Paralajmërojnë vëllezërit Ramadani: Nuk do të ndalemi derisa të zbulohet vrasja e familjes Hajra

Politika

Paralajmërojnë vëllezërit Ramadani: Nuk do të ndalemi derisa të zbulohet vrasja e familjes Hajra

Nga: Arbnore Zhushi Më: 3 janar 2018 Në ora: 17:17
Protesta për lirimin e vëllezërve Ramadani e Kiqina

Pas 15 vitesh burg, janë liruar vëllezërit Arben e Burim Ramadani dhe Arben Kiqina. Ata ishin të dënuar me nga 30 vjet burg për vrasjen e Hamzë Hajrës dhe familjes së tij në vitin 2001.

Vet presidenti i vendit Hashim Thaçi ka dekretuar vendimin për faljen e vëllezërve Ramadani dhe Kiqinës.

E duke komentuar këtë vendim të presidentit Thaçi, vëllai i Arben dhe Burim Ramadanit, Fatoni, ka thënë se përmes tij, është ndalur krimi i dytë për vrasjen.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ata do të kërkojnë përgjegjësi prej gjykatave, se pse vëllezërit e tij janë mbajtur në burg pas asnjë provë.

“Sa i përket veprimit të ndërmarrë nga një Komision, faktikisht nga gjyqtarët, për kërkesën tonë që të lirohen përmes faljes, ne kemi kërkuar që padrejtësia të ndalet përmes faljes dhe mendoj që është ndërprerë krimi i dytë për vrasjen. Ne nuk do të ndalemi, jemi duke pritur njerëz dhe do të kërkojmë përgjegjësi prej gjykatave, me çfarë provash janë mbajtur ata në burg për 15 vite. Nëse ata nuk duan të gjejnë vrasësit e vërtetë, pse na mbajtën neve për 15 vite pa asnjë provë të vetme, se asnjë provë nuk e kanë pasur”, është shprehur Ramadani.

Ndërkaq, i pyetur nga gazeta se a do të kërkojnë dëmshpërblim për mbajtjen e burgut, Ramadani ka konfirmuar se ata po shqyrtojnë mundësinë, madje janë duke u konsultuar për këtë çështje.

Ai ka pohuar se ata nuk do të ndalen derisa të zbulohen vrasësit e familjes Hajra.

“Duhet të shohim për këtë çështje, se kërkesa jonë ishte që përmes faljes të ndalet padrejtësia nga gjykata, do të konsultohemi edhe me organet tjera se sa kemi të drejtë, mirëpo për këtë punë do të ankohemi se kush janë ata persona tek gjykatat kriminale, se ato kriminale janë se kush e ka kryer atë krim mbi persona të pafajshëm. Nuk do ndalemi prapë deri të zbulojmë se kush e ka kryer atë krim dhe pse e kemi mbajtur 15 vite burg pa asnjë provë”, është shprehur Faton Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat