Dialogu me Serbinë, Kosova drejt sfidave të reja

Politika

Dialogu me Serbinë, Kosova drejt sfidave të reja

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 janar 2018 Në ora: 07:46
Foto arkiv, bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel

Ideja për të rishikuar formatin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po konsiderohet si një hap i nevojshëm dhe i domosdoshëm.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike ku sipas tyre, para se të vijë deri tek ndryshimi i këtij formati, pala e Kosovës fillimisht duhet të ketë parasysh çështjet kryesore që janë me rëndësi për vendin.

Ata konsiderojnë se arritja e një konsensusi të përgjithshëm politik në njërën anë do ta bënte dialogun më të pranueshëm dhe do ta mbronte interesin e Republikës së Kosovës në relacion me Serbinë.

Image
Imer Mushkolaj

Duke folur rreth asaj se a ia ka lënë në “dorë” Brukseli Prishtinës që të zgjedh formatin e ardhshëm të bisedimeve me Serbinë, dhe se cili do të ishte formati më i mirë për Kosovën në këto bisedime, analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën “Bota sot” se çdo format dialogu që nuk përfundon me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia është i rrezikshëm.

Sipas tij, pala e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme se me çfarë kushtesh dhe me çfarë platforme shkon në bisedime.

“Reciprociteti dhe përfundimi i bisedimeve me njohje duhet të jetë parim udhëheqës i procesit të bisedimeve”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Image
Sami Blakaj

Edhe njohësi i Integrimeve Evropiane  Sami Blakaj, ka thënë se ideja për të rishikuar formatin e bisedimeve me Serbinë është një hap i nevojshëm dhe i domosdoshëm.

Ai ka thënë se para se të vijë deri të ndryshimi i këtij formati, pala e Kosovës duhet të ketë parasysh dy çështje kryesore.

“E para ka të bëjë me vlerësimin e të arriturave të deritashme në bisedimet me Serbinë, më konkretisht duhet vlerësuar nga afër se cili është niveli i zbatueshmërrisë së marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë dhe cilat janë efektet e dala nga këto marrëveshje. Ndërsa, e dyta ka të bëjë me formimin e një konsensusi të përbashkët brenda partive politike në Kosovë”, ka thënë Blakaj.

Formati gjithëpërfshirës

Sipas tij, arritja e një konsensusi të përgjithshëm politik në njërën anë do ta bënte dialogun më të pranueshëm , ndërsa në anën tjetër do ta mbronte shumë më mirë interesin e Republikës së Kosovës në relacion me Serbinë.

“Në këtë drejtim konsideroj se formati i ri i bisedimeve duhet orientuar në drejtim të formulës së konsensusit të përgjithshëm, si e vetmja formë që do garantonte ruajtjen dhe përfaqësimin e interesit shtetëror. Formula konsensuale nuk nënkupton vetëm përfshirjen e partive politike parlamentare (pozitë dhe opozitë), por edhe përfshirjen ekspertëve të fushës të cilët me kompetencë dhe përgjegjësi profesionale do të mbulonin sektorët e caktuar për të cilët ata janë të thirrur”, ka thënë Blakaj.

Image
Emrush Ujkani

Kurse njohësi i Integrimeve Evropiane Emrush Ujkani ka thënë se formati të cilin BE-ja dëshiron nuk është që do kishte ndonjë ndikim pasi kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe e Serbisë.

Sipas tij, Kosova assesi nuk mund të ndërhyjë  në kësi lloj formatesh të bisedimeve dhe të përgatisë apo edhe të përfaqësohet.

“Duke qenë se kësisoj lidershipi i Kosovës duhet të ndalet dhe ta mendojë mirë se cili është formati më i mirë i mundshëm. Një gjë është e sigurt se duke ju ofruar fundit të bisedimeve ata do kërkojnë që të involvohet edhe kreu i shtetit i të dy shteteve pasi që ata duhet përfundimisht të vulosin edhe traktin e paqes mes dy vendeve nëse veç do të vij deri tek ajo. Ndërsa, për bisedimet e tjera që lidhen apo mund të lidhen me sektor specifik mendoj që Kosova duhet të përfaqësohet nga niveli i qeverisë”, është shprehur Ujkani.

Image
Leon Duhanaj

Bisedimet drejt fundit

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj ka thënë se çështja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, tani më i është ofruar përfundimit  deri kah fundi i vitit pritet të marrë epilog përfundimtarë.

Ai ka thënë se kërkesa e komunitetit ndërkombëtarë që shqiptarët ta përcaktojnë platformën apo agjendën e bisedimeve të ardhshme, është një përpjekje për të krijuar unitet politik rreth kësaj çështje.

“Për mendimin tim, shqiptarët duhet të krijojnë mekanizma të përbashkët, me qëllim që rezultatet të jenë më të favorshme. Në fund të fundit, as pala shqiptare e as ajo serbe, nuk e kanë në dorën e vet vendimin për bisedime e as për epilog. Komuniteti ndërkombëtarë, tashmë e ka projektuar edhe fundin e bisedimeve. Kjo madje po vërehet edhe në deklaratat e përfaqësuesve të shtetit serb ku në një mënyrë po tjetrën përgatisin popullin e vetë për fundin e epilogut të bisedimeve, respektivisht marrëveshjes së paqes me Kosovën”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të jetë edhe një njohje indirekte e shtetit të Kosovës, ku Serbia do të nënshkruajë që të heq dorë nga pengesat që i bën Kosovës në anëtarësimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

“Është mirë që shqiptarët të jenë të unifikuar rreth hartimit të statutit mbi themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse aty do te bëhet luftë në detaje. Për ndryshe, të gjithë ata që, kin se në emër të patriotizmit mundohen të minojnë unitetin rreth kësaj çështje, janë kontribuues indirekt të kauzës serbe.”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

Image
Faton Mehmeti

Dështimet e mëhershme

Analisti politik Faton Mehmeti konsideron se Serbia ka diktuar formatin e bisedimeve ne Bruksel, duke rikthyer atë në realizim të interesave të saja.

Ai ka pohuar se Kosova vazhdimisht ka pësuar dështime e gjithë kjo si rezultat i mos seriozitetit dhe mos koordinimit.

“Pikërisht kjo e fundit rezultojë fatale, pasi disa individë nga politika e Kosovës bisedimet me Serbinë i kthyen në favore personale për tu faktorizuar. Kosova së pari duhet të krijojë një ekip uniteti nga të gjithë klasa politike pozitë dhe opozitë, si shoqëria civile ashtu edhe Akademia e Shkencave në mënyrë që të përcaktohen pikat strategjike të bisedimeve për vendin qëllimin e bisedimeve dhe synimet. Pas kësaj mendoj se duhet të shikohen marrëveshjet e arritura, përparësitë e tyre dhe mungesa e zbatimit, ka thënë analisti politik Mehmeti, duke shtuar se  nëse Kosova vazhdon si deri më tani në bisedimet me Serbinë, atëherë vendi do të pësojë humbje edhe më të madhe përderisa Serbia do ti realizojë gjithë synimet e saja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat