Kush fshihet prapa shfuqizimit të Gjykatës Speciale, cila është frika e vërtetë?!

Politika

Kush fshihet prapa shfuqizimit të Gjykatës Speciale, cila është frika e vërtetë?!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 janar 2018 Në ora: 11:06
Gjykata Speciale

Kanë kaluar më shumë se dy vite që kur Kuvendi i Kosovës votoi pro themelimit të Gjykatës Speciale. Përkundër që kaluan kaq vite, ende nuk janë ngritur aktakuzat e para që pritet t’i trajtoj kjo Gjykatë.

Si shkak i vonesës së madhe, ka bërë që disa deputetë të kërkojnë edhe shfuqizimin e saj. Janë plotë 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës që më 22 dhjetor të vitit të kaluar kërkuan seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale.

Edhe pse liderët institucionalë janë paralajmëruar vazhdimisht për pasojat që do t’i vinë Kosovës, ata ende nuk kanë hequr dorë nga shfuqizimi i saj, gjë që u pa edhe gjatë ditës së djeshme, ku u tentua edhe njëherë të mblidhet kryesia e Kuvendit, por që dështoi në mungesë të kuorumit.

Por, kush në të vërtetë fshihet prapa shfuqizimit të Gjykatës Speciale. A është frika e vërtetë zbardhja e vrasjeve të pasluftës, kur dihet që kjo gjykatë do të hetojë edhe ato.

Deputetët opozitarë thonë se Kosova nuk ka kohë për të humbur për shkak të frikave personale. Kurse, sipas juristeve, shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale po kërkohet nga ata të cilët kanë qenë pro kësaj gjykate, e që tani kanë informata se janë shënjestër e saj.

Gaxherri: Kosova nuk ka kohë për të humbur

Image
Besa Gaxherri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri për “Bota sot” që thotë se Kosova nuk ka kohë për të humbur për frikat personale të disa individëve.

“Pa marrë parasysh historinë e kësaj Gjykate, çdo krim donë drejtësi. Në cilën çdo Gjykatë që ndahet drejtësia është e pranueshme më shumë se sa tolerohen padrejtësitë që ka ndodhur në Kosovë me vite të tëra dhe për këtë jemi dëshmitarë sot gjithë populli. Prandaj, nuk kemi kohë për të humbur si shtet për frikat personale të askujt”, ka thënë Gaxheri.

Sipas saj, çdo krim për çdo vrasje duhet pasur dëshmi, duke shtuar se deri më tani çka dimë është se liderët janë të njoftuar se mund të jenë edhe urdhërdhënës.

“Ne nuk mund të bëjmë me gisht për emrat sepse çdo krim për çdo vrasje duhet për të pasur dëshmi, por çka dimë ne është se liderët janë të njoftuar se mund të jenë edhe urdhërdhënës dhe tani koha ka ardhur që definitivisht të zbardhën të gjitha vrasjet. Askush në botë nuk del për të vrarë një veprimtarë të një vendi, siç është rasti në Kosovë. Të gjitha ata njerëz të vrarë kanë qenë të ndershëm e intelektual të cilët nuk kanë pasur asnjë problem, vetëm se problemi i tyre ka qenë ideologjia dhe puna që ata kanë bërë për atdheun. Kujt i ka penguar kjo çështje duhet të zbardhet nga drejtësia, ne për këtë kemi folur me vite të tëra, por këtë gjë nuk mund ta zgjidhim ne, pasi që drejtësia në vend është e kapur nga këta lider të cilët sot e udhëheqin Kosovën”, u shpreh ajo për gazetën “Bota sot”.

Gaxherri krejt në fund ka shtuar se nuk ka kthim prapa.

“Kushdo që mundohet të krijoi mjegull në këtë vend nuk shkon më tutje. Çdo krim duhet të zbardhet. Ata njerëz të cilët kanë bërë vepra të tilla nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve, ata duhet të përballen me drejtësinë sepse kështu më nuk durohet”, ka perënduar ajo.

“Duhet një kohë që të krijohet një sistem efektiv ligjor”

Image
Ali Lajqi

Por, Ali Lajqi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, aktualisht subjekti më i madh opozitar, e cila në vitin 2015 pati kundërshtuar dhe votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale, në një prononcim për “Bota sot” ka theksuar se duhet kohë që të krijohet një sistem efektiv ligjor për të gjitha krimet e bëra në Kosovë.

”Duhet një kohë që të krijohet një sistem efektiv ligjor brenda Kosovës, për të gjitha krimet e bëra. Në këtë rast Gjykata Speciale, sipas mendimit tim, duhet kundërshtuar dhe është kundërshtuar më kohë, e jo tani. Kjo është kundërshtuar më të drejt, për arsye se e bartë sovranitetin e Republikës së Kosovës në sistemin e drejtësisë jashtë vendit, që në një mënyrë, pra me këtë bartet edhe sovraniteti i vendit, madje bëhet e njëanshme”, potencoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Lajqit, krimet e bëra duhet të zbardhen një herë e përgjithmonë. Derisa, i pyetur se a mund të jenë të përfshirë edhe politikanët në vrasjet pasluftës. Ali Lajqi tha se nuk mund të flas në mënyrë hipotetike.

“Ky kapitull duhet të zbardhet, gjithçka që ka ndodhur duhet të zbardhet dhe të kalohet, dhe Kosova të jetë e mundshme për të parë një sistem edhe me efektiv. Këto janë çështje të çilat nuk mund të konstatojmë, sepse këto mund të vërtetohen vetëm përmes hetimeve të bëra. Nuk mund të flas në mënyrë hipotetike apo paushall”, u shpreh Lajqi për “Bota sot”.

“Ata sot mund të kenë informata se janë shënjestër e saj”

Image
Tomë Gashi

Ndërsa, avokati i njohur, Tomë Gashi, ka thënë se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale po kërkohet nga ata të cilët kanë qenë dikur pro kësaj gjykate, që sipas tij tash mund të kenë informata se janë shënjestër e saj.

“Shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale po kërkohet nga ata të cilët kanë qenë pro kësaj gjykate, sepse mund të jenë apo kanë informata se mund të jenë vet shënjestër e Gjykatës Speciale, apo e akuzave që mund të bëhen direkt kundër tyre. Përndryshe, zbardhja e vrasjeve politike pas luftës çdo ditë e më tepër është duke u zbehur sepse kanë kaluar shumë vite dhe do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, posaçërisht që të zbulohen ekzekutorët, ndërsa pa zbulimin e ekzekutorëve është e vështirë që të zbulohen urdhërdhënësit apo ata të cilët kanë organizuar vrasjet, për të cilat tani më dihet se jo shumica, kanë qenë anëtarë apo zyrtarë të LDK-së”, është shprehur avokati.

“Politikanë të përfshirë në vrasje”

Kurse lidhur me atë se a janë të përfshirë edhe politikanët në vrasjet e pasluftës, Gashi është shprehur se me siguri në këto vrasje janë të përfshirë edhe politikanët, dhe për këtë arsye edhe cilësohen si vrasje politike.

“Më siguri që politikanët janë të përfshirë në këto raste, se pa përfshirjen e politikës nuk mund të quhen vrasje politike dhe ato vrasje sigurisht janë menduar nga eksponentët politik. Ndërsa, kush i ka realizuar, kjo është çështje që do të duhej prokuroria dhe policia të vijnë me rezultate konkrete. Mirëpo, deri më tani nuk kemi pasur as vullnet politik për zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës edhe pse partia prej të cilës kanë qenë të gjitha viktimat ka qenë thuajse gjithmonë në pushtet së bashku me partitë tjera, posaçërisht me PDK-në, por nuk është vërejtur ndonjë angazhim i posaçëm që të krijohen kushtet për zbardhjen e vrasjeve politike, ngase partitë politike dhe Qeveria duhet t’i krijojnë kushte dhe duhet të ketë vullnet politik që prokuroria dhe policia të merren me këto raste”, ka thënë Gashi.

Gashi thekson se ka mundur bëhet një njësi e veçantë e Policisë së Kosovës me prokurorë të specializuar për të hetuar këto krime.

“Ka mundur të bëhet një njësi e veçantë e Policisë së Kosovës, një njësi me hetues të veçantë, me hetues të specializuar dhe me prokurorë të specializuar , që të jenë të specializuar për hetimin e personave përgjegjës për vrasjet politike në Kosovë, por me mungesë të vullnetit politikë nuk është bërë dhe nuk besoj që do të bëhet as në të ardhmen”, ka përfunduar Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat