“Mashtrimet e krahut të luftës me listat e veteranëve”

Politika

“Mashtrimet e krahut të luftës me listat e veteranëve”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 19 dhjetor 2017 Në ora: 07:54
Ilsutrim

Rritja e numrit të veteranëve të luftës së UÇK-së, mund të varfërojë buxhetin e shtetit të Kosovës. Kështu janë shprehur analistët e çështjeve politike, pas paralajmërimit të kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka thënë se numri i veteranëve, mund të rritet edhe më shumë.

Ai ka thënë se OVL e UÇK-së nuk do të merr përgjegjësi për këtë çështje.

“Ne kemi frikë. Mund të rritet. Po nëse rritet, e bajshin me shëndet ata zotrinjtë të cilët janë brenda. Ne nuk marrim përgjegjsi për atë punë”, ka thënë Gucati.

Jashari: Komandantët e zonave e dinë kush ka luftuar e kush jo

E duke komentuar këtë paralajmërim të Gucatit, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se përgjegjësinë për këtë, e kanë komandantët e zonave dhe vartësit e tyre.

Jashari në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se komandantët e zonave, e dinë më së miri se a kanë qenë të gjithë veteranët ushtarë apo jo.

Image
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari

"Ka qenë kompetencë në plotëni e komandantëve dhe vartësve të tyre që të bëjnë verifikimin e veteranëve dhe secili komandant i zonës mund të tregojë se a është numri real apo është rritur. Por, konsideroj se përderisa ka kaluar në fazë verifikuese, të gjithë ata veteranë që janë verifikuar nga komandantët e zonave dhe vartësit e tyre, mendoj se ata e dinë më mirë se a kanë qenë ata të gjithë ushtarë apo jo”, është shprehur Jashari.

Krasniqi: Fryrja e listave, varfëron buxhetin

Mirëpo, rritjen e numrit të veteranëve, e ka kundërshtuar analisti politik Faik Krasniqi. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ka njerëz që duan të përfitojnë kundërligjshëm nga lufta e UÇK-së.

Sipas tij, fajin për fryrje listash të veteranëve të rrejshëm, e kanë komandantët e zonave.

“Lista e të gjitha kategorive të UÇK-së është fryrë me një kategori tjetër njerëzish, me kategorinë e atyre njerëzve që s’kanë gjë të përbashkët me UÇK-në, por që janë të gatshëm të përfitojnë kundërligjshëm prej luftës së saj. Por, fajin për këtë stërfryerje të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, padyshim që e kanë komandantët e zonave dhe udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk duhet habitur edhe nëse numri i veteranëve shkon në 100 mijë, derisa ka theksuar se Prokuroria do të duhej të burgoste ata që kanë manipuluar me listat.

Image
Analisti, Faik Krasniqi

“Nuk do të habitesha nëse ky numër i veteranëve të UÇK-së shkon edhe deri në 100 mijë, meqë kemi tolerim nga institucionet tona dhe mbi të gjitha nga Prokuroria e shtetit, e cila do të duhej t'i fuste në burg të gjithë ata që kanë manipuluar me këto lista dhe kjo listë jo që nuk do të fryhej, por do të zvogëlohej në numrin real të veteranëve të UÇK-së”, ka thënë më tej analisti.

Ai ka paralajmëruar se fryrja e listave, mund të varfërojë buxhetin e shtetit.

“Çdo stërfryerje e listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, do ta varfërojë buxhetin e shtetit dhe do t'i godas direkt qytetarët e Kosovës, para që do të mund të shfrytëzoheshin për investime dhe hapjen e mijëra vendeve të punës”, ka shtuar për ”Bota sot”, Faik Krasniqi.

“Mashtrimet e krahut të luftës”

E analisti tjetër Faton Mehmeti, konsideron se listat e veteranëve, janë rast konkret i atyre që ai i ka quajtur mashtrime të krahut të luftës.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Mehmeti ka thënë se në listë të veteranëve kanë hyrë persona që nuk kanë qenë fare në luftë, derisa ata që kanë luftuar ndershëm, sipas tij, kanë mbetur jashtë tyre.

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“Kudo që ka prekur krahu i luftës, pas vetes ka lënë mashtrime, falsifikime dhe padrejtësi. Rast enklant është lista e veteranëve. Në këtë listë u futën njerëz që gjatë luftës, nuk ishin lindur akoma, pastaj njerëz që nuk kanë qenë asnjë ditë në luftë e dikush që i ka dhënë një gotë ujë një luftëtari, ndërkohë që jashtë mbetën njerëz të ndershëm që luftuan për liri dhe jo tendere”, është shprehur Mehmeti.

Sipas tij, për listat, duhet të formohet një grup i ri që do të vlerësojë mashtruesit që janë future pa meritë, duke theksuar se rritja e numrit të veteranëve do të krijojë pakënaqësi dhe do të zbeh imazhin e UÇK-së.

“Kjo luftë është hiperbolizuar, ndërkohë që duhet formuar një grup i ri për të vlerësuar, cilët janë mashtruesit që janë future në listë pa meritë. Por, nëse ndodh siç deklaron Hysni Gucati, për rritje të numrit të veteranëve, kjo do të krijojë pakënaqësi. Fatkeqësisht me këto lista të fryera, i është zbehur imazhi i luftës së UÇK-së, ndonëse luftëtarët e vërtetë nuk meritonin një gjë të tillë”, ka theksuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat