Paralajmërohet marsi i frikshëm, pas tentimeve për shfuqizimin e Speciales

Politika

Paralajmërohet marsi i frikshëm, pas tentimeve për shfuqizimin e Speciales

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 janar 2018 Në ora: 20:32
Foto arkiv, dhuna gjatë protestave në Kosovë

Qeverisja aktuale e përbërë nga koalicioni PAN, PDK, AAK, Nisma e partitë tjera më të vogla, ndonëse u bashkuan për të rrëzuar qeverinë e kaluar, ata duket se patën edhe një qëllim tjetër. Ditë më parë ata u munduan të rrëzojnë ligjin për Gjykatën Speciale, mirëpo meqë nuk patën mbështetjen e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, qëllimi i tyre nuk u realizua.

Kjo qeverisje deri më tani përveç që dështoi në shfuqizimin e Gjykatës Speciale, dështoi edhe në premtimet tjera për demarkacionin, ushtrinë e liberalizimin e vizave. Asnjëra nga këto çështje nuk u zgjidh, madje të njëjtat vetëm se po e bllokojnë njëra tjetrën.

Për më tepër, kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale,  u kritikua nga miqtë ndërkombëtarë, të cilët thanë se Kosova po e rrezikon të ardhmen e saj dhe po rrezikon të izolohet.

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë për gazetën “Bota sot” se bashkimi i këtyre partive për të formuar qeverinë nuk ishte pa sherr, madje e vërteta po del në pah çdo ditë.

“Bashkimi i PAN definitivisht nuk ka qenë pa sherr, dhe këto sherre po dalin në dritë çdo ditë. Marrëdhënia e Kosovës me miqtë tonë ndërkombëtarë është larg më e rëndësishme se secili nga ne veç e veç. Veprimet e fundit të treshes shtet-shkatërruese rrezikojnë të arriturat e deritanishme, por edhe ardhmërinë e të gjithëve së bashku. Prandaj, gjithsecili nga ne duhet të vetëdijesohet dhe të marrë përgjegjësinë aty ku ndodhet e që mos të lejojmë që kjo të ndodhë”, thotë Gecaj.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi thotë se Kuvendi i ka fajet për ligjin aktual për Gjykatën Speciale, që e votua si të tillë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova e ka miratuar ligjin e tillë dhe mirë kishte me qenë që të bëhet plotësimi i këtij ligji me nenet ku të gjitha krimet do të hetohen nga kjo gjykatë. Përndryshe, fusha e veprimit të kësaj gjykate, sikundër është, vetëm ndaj UÇK është gjykatë e karakterit racist”, thotë Kelmendi.

Ai thotë më tutje se është mirë të zgjerohen kompetecat, është mirë të bisedohet me miqtë strategjike dhe të nxirret një qëndrim i drejtë dhe juridikisht i mbështetur në të drejtën ndërkombëtare.

“Krimi është krim dhe ai nuk ka komb. Pra, vetëm shqiptarët. Në Kosovë krime kanë kryer në përmasa të gjëra serbët dhe qeveria serbe. Këta duhet të dënohen, sikundër edhe çdo kush tjetër që ka kryer krime. Karakteri një nacional i kësaj gjykate është i papranueshëm për Kosovën”, ka theksuar ai.

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti thotë se kërkesa për shfuqizim të ligjit për Gjykatën Speciale është kërkesë personale e Thaçit, Veselit dhe Ramushit.

“Pasi këta pritet të arrestohen, ndërsa Ramushit pritet t'i arrestohet vëllau, Dauti. Tani që iu ka hyrë frika në palcë po bëjnë çdo manovër për të shpëtuar veten, prandaj edhe janë bashkuar për të pamundësuar që drejtësia të vihet në vend. Ramushi po përdoret nga Thaçi dhe Veseli për interesa të tyre, të cilët po e viktimizojnë Ramushin për të mbrojtur veten. Po del në pah fytyra e vërtetë e kësaj treshe famëkeqe, e cila dikur sabotoi luftën, tani paqen. Kjo treshe do i sjell vendit marsin e frikshëm e të përgjakshëm, i cili nuk i duhet vendit. Kjo treshe famëkeqe nuk largohet nga skena pa gjak, pasi kështu edhe erdhën në pushtet. Rreziku më i madh Kosovës i vjen nga kjo treshe. Gjykata Speciale është e domosdoshme për Kosovën, pasi i hap vendit dritën jeshile për të ecur tutje, e klientuar nga bandat që i kanë vënë lakun në fyt”, thotë analisti Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat