“Dëshmitarët kryesorë të Speciales, tashmë janë jashtë Kosovës”?

Politika

“Dëshmitarët kryesorë të Speciales, tashmë janë jashtë Kosovës”?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 dhjetor 2017 Në ora: 07:59
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale do të sigurojë gjykim të paanshëm dhe të drejtë për të akuzuarit. Kështu ka deklaruar kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila po ashtu ka thënë se kjo gjykatë do të ndjekë penalisht të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kërcënojnë sigurinë e viktimave dhe dëshmitarëve ose ushtrojnë çdo lloj presioni ndaj gjyqtarëve.

“Kushdo që përpiqet të frikësojë dëshmitarët ose të përpiqet të ushtrojë presion ndaj gjyqtarëve menjëherë do të ndiqet penalisht. Hetimi do të pasojë, dhe ne nuk do të hezitojmë të zbatojmë ligjin”, është shprehur Trendafilova.

Por lidhur me këto deklarata, avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se ajo nuk mund të japë deklarata tjera, pasi mbron institucionin që përfaqëson. Por, sipas tij kjo gjykatë edhe pse është e ligjshme, nuk është e drejtë, pasi gjykon vetëm shqiptarët dhe jo serbët, të cilët kanë qenë në luftë mes vete.

“Sigurisht që kryetarja e Gjykatës Speciale nuk mund të jep deklaratë tjetër përveç asaj që e ka dhënë se do të ketë gjykime të drejta, të paanshme dhe të ligjshme. Ajo në cilësi të të cilës është dhe ka obligim ligjor që ta mbrojë institucion e Gjykatës Speciale, të cilin ajo e përfaqëson. Unë besoj se qysh me formimin e gjykatës speciale, asgjë nuk është e drejtë edhe pse është e ligjshme, sepse deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar gjykatën speciale, për shkak se deri më tani askund të botë nuk ka gjykatë e cila do të gjykojë vetëm një epitet në raste të luftës ku kanë marrë pjesë së paku dy palë, njëra ka qenë serbe dhe tjetra”, është shprehur Gashi.

Image
Tomë Gashi

Avokati përmend se Specialja cilësohet edhe si raciste për shkak të gjykimit të vetëm njërës palë dhe se mbetet të shihet nëse do të jetë e drejtë, pasi me UNMIK-un dhe EULEX-in Kosova nuk ka pasur përvoja të mirë për gjykimet që janë bërë.

“Sigurisht që ajo ka deklaruar për çdo presion eventual, i cili presion ndaj gjyqtarëve dhe dëshmitarëve është vepër e posaçme penale dhe nuk do të hezitohet të ndiqen penalisht personat që do të mundohen të ushtrojnë trusni për dëshmitarët. Sido që të jetë është një deklaratë formale dhe ne faktikisht ne kemi prirje, duke e ditur eksperiencën tonë prej rasteve me të UNMIK-ut, të EULEX-it që asnjëherë nuk kanë qenë gjykime krejtësisht korrekte, por Gjykata speciale është e tillë që do t’i gjykojë vetëm një palë, në baza nacionale që shpesh po cilësohet edhe si gjykatë raciste, meqenëse i ka dhënë imunitet palës serbe, ndërsa do të gjykojë vetëm shqiptarët. Ndërsa se a do të jetë e drejtë, e ligjshme, mbetet të shihet, sigurisht, por unë si avokat sigurisht që i besoj deklaratës së kryetares së gjykatës speciale, mirëpo në rrethanat e Kosovës deri tani është dëshmuar se është jashtëzakonisht e dëshirueshme që të ketë gjykime të drejta dhe të paanshme”, vlerëson Tomë Gashi.

Dëshmitarët janë jashtë Kosovës?

Sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve, avokati thotë se ata për shkak të sigurisë mund të jenë më herët jashtë Kosovës.

“Besoj që deri tani dëshmitarët kryesorë veç janë të sigurt dhe një pjesë e tyre mund të jenë jashtë territorit të Kosovës qysh më herët, por sigurisht që nuk do të krijohet apo nuk do të duhej të lejohej në asnjë mënyrë që dëshmitarët të frikësohen, të kërcënohen, shantazhohen apo tu ofrohet ndihmë materiale për ndryshim të deklaratave të tyre. Tani jemi para fillimit të punës të gjykatës speciale dhe meqenëse kanë kaluar dy vite e gjysmë që kur është nxjerrë ligji për gjykatën speciale dhe kanë kaluar më tepër se 15 vite që ne në Kosovë kemi institucione ndërkombëtare të drejtësisë siç ka qenë UNMIK-u dhe EULEX-i, besoj po ashtu se eksperienca e Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë, besoj që të gjitha kushtet logjistike, ligjore janë përmbushur dhe është një eksperiencë e caktuar që dëshmitarët të mbrohen në mënyrë efektive, gjë që edhe do të duhej të ishte”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve

Image
Adrian Gjoshi

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi ai thotë se për mbrojtjen e dëshmitarëve është krijuar zyra e veçantë dhe mbetet të shihet se sa do për përkrahen ata në praktikë.

“Duke e parë ndjeshmërinë dhe rëndësinë e dëshmive të dëshmitarëve, në kuadër të Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara është krijuar një zyrë e posaçme - Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve - e cila parasheh mbrojtjen e dëshmitarëve përfshirë sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e tyre, zhvillimin e procedurave me dyer të mbyllura, paraqitjen e provave me mjete elektronike ose mjete të tjera të veçanta etj. Mbetet të shihet se sa do të mund të mbrohen dhe përkrahen në praktikë dëshmitarët. Dëshmitarët janë pjesa qenësore e procedurës penale që do të zhvillohet nga Gjykata Speciale”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket drejtësisë së kësaj Gjykate, Gjoshi shprehet pesimist.

“Sa i përket drejtësisë që mund te sjell Gjykata Speciale, unë nuk jam shumë optimist se Gjykata Speciale do të ndriçojë të gjithë të vërtetën. Kështu, sepse brumi kryesor i aktakuzave të speciales do të jetë "raporti i Dick Martit", raport ky që kryekëput analizon dhe raporton për individë luftëtarë dhe top lider të UÇK-së, duke pandehur se kanë shkelur/tejkaluar ligjet dhe zakonet ndërkombëtare të luftës”, ka vazhduar më tej ai.

Sipas Gjoshit, Specialja mund të jetë selektive dhe për këtë jep arsyet.

“Gjykata Speciale mund të jetë selektive duke i ndjekur vetëm (ose me shumicë) shqiptarët. Kjo mund të ndodhë për dy arsye: e para, për shkak të raportit të Dick Martit i cili është tendencioz dhe selektiv; dhe e dyta, nëse nuk aktivizohet Departamenti për Krime Lufte në kuadër të prokurorisë speciale të Kosovës, duke dërguar fakte, prova dhe dëshmi që do të dëshmonin përtej çdo dyshimi krimet e kryera të serbëve në Kosovë”, ka thënë avokati Adrian Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Gjykata Speciale e vetmja shpresë

Image
Skënder Zogaj

E nën anën tjetër, analisti i çështjeve politike, Skënder Zogaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” , ka thënë se Gjykata Speciale ka mbetur e vetmja shpresë për zbardhjen e shumë rasteve, por sa do të arrijë të jetë e paanshme, pritet të shihet.

“Njerëzit e ndershëm të Kosovës u është shteruar shpresa nga dështimi i drejtësisë vendore e cila, jo vetëm që nuk e ka luftuar krimin dhe korrupsionin, por është bërë mbrojtësja e kriminelëve dhe keqbërësve të shumtë që e kanë ngulfatur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe që po ia qepin qefinin shtetit të Kosovës! Në këtë gjendje, e vetmja shpresë mbetet Gjykata Speciale, për të cilën unë mendoj se do të përpiqet që të sigurojë gjykim të drejtë dhe të paanshëm për të akuzuarit! Pra, do të përpiqet, por sa do t'ia arrijë mbetet të shihet, sepse kriminelët e Kosovës dihet se janë shumë të fortë dhe kanë pasuri marramendëse, nuk do të rrinë duarkryq, por do ta rrokullisin çdo guri për ta pengu punën e Gjykatës”, ka deklaruar ai.

Sipas Zogajt, dëshmitarët janë të rrezikuar dhe nga përvojat e mëhershme nuk ka optimizëm që do të jenë të sigurt.

“Unë e di mirë se nuk do t'u mungojë suksesi, sepse kane kaluar 20 vjet dhe njerëzve të palës së viktimave u është zbutur dhembja sepse u është shtuar frika se mund të kenë pasoja të reja prandaj e mendojnë se është më mirë me hesht! Këtu i shoh edhe dëshmitarët që nuk e kanë lehtë të dëshmojnë, pra se janë të rrezikuar! Gjykata po thotë se i ka marrë të gjitha masat mbrojtëse por përvojat e mëhershme nuk janë shumë optimiste”, është shprehur Skënder Zogaj.

Specialja do të merret me gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat