SHBA izolon Ramush Haradinajn, kërkohet dorëheqja apo shkarkimi i tij

Politika

SHBA izolon Ramush Haradinajn, kërkohet dorëheqja apo shkarkimi i tij

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 8 janar 2018 Në ora: 11:28
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duhet të jap sa më shpejt dorëheqje, në mënyrë që vendi të dal sa më parë që është e mundur nga izolimi i shkaktuar nga ai dhe nga partnerët e tij të koalicionit.

Kështu thonë përfaqësuesit e partive opozitare, pas publikimit të lajmit se kryeministri Haradinaj ende nuk është pajisur me vizë amerikane për të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit që bëhen për çdo vit në SHBA, e ku marrin pjesë personalitete nga të gjitha shtetet e botës që janë mike të Amerikës.

Lajmin për mos dhënie të vizës e ka bërë të ditur vet kryeministri përmes një komenti në Facebook.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, më 24 mars ‘98 kemi pasur momente jete apo vdekje. Kështu ka vazhduar deri më 24 mars ‘99, kur Amerika dhe NATO na dolën në ndihmë. Kurrë nuk do ta harroj. Momente të vështira pritje deri më 24 mars ‘99. Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, ka shkruar Haradinaj.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit

Image
Haxhi Avdyli

Nga ana tjetër, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike mendojnë se mos dhënia e vizës deri më tani ka të bëj me pakënaqësinë e SHBA-ve me kryeministrin Haradinaj lidhur me zhvillimet e fundit në vend.

“Ky është një lajm i keq për Kosovën, kur një kryeministri i refuzohet viza për një ngjarje formale, siç janë lutjet e mëngjesit, sepse aty shkojnë njerëz nga shoqëria civile, e atij nuk po i jepet viza. Për mua kjo nuk është pa koment”, thotë për “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Ai shton, se kjo tregon se po bien në ujë deklaratat e liderëve të partive në pushtet se ata janë pro Amerikës dhe pro Evropës.

Sipas Avdylit, ekzekutivi i udhëhequr nga Haradinaj po e çon Kosovën drejt një izolimi.

“Përkundrazi, Qeveria Haradinaj është duke na çuar në izolim si shtet dhe mendoj se ikja e kësaj qeverie sa më shpejt që është e mundur është pozitive për Kosovën dhe pozitën strategjike të saj”.

“Çdo ditë e kaluar e kësaj qeverie në udhëheqje të shtetit është humbje për Kosovën dhe mendoj se Ramush Haradinaj duhet t’i thërras mendjes pse vendi është futur në këtë gjendje, dhe për këtë ai duhet të jap dorëheqje ose sa më shpejt që të shkarkohet”, shtoi Haxhiu.

Dorëheqjen e kryeministrit e ka kërkuar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kada-Bujpi.

“Nëse me të vërtetë i është refuzuar viza nga SHBA-të Kryeministrit, këtij të fundit nuk i mbetet gjë tjetër veç dorëheqjes. Dështimi i qeverisjes së vendit në mënyrë koherente me SHBA-të në fazën në të cilën gjendet vendi ynë është dëm i madh dhe çdokush që ka pjekuri shtet-formuese dhe ndjenja patriotike do të duhej të largohej nga skena politike për t’iu dhënë rast njerëzve të rinj e ide të reja, kreativitetit dhe më së shumti mençurisë shtet-formuese, ashtu që kombit tonë t’i hapen rrugët dhe të dalë nga izolimi i krijuar nga udhëheqës të papërgjegjshëm për gati dy dekada”, ka shkruar deputetja Kadaj-Bujupi në një koment në facebook.

Haxhiu thotë se Haradinaj po i mbron interesat e shtetit të Kosovës

Image
Teuta Haxhiu

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu mendon se lideri i partisë së saj që është kryeministër po i mbron interesat e Kosovës karshi ndërkombëtarëve.

“Pa marrë para sysh kush do që është kryeministër i vendit secili qytetarë do të ndihej mirë për të arriturat në vend”, thotë Haxhiu për “Bota sot”.

Sipas Haxhiut, ndërkombëtarët të respektojnë më shumë nëse mbrohen interesat e shtetit sikur kryeministri Haradinaj.

 “Përkundrazi, kryeministri është për herë të parë është duke vendosur një rregull tjetër që s’ka qenë deri më sot dhe fal kësaj edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, qoftë të Evropës apo ata të Amerikës do të na japin mbështetje më të madhe kur e shohin se ti je i vendosur për vendin tonë”, thotë Haxhiu.

Madje, ajo kritikon qeveritë e mëhershme që sipas saj kanë bërë lëshime të mëdha, e nuk kanë marrë asgjë në këmbim.

“Lojaliteti i deritanishëm i pushtetarëve ka treguar që ne veç kemi dhënë si shtet, por kurrë nuk kemi përfituar. E kjo qasje do të duhej të ndërrojë pikërisht me këtë qeveri dhe t’iu tregojmë edhe miqve në Evropë dhe kudo qofshin se ne në radhë të parë e duam vendin tonë”, tha më tej ajo.

“Në këtë rast kjo qasje e kësaj qeverie është e ndryshme me rastet e tjera, por edhe dua të them se raportet me miqtë tanë nuk do të ndërrojnë, sepse ne jemi falënderuar përjetësisht ndaj popullit dhe qeverisë amerikane për ndihmën e pakursyer ndaj Kosovës”, shtoi Haxhiu.

Tentimi për shfuqizimin e Speciale ndikojë në marrëdhëniet me SHBA-të

Image
Faton Mehmeti

Analisti Politik, Faton Mehmeti thotë refuzimi i vizws ndaj Kryeministrit Haradinaj është hapi i parw i SHBA-sw ndaj kësaj elite politikanësh të korruptuar, të cilwt për interesat e tyre personale po e vwjnë në rrezik të ardhmen e Kosovës dhe interesat e SHBA-së në Kosovë.

Ai thotë se nëse Haradinaj nuk reflekton, hapi tjetër do të jetë futja e tij në listën e zezë të presidentit amerikan.

“Besoj se Gjykata Speciale, respektivisht përpjekjet për shfuqizim të ligjit ka ndikuar ne acarimin e raporteve të qeverisë me SHBA-të. Kosova nuk guxon të prish raportet me SHBA-të për interesa personale të askujt. Ky është lajm i keq për vendin, pasi mos lëshimi i vizës është kambanë alarmi për marrëdhëniet e acaruara me mikun më të madh të Kosovës, siç janë SHBA-të”.

Ai shtoi se opozita duhet t’i bëjë  presion kremastarit që të jap dorëheqjen pasi po vë në rrezik marrëdhëniet e Kosovës me shpëtimtarin e saj SHBA-në.

Edhe analisti Nexhat Haziri thotë kryeministri duhet të jap dorëheqje.

“Do ishte një gjë e mirë dhe në shërbim të vendit që Haradinaj të ofronte dorëheqje për t’i mos i shkaktuar dëme të tjera Kosovës. Të njëjtin veprim do të duhet ta bënin edhe Thaçi dhe Veseli”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Haziri: Refuzimi i vizës për Haradinaj, i pritshëm

Image
Nexhat Haziri

Analisti Haziri thotë se refuzimi i vizës për kryeministrin për të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit në SHBA, ishte i pritshëm.

“Është një gjë e pritshme pasi nuk mundësh të jesh kundër interesave amerikane, mosmirënjohës për gjithë atë çfarë SHBA-të kanë bërë për shqiptarët dhe Kosovën , dhe në anën tjetër të shtiresh si mik i SHBA-sw”, thotë Haziri.

“Unë shpresoj se nga ky veprim i SHBA-ve do të ndikohen vetëm liderët shtetëror të Kosovës të cilët me veprimet e tyre anti-demokratike dhe duke injoruar sugjerimet e SHBA-ve u treguan hipokrit, ndërsa nga ky veprim nuk besoj se do të ndikohen qytetarët e Kosovës”.

Ai thotë se kjo çështje ndikon edhe në imazhin e vendit.

“Natyrisht se ky "karton i kuq" nga Washingtoni për disa figura politike në Kosovë ndikon në imazhin e vendit tonë në rrafshin ndërkombëtar ,por në anën tjetër po ashtu pozitivitetin e vet, pasi se mbi këtë bazë duhet të reflektojnë qytetarët e Kosovës për një mobilizim qytetar për të kërkuar dorëheqjen e liderëve aktual shtetëror”, shtoi Haziri.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj deri më tani ka realizuar dy vizita zyrtare në Bruksel dhe një tjetër në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat