Jashari flet për ofendimin e Haradinajt ndaj ambasadorit amerikan: Delawie duhet të korrigjohet - Bota Sot
Jashari flet për ofendimin e Haradinajt ndaj ambasadorit amerikan: Delawie duhet të korrigjohet

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Jashari flet për ofendimin e Haradinajt ndaj ambasadorit amerikan: Delawie duhet të korrigjohet

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 18 janar 2018 Në ora: 16:44
Xhavit Jashari

Paralajmërimi i ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie, se ata që tentuan të shfuqizonin Ligjin për Gjykatën Speciale, do të përballen me pasoja specifike, nuk u ka pëlqyer Shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ambasadori amerikan, duke folur rreth asaj se pse Kosova ka krijuar Gjykatën Speciale, ka thënë se kjo është bërë për të bërë drejtësinë ndaj individëve që janë akuzuar se kanë kryer krime kundër individëve të tjerë, gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri.

“Pse Kosova e ka krijuar Gjykatën Speciale?  Kosova e ka bërë këtë për të bërë drejtësinë ndaj individëve që janë akuzuar se kanë kryer krime kundër individëve të tjerë gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri.  Gjykata Speciale nuk është për drejtësi për shtete, ushtri ose grupe etnike; ka të bëjë me drejtësinë për viktimat individuale. Kosova ka luftuar në vitin 1999 dhe ne kemi qëndruar krah jush.  Kemi qëndruar me viktimat; kemi qëndruar përkrah drejtësisë.  Askush nuk do të mundet ndonjëherë t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e mizorive të Republikës Federale të Jugosllavisë.  Por, realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve për të cilat duhet të japin llogari.  E pikërisht për këtë gjë është Gjykata Speciale”, ka thënë gjatë ditës së djeshme Delawie.

Ndaj këtyre deklaratave të tij, ka reaguar nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili e ka quajtur ambasadorin amerikan “palaço”.

Ai madje për Kosovapress ka thënë se nëse Delawie ka fakte për këto që i ka thënë, le të paraqitet si dëshmitar në Gjykatë.

“Delawie më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka. Delawie nëse ka prova për komandantët që kanë bërë krime, le të urdhëron si dëshmitar. Nuk është Delawie i plotfuqishëm që të flas çfarë të do ai. Delawie më së pari nuk e përcakton dhe nuk mund të sillet në Parlamentin e Kosovës, sikur janë sjellë ushtarët e tij në kampin e Guantenamos. Prandaj, Delawie të jetë shumë i kujdesshëm çka fol. Ka thanë se për ata që kanë iniciuar shfuqizimin e Gjykatës do të merren masa. Unë po i them Delawies se t’i nuk mund të marrësh masa asnjëherë, ti e ke të drejtën e diplomatit. Diplomatët te na shkojnë e vijnë për çdo ditë, e kryejnë detyrën prej diplomatit dhe mos t’i kalojë kompetencat e tij”, ka deklaruar Haradinaj.

E Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, duke komentuar në lidhje me këtë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk mund të flet në emër të Haradinajt.

Mirëpo, sipas tij, pavarësisht ndihmës së Amerikës ndaj Kosovës, në momentet kur luftohej për jetë a vdekje, Gjykata Speciale, është krijuar njëanshëm dhe ka qëllimin që të njollos luftën e UÇK-së.

“Nuk mund të flas në emër të të tjerëve, por nëse kërkohet qëndrimi im dhe i Shoqatës së Familjes së Dëshmorëve, të cilën e përfaqësoj, mendoj se Amerika është shtet mik i yni, sepse ajo në kohën më të vështirë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës bënte përpjekje për liri a vdekje, u gjend në krah të luftës së UÇK-së. Mirëpo, mendoj se me qëndrimet po tentohet që politikisht të njolloset lufta e UÇK-së dhe të krijohen gjykata të njëanshme, ku me këtë rast iu është dhënë mundësia që të krijohet Gjykata Speciale, vetëm për luftën e UÇK-së, kjo gjykatë u krijua në mënyrë politike”, është shprehur ai.

Por, edhe ai ka thënë se ambasadori amerikan duhet të korrigjohet, sepse sipas Jasharit ai dhe të tjerët e din se kush ka bërë krime në Kosovë.

Ai ka konfirmuar se ata janë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se ajo suprimon drejtësinë në Kosovë dhe shkel kushtetutshmërinë e vendit.

“Mendoj se ambasadori me qëndrimet e tij duhet të korrigjohet, sepse dhe edhe ambasadori, edhe të gjithë të tjerët e din se kush ka bërë krime në Kosovë dhe ne pavarësisht qëndrimeve të tyre, qëndrojmë në të drejtën tonë dhe mendoj se gjykata special duhet të shfuqizohet sepse suprimon drejtësinë në Kosovë dhe gjithsesi shkel kushtetutshmërinë e vendit sepse Kosova është shtet multietnik, demokratik dhe kështu thuhet edhe në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Andaj, mendoj se është e pakuptimtë nëse një ambasador del pro krijimit të një gjykate dhe unë dyshoj se këto janë vetëm deklarata të tij politike”, ka shtuar Jashari.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test