“Drama” në Istog dhe “gabimi” teknik i KQZ-së

Politika

“Drama” në Istog dhe “gabimi” teknik i KQZ-së

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 18 dhjetor 2017 Në ora: 15:17
Gani Dreshaj, Haki Rugova

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur sot se rezultati i rivotimit në Komunën e Istogut ka ndryshuar.

Ndonëse dje rezultatet e KQZ-së nxorën fitues kandidatin e AAK-së Gani Dreshaj, pas verifikimit të rezultateve, gara ka ndryshuar në të mirë të kandidatit të LDK-së Haki Rugova.

Rugova, sipas KQZ-së po prin me 75 vota më shumë se Dreshaj. Këtu nuk përfshihet numërimi i votave me kusht, atyre të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë.

Nga LDK-ja është thënë se rezultatet në të mirë të kandidatit të saj, ishin të pritshme.

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari nga kjo parti Bajram Gecaj, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se LDK beson se votat me kusht dhe ato të diasporës, do të konfirmojnë fitoren e LDK-së në Istog.

“Ju e keni vërejtur nga deklarimet e zyrtarëve të LDK-së mbrëmë se informatat, të cilat i kishte LDK tregonin se Haki Rugova udhëhiqte në Istog, prandaj kjo që u deklarua sot nga Komisioni Qendror Zgjedhor nuk na befason fare, por se ishte diçka e pritshme. Urojmë dhe besojmë qe edhe numërimi i votave me kusht dhe atyre nga diaspora, do të konfirmojë fitoren e LDK-së në Istog”, ka deklaruar Gecaj.

Ndërkohë, KQZ-ja ende nuk ka komentuar të ashtuquajturin “gabim teknik në administrimin e rezultatit”, i cili nga rezultatet preliminare, nxori fitues Dreshajn e AAK-së, ndonëse

Por, sipas njohësit të çështjeve politike Faik Krasniqi, KQZ duhet të mbajë përgjegjësi për çdo gabim teknik.

Image
Faik Krasniqi

Ai ka thënë se kandidati i LDK-së, duhet t’i drejtohet organeve të drejtësisë, që gabimet e tilla të mos përsëriten.

“Për çdo gabim teknik të bërë përgjegjësinë e mban KQZ-ja. Nuk mund të themi se ka qenë gabim i qëllimshëm i KQZ-së, por kandidati i dëmtuar duhet t'i drejtohet organeve të tjera të drejtësisë, në mënyrë që ''gabimet'' e qëllimshme apo të paqëllishme nga ana e KQZ-së mos të përsëriten më. Prandaj është shumë i nevojshëm reforma e thellë zgjedhore, në mënyrë që ''gabimet'' e tilla mos të ndodhin më”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Ndërsa, analisti tjetër politik Faton Mehmeti, ka thënë se duhet të hetohen shkaqet e gabimit të KQZ-së.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, gara e Istogut, ka prodhuar dramë të paparë deri më tani në Kosovë.

“Është garë e fortë dhe si e tillë, ajo ka dramacitet brenda saj. Duhet hetuar për shkaqet e gabimit të KQZ-së, mos është bërë me qëllim apo është defekt që edhe ndodh. Gjithsesi, Istogu ka prodhuar një dramë të paparë deri më tani në Kosovë. Kjo dëshmon se në Kosovë më nuk ka bastione dhe se qytetarët janë bërë më pragmatike. Mbetet të shihet se votat me kusht, mobile dhe ato me postë, çfarë rezultati do të prodhojnë”, ka thënë Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat