota sot” se ky koalicion është i brishtë, i përkohshëm, testues dhe tentative për të ik përkohësisht nga problemet dhe ngërçi i kaluar.

“Kjo qeveri cirku me njerëz anonim nuk ka asnjë perspektivë, andaj dhe nuk ka pasur nevojë fare për ketë koalicion të pakuptimtë, problematik dhe të pa aftë.  Po ashtu, nuk ka pasur asnjë ndryshim minimal në zhvillimin ekonomik as mbrojtje shëndetësore përveç shkarkimit të disa bordeve koti dhe pa asnjë lidhje. Siç po shihet, ky koalicion duhet të prishet sa më parë në mënyrë që mos të humbet kohë”, ka thënë Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai ka thënë se koalicioni aktual mundet të shpëjtojë vetëm në rast se kalon demarkacioni dhe e gjithë kjo varet nga LDK-ja.

“Ky koalicion varet nga LDK-ja dhe kjo varet shumë. Nëse ndodhin këto procese dhe formimi i ushtrisë, atëherë  zgjidhja e problemit të asociacionit e arsyeton vetën se ka zgjidhe disa çështje kruciale . Por askush nuk beson në këtë madje edhe ky mandatar entuziast që e donë fort postin e kryeministrit. Kjo “ Politika e tërnakopit” , nuk ec në këtë strukturë të forcave polikë, pasi problemet nuk zgjidhen me zor, por me fuqinë e votës, dhe deri tash ka pasur probleme  dhe situata është bërë komike dhe deklarimet e tyre janë vetëm sa për të thënë diçka”, ka thënë Burjani.

Qeveria Haradinaj i ka ditët e numëruara dhe nuk mund të ketë jetëgjatësi

Analisti politik Hidajet Ahmeti, në lidhje me këtë, ka pohuar se është absurde të shprehet në ndryshime substanciale e progres, në zhvillimin e vendit, kur merret parasysh konstalacioni qeverisës.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, shpresat për një funksionim dhe jetëgjatësi të këtij koalicioni të interesave reciproke të dhjetëra partive politike janë minimale karshi realiteti faktik.

“ Është fakt i pamohueshëm se Qeveria Haradinaj i ka ditët e numëruara dhe nuk mund të ketë jetëgjatësi, gjithherë duke pasur parasysh konstalacionin qeverisës, e mbi të gjitha duke pasur parasysh Listën Serbe e cila është determinuese e shumë proceseve dhe sfidave që e presin Republikën e Kosovës. Dakordimi dhe harmonizimi i veprimeve opozitare përballë një qeveri shumë të dobët sjellë rezultate të pritura, por nëse LDK-ja mundohet të rrëzoj Qeverinë Haradinaj pa veprime konkrete e të sinqerta mund të mbesin vetëm brenda  retorikës së tyre politike”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka theksuar, se do të kishte qenë e rrugës sikur LDK-ja, të kishte një plan konkret ku në bashkëpunim dhe në harmonizim me forcën më të madhe politike opozitare, Vetëvendosje të arrij qëllimin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Është shumë e natyrshme dhe demokratike, por edhe për të mirën e vendit që qeveritë e dobëta politikisht, të paafta, pa strategji dhe vizion afatgjatë për t’i shtyrë proceset përpara jo të rrëzohen më mocion, por të japin dorëheqje në funksion të interesave shtetërore e kombëtare”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat