Nisma e re e Presidentit, “Thaçi nën ndikimin e frikës së Speciales”

Politika

Nisma e re e Presidentit, “Thaçi nën ndikimin e frikës së Speciales”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 dhjetor 2017 Në ora: 07:58
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ditë më parë ka ngritur problemin e “pajtimit” brenda territorit të Kosovës, pa e shtjelluar mirë faktin, se me kënd në të vërtetë duhet të “pajtohen” qytetarët e Kosovës dhe nëse duhet të pajtohen me Serbinë apo me popullatën e vet.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kjo çështje është  një duplofikim i një procesi që ka ndodhur në Bruksel, ku qytetarët e Kosovës janë dakord kur Serbia e pranon Kosovën, gjë që  nuk mund të quhet  “pajtim” por normalizim i Marrëdhënieve Ndërshtetërore.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Komisioni i mirëseardhur

Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj ka thënë se Komisionet e tilla për të vërtetën dhe pajtimin janë një fenomen i kohërave të reja, që datojnë që nga vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar e tutje dhe që zakonisht ngritën në vendet me konflikte të theksuara.

Gecaj e ka quajtur të mirëseardhur komisionin.

“Komisioni i tillë për të Vërtetën dhe Pajtimin ishte iniciuar nga Presidenti i Kosovës që në shkurtin e këtij viti. Edhe pse është mjaft e qartë nga takimi i fundit se nuk kishte avancuar shumë në realizimin e qëllimeve dhe objektivave të tija, pasi që tek në takimin e fundit ishte paraqitur Ekipi Përgatitor i këtij komisioni. Ashtu siç edhe e dikton titulli, këto komisione kryesisht tentojnë të gjurmojnë dhe të gjejnë të vërtetën e atyre konflikteve të ashpra, dhe pastaj rrjedhimisht edhe të fusin këto të gjetura në qëllimin e pajtimit të bashkësive të cilat kishin qenë në një konflikt të tillë. Pra si koncept, këto komisione do të duhej të ishin të mirëseardhura dhe produktive në secilën shoqëri me konflikte të theksuara në të kaluarën e afërt”, ka thënë ai.

Gecaj, ka theksuar se ky komision nuk është i paraparë dhe nuk mund të zëvendësojë procesion e dialogut në Bruksel, por mund të ndihmoj si atë proces ashtu edhe procesin e pajtimit të përgjithshëm shqiptaro-serb në Kosovë, por edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mbetet të shihet në muajt dhe vitet në vijim, nëse kjo vërtetë ka qenë një iniciativë simbolike për hir të autoritetit dhe kultit personal të Presidentit Thaçi, apo se vërtetë kësaj iniciative do ti epet serioziteti i duhur institucional dhe shoqërorë”, ka thënë Gecaj.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Çështja e pajtimit është e njëanshme

Njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani ka thënë se çështja e pajtimit është e njëanshme dhe sipas tij, kjo çështje nuk është temë e Serbisë, por Thaçi si zakonisht dëshiron të jetë një hap para Serbisë edhe në këtë çështje.

“Është interesant se ky pajtim tentohet të bëhet nga Thaçi para se të normalizohen raportet Kosovë - Serbi , kush me kënd pajtohet. Thaçi pajtimin e mendon njëherë brenda Kosovës edhe pse ky pajtim në këtë variant po kuptohet në variante të shumta. Më së miri do të ishte që bisedimet Kosovë- Serbi të përfundojnë me një rezultat signifikant, pra me një lloj marrëveshje reciproke, që do ti paraprinte një pajtimi si duhet, por jo duke bërë hapa të mëdhenjtë para se të ndodhë hapi. Sidoqoftë, kjo është më tepër gatishmëri fillestare e Thaçit dhe Kosovës. Ndryshe nuk ka si të kuptohet, ende nuk ka ndodhur as zbardhja e viktimave të luftës, shumë të pagjetur e në anën tjetër, pajtimi ndoshta edhe është hap i cili duhet të ndodhë pak më vonë, pas zbardhjes së rasteve të të pagjeturave”, ka thënë Burjani.

Image
Ismet Haziri

Kurse, analisti Ismet Haziri, i quan takimet e tilla të paarsyeshme, duke theksuar se asnjë qytetar i Kosovës nuk ndihet i rrezikuar dhe nuk rrezikohet nga shqiptarët.

“Ne si shqiptare dhe si komunitet shumicë kemi treguar shumë botërisht se nuk kemi problem me pakicat, në kuadër të këtij vlerësimi hyn edhe komuniteti serb. Pra çfarë dëshiron presidenti me këto takime stereotipe duke tubuar e thirrur grupe të ndryshme dhe të debatojnë për diçka të paqenur brenda territorit të Kosovës. Pra asnjë qytetar i Kosovës nuk ndihet i rrezikuar dhe nuk rrezikohet nga shqiptarët. Por nëse është në pyetje për dikë që ka kryer vepra kriminale, nuk e di se a është në kompetencë të presidentit që përmes një pajtimi famoze ti mbyll edhe çështjet e veprave kriminale serbe në Kosovë”, ka thënë Haziri duke shtuar se veprat që i bën një individ duhet të  përgjigjet ai vet dhe në një shtet ligjor as Zoti nuk i shpëton”, është shprehur ai.

Bisedimet në Bruksel dhe pajtimi

Më tej, ai ka thënë se temat e Brukselit dhe po duplifikohen brenda territorit të Kosovës.

“Nëse kemi të bëjmë me të tillë që ia mundëson vetës një honorar do të ishte më e udhës sikur të gjenin tema më interesante dhe më interes për Kosovën të debatojnë. Jo vetëm kaq, por mendojë se Presidentit po i mungojnë temat e Brukselit dhe po duplifikon të njëjtat brenda territorit të Kosovës. Konsiderojë se ne jemi në procesin e bisedimeve për normalizimin e raporteve me Serbinë, ku me presion apo pa presion në të kaluarën duke qenë një përfaqësim, një ekipe i dobët, që shpesh i kanë pasur problem edhe frizurat dhe selfit, e jo përmbajtjen  e bisedimeve dhe vendimeve të cilat kanë qenë goxha të pafavorshme për Kosovën. Ne nuk kemi nevojë që të pajtohemi dhe as t’ia falim gjakun, sakrificën apo pasurinë dhe as ti servilohemi Serbisë”, ka thënë Haziri.

Image
Faton Mehmeti

 Analisti politik Faton Mehmeti ka pohuar se veprimet e Thaçit janë duke u bërë nën ndikimin e frikës, dhe rrjedhimisht pa sens.

Sipas tij, Thaçi po kërkon pajtim pa qenë i vetëdijshëm se shqiptarët nuk janë në armiqësi me serbët, por kanë qenë dhe janë me politikën e tyre kundër Kosovës.

“Thaçi ka nënshkruar në Bruksel çdo gjë që i është ofruar vetëm sa për tu shfaqur i mirë dhe i butë përpara BE-se, dhe shteteve tjera. Të gjitha këtë role ai i ka bërë për tu shfaqur përpara të huajve si garantues i stabilitetit në vend, duke u munduar të shkëmbej të bëmat e tija me heshtjen e ndërkombëtarëve. Gjithsesi nisma e Thaçit për pajtim është pa sens, e bërë nën ndikimin e frikës së Gjykatës Speciale. Gjithashtu, Thaçi po mundohet të shndërrohet në lider, por asnjëherë s’do mundet. Thaçi ka qenë dhe mbetet politikan i dobët, i ardhur dhe mbajtur në pushtet me intriga, manipulime dhe veprime tjera jo të ndershme”, ka thënë Mehmeti.

Image
Nexhat Haziri

Varësia nga Beogradi

Ndryshe, opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se iniciativa për të ashtuquajturin komision për të vërtetën dhe pajtim, sipas asaj që është deklaruar nga vetë z. Thaçi ka për qëllim dialogun dhe pajtimin e brendshëm pa prekur drejtësinë.

Ai ka thënë se kjo ide tingëllon skeptike për arsyeje të instrumentalizimit të minoritetit serb që jeton në Kosovë nga Beogradi zyrtar dhe rrjedhimisht përfaqësuesit e serbëve nuk vendosin asgjë pa e pyetur Beogradin.

“Kjo iniciativë nuk mund të shkojë paralel me procesin që po ndodhë në Bruksel në dialogun e ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur kjo e fundit po i mbron apo po i negocion interesat e serbëve të Kosovës dhe përmes tyre edhe interesat e veta. Pra, kjo e bën jo funksional komisionin e z. Thaçi për faktin së përfaqësuesit serb në këtë komision nuk janë ata që kanë fuqi politike për të vendosur për çfarëdo të vërtete dhe pajtim për periudhën e luftës në këtë dialog të brendshëm”, ka thënë opinionisti Haziri.

Ndryshe, Me nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është themeluar Komisioni për të vërtetën dhe për pajtimin në shkurt të këtij viti. Presidenti Thaçi kishte deklaruar se se armiqësitë që ka shkaktuar lufta janë ende të pranishme dhe dominojnë ende diskursin shoqëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat