Deklarata e Haradinajt tregon se nga duhet orientuar pista për zbardhjen e vrasjeve

Politika

Deklarata e Haradinajt tregon se nga duhet orientuar pista për zbardhjen e vrasjeve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 dhjetor 2017 Në ora: 21:50
Avdullah Hoti

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e konsideron si mjaft të vështirë vitin që e lamë pas. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Hoti flet për proceset e vështira nëpër të cilat po kalon vendi. Hoti gjatë kësaj interviste, flet lidhur me deklaratën, Nasim Haradinajt, duke theksuar se kjo deklaratë lidhur me vrasjet përpos që ishte skandaloze, tregon se nga duhet orientuar pista për zbardhjen e tyre.

“Bota sot”: Si e komentoni vitin 2017 për Kosovën, duke marrë parasysh proceset nëpër të cilat ka kaluar ajo?

Avdullah Hoti: Ky vit ka qenë i vështirë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe krijimi i një qeverie me rol kyç të pakicave dhe partnerëve të vegjël ka krijuar një situatë të brishtë institucionale. Në mungesë të stabilitetit institucional dhe pamundësia për të parashikuar zhvillimet në afat të mesëm, Kosovës iu ndërpre në gjysmë rruga e zhvillimit ekonomik që kishte nisur pas shpalljes së pavarësisë dhe që mori hov nga viti 2015. Proceset euro-integruese kanë stagnuar gjithashtu. Njohje të reja nuk ka. Qeveria e vendit është e izoluar. Proceset e mëdha që duhet të shtyjë përpara Kosova nuk mund të lëvizin me këtë qeveri heterogjene. Është e domosdoshme që sa më parë të arrihet koncenzusi për vendimet kyçe politike që duhet të merren në institucione dhe të organizohen zgjedhjet e reja.

“Bota sot”:  Viti 2017 shënon rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe njëkohësisht daljen si partia e parë në zgjedhjet komunale, si e shihni Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 2018?

Avdullah Hoti: Është fakt se Qeveria e Kryeministrit Mustafa nuk u rrëzua për arsye të keq qeverisjes apo mos punës. Ajo u rrëzua për arsye se suksesi i saj nuk i shkonte për shtati partnerit të koalicionit. Kjo gjë u arsyetua tani me zgjedhjet komunale ku Lidhja Demokratike e Kosovës përveç që udhëheq me numrin më të madh të komunave në vend, është edhe e para me numër të votave gjithë popullore. Ne kemi marrë besim të madh qytetar në këto zgjedhje. Po punojmë shumë që ta arsyetojmë atë besim. Po përgatitemi për zgjedhjet e tjera.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin ekskluziv të gazetës “Bota sot”, nga e premtja në Kosovë dhe nga e shtuna në Diasporë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat