“Qeveria më e dobët, Haradinaj instrument i PDK-së”

Politika

“Qeveria më e dobët, Haradinaj instrument i PDK-së”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 6 janar 2018 Në ora: 10:13
Qeveria PANA-Lista serbe

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj i ka 21 ministra, ndërsa deri më tani ka emëruar gjithsejtë 72 zëvendësministra.

Por, kjo Qeveri po vlerësohet si qeveri megalomane dhe e luksit e se kjo mund të shkaktojë keqpërdorim të buxhetit.

Analisti Hidajet Ahmeti ka thënë  për “Bota sot” se sistemet parlamentare, siç është Kosova kanë mangësitë të cilat praktikisht futin partitë politike në pazare të dhimbshme, deri aty sa të bëhet kompromise mbi identitetin e tyre politik.

Image
Hidajet Ahmeti

Pazare të dhimbshme!

“Në këto sisteme politike, numrat për formimin e qeverisë janë të patejkalueshëm rrjedhimisht  determinojnë koalicionet pas zgjedhore për formimin e qeverisë, stabilitetin dhe jetëgjatësinë, por mbi të gjitha nuk imponojnë të thyen parimet bazike e ideologjike të tyre”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Ahmeti ka shtuar se Haradinaj nuk ka pasur qëllim të qeverisë, por të bëhet kryeministër dhe se kjo qeveri nuk do të ketë mundësinë për të funksionuar brenda kornizës së interesave të trupit publik.

“Në përvojën politike të mbas luftës, qeveritë e koalicioneve nuk kanë treguar rezultat pozitiv të pritshëm, në njërën anë shkaku i koalicioneve të panatyrshme, kurse ne anën tjetër shkaku interesave të ngushta politike, klienteliste e nepotike. Kryeministri Haradinaj me këtë qeveri megalomane nuk e ka pas qëllimin për të qeverisur, por për tu bërë  kryeministër. Kjo qeveri megalomane dhe e interesave reciproke të dhjetëra partive politike e të koalicionit me dorën e zgjatur të Beogradit zyrtar, nuk është prej qytetarëve, nga qytetaret e aq më pak për qytetarët. Që në fillim shihet qartë se  kjo qeveri nuk do të ketë mundësinë për të funksionuar brenda kornizës së interesave të trupit publik, por do të jetë një qeveri për një komunitet të vogël njerëzish, e brenda kornizës së interesave të këtij komuniteti të vogël njerëzish”, ka potencuar ai.

Qeveria më e dobët!

Gjithashtu, Ahmeti ka vlerësuar se kjo qeveri do të jetë më e dobëta nga Qeveritë e deri tanishme dhe se Haradinaj do të jetë instrument i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Gjykoj se në historinë politike të mbas luftës, Qeveria Haradinaj do të jetë ndër qeveritë me të dobëta, e mbi të gjitha një qeveri e cila do të dirigjohet nga Beogradi zyrtar. Në anën tjetër, Qeveria Haradinaj  e posaçërisht kryeministri Haradinaj do të jetë instrument i partisë-shtet PDK-së, pasi që më fuqinë politike që ka AAK-ja do të jetë e pamundur  që t’i ketë duart e lira në pretendimin e saj për një qeverisje të mirë e në dobi të trupit publik”, ka thënë ai.

Për më tepër, ka shtuar se  Qeveria Haradinaj është  një qeveri e luksit dhe se do ta ketë të pamundur ta përfundojë mandatin qeverisës, pasi që në viti 2018 do të jetë vit zgjedhor.

“Në këto rrethana te reja  politike, Qeveria Haradinaj  do ta ketë të pamundur ta përfundoj mandatin qeverisës, e që gjykoj se viti 2018 do të jetë vit zgjedhor. Rrethanat e reja politike të krijuara na japin një mesazh shumë të qartë, se Qeveria Haradinaj është  një qeveri e luksit e  me dhjetëra parti në konstulacionin qeverisës, një qeveri e dobët dhe jetëshkurtër, një qeveri e varur nga dora e zgjatur  e Beogradit zyrtar, e mbi të gjitha një kryeministër i dirigjuar  nga brenda prej  partisë –shtet PDK-së, dhe  i dirigjuar nga jashtë prej Beogradit zyrtar. Me të gjitha këto atribute, Qeverinë  Haradinaj do ta pret fati i rrëzimit”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”.

Nuk mund të pritet asgjë tjetër nga kjo qeveri!

Image
Arber Gashi

Kurse, analisti Arber Gashi ka thënë se nuk mund të presim diç tjetër nga ky koalicion apo nga vet kryeministri, përpos rritjes marramendëse të numrit të zëvendësministrave.

“Problemi me të cilin po ballafaqohet kryeministri Haradinaj, duke filluar që nga dita e parë e rikthimit në pozitën e kryeministrit, quhet "domosdoshmëri e pushtetmbajtjes". Për këtë arsye, ne si qytetarë, nuk mund të presim diç tjetër nga ky koalicion apo nga vet kryeministri, përpos rritjes  marramendëse të numrit të  zëvendësministrave”, ka theksuar Gashi.

Po ashtu, ai ka thënë se zgjedhjen e kanë bërë qytetarët e këtij vendi, për shkak se kanë pranuar lojën e instrumentalizimit të emocioneve, duke e lënë tërësisht pas dore realitetin objektiv dhe interesat tona madhore.

“Për rrjedhojë, si shoqëri dhe si shtet, ne ndodhemi tani në prag të theqafës dhe duhet ta pranojmë e të ballafaqohemi me këtë realitet. Askush tjetër përpos nesh, nuk mund ta imponojë ndryshimin e këtij realiteti. Përndryshe, duhet të pajtohemi me një problem të pazgjidhshëm, së paku deri në zgjedhjet e ardhshme. Kostoja marramendëse e këtij koalicioni është meritë e jona. Ne jemi ata që ua kemi dhënë votën dhe tani, ose duhet ti mbajmë deri në fund të mandatit, ose duhet të gjejmë mekanizmin demokratik për ta bërë ndryshimin që e dëshirojmë”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

Vendi drejt kolapsit ekonomik!

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti tjetër Ali Hertica ka vlerësuar se qeveria është jo stabile pasi që është e ngarkuar nga zëvendësministrat dhe këshilltarët të cilët janë të panevojshëm.

“Buxheti i Shtetit reflekton në mënyrën më të plotë te domethënieje politike  e një qeverie jo stabile e ngarkuar nga zv. ministra dhe këshilltar të pa nevojshëm për politiken dhe buxhetin ku  është në thelb një akt politik i pa precedent ku përbën instrumentin kryesore të aksionin ekonomik të qeverisë dhe zë një vend madhor në politikën ekonomike e vend dhe shoqërisë”, ka deklaruar Hertica. 

Gjithashtu, ai ka thënë se nga ngarkesa e zëvendësministrave dhe rritja e pagave do ta qojë vendin në kolaps ekonomik.

“Rrezikun nga deficiti buxhetor e ka paralajmëruar së fundi edhe Banka Botërore, e cila në prezantimin e një raporti të saj vë në pah se nga skemat sociale e papunësisë ku janë shtuar presionet fiskale. Ndër kritikët më të mëdhenj për buxhetin janë dhe do mbeten si ngarkesë e tepërt e zv. Ministrave, ky buxhet do ta çojë vendin në një kolaps ekonomik  kur dihet botërisht se Haradinaj rriti edhe pagën për qeveritaret dhe hisedarët e qeveris ku tregon një politik të cektë pa vizion për ta shtyrë ekonomin e shtetit drejt një rimëkëmbjes  dhe zvogëlimin e varfërisë”, ka potencuar ai.

Në fund, Hertica ka shtuar se çdo subjekt politik që është në koalicion po i rehaton klientelën e tyre dhe se po keqpërdoret buxheti.

“E gjithë kjo tregon se çdo subjekt politik thuajse po rehaton klientelën e subjekti pa e shikuar sovranin dhe ata që i sollën deri në ato kolltukë ku tani e keqpërdorin skajshmërisht buxhetin apo taksën e qytetarit të varfëruar. Një politik e tillë  e cila po degradon qytetarin dhe vlerën e tij mund të jetë një skandal ku do rebelohet qytetari dhe vjen deri tek demonstrimi i dhunshëm ku do të humb kontrollin mbi politiken dhe politikëbërsit e pa ndërgjegjshëm dhe matrapazët politik të një skeme piramidale të korruptuarve dhe të inkriminuarve”, ka përfunduar Hertica për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat