“Ata që kanë frikë nga Gjykata Speciale, janë të veshur me pushtet ekzekutiv e legjislativ”

Politika

“Ata që kanë frikë nga Gjykata Speciale, janë të veshur me pushtet ekzekutiv e legjislativ”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 janar 2018 Në ora: 21:50
Selia e Gjykatës Speciale

Një delegacion i përbërë nga i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin, po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Dy emisarët sot janë takuar me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Nga asnjëra prej takimeve nuk është bërë e ditur se për çka është diskutuar në takim, ndërsa që në komunikatën e Ambasadës Gjermane në Prishtinë thuhet se arsyeja e vizitës së tyre në Kosovë është përpjekja e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar.

“Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar. Tema të tjera për t’u diskutuar përfshijnë domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin për media.

Por, sa e shton rrezikun e një tentimi tjetër për shfuqizim të Speciales, vizita e dy emisarëve?

Lidhur me këtë, njohësi i zhvillimeve politike Rexhep Shahu thotë se nuk do të besojë që frikacakët e Speciales, që kanë pushtet të shkojnë tek kjo aventurë.

Image
Rexhep Shahu

“Gjithçka mund të ndodhë, por dua ta besoj se frikacakët, ata që kanë frikë nga Gjykata Speciale, që janë të veshur me pushtet ekzekutiv e legjislativ, nuk do të shkojnë deri tek kjo aventurë. E para e një aventure të tillë, ata do të flakeshin nga politika dhe do të mbeteshin edhe pa pushtet edhe të damkosur në historinë e turpit e të frikës. Shtetet që kanë ndihmuar Amerikën për Kosovën, për ta bërë siç është Kosova shtet i pavarur pa Serbinë brenda saj, jo nën pushtetin e Serbisë, janë të interesuara për investimin e tyre politiko-ushtarak”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, shtetet e fuqishme që e kanë bërë Kosovën, duan që kjo gjykatë të hetojë politikanët frikacakë dhe për këtë vijnë edhe delegacionet në Kosovë.

“Presioni e përplasja e miqve dhe armiqve të Kosovës, bën që në këtë fushë të luajnë pushtetarët e deputetët frikacakë të Kosovës. Bash për këtë dua të besoj se shtetet e fuqishme që kanë bërë Kosovën, ta nxisin Gjykatën dhe kjo gjykatë të gjykojë politikanët frikacakë të Kosovës që thirren në emër të Kosovës por kanë hallin e tyre personal. Qytetarëve të Kosovës u intereson të hetohet çdo i dyshuar për krime, të gjykohet cilido. Besoj se delegacionet e vendeve të fuqishme vijnë në Kosovë me këtë qëllim”, është shprehur Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat