Lidhjet me kreun e bandës në Veri, Haradinaj i padenjë për të qenë Kryeministër

Politika

Lidhjet me kreun e bandës në Veri, Haradinaj i padenjë për të qenë Kryeministër

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 21 janar 2018 Në ora: 19:46
Ramush Haradinaj

“Kryeministri Haradinaj nuk do të duhej të takohej me personat e nëntokës në asnjë rast, sepse ai tani nuk përfaqëson vetëm personin e tij fizik, por përfaqëson popullin e Kosovës dhe si i tillë nuk i falen gabimet e tilla”, ka thënë për “Bota sot”, anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Akuza që ish-deputetja serbe, Rada Trajkoviq i bën Milan Radojiçiq se ai qëndron prapa vrasjes së Oliver Ivanoviçit ka ngritur në pikëpyetje edhe legjitimitetin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të ndenjur ende në krye të Qeverisë.

Kjo për faktin se Haradinaj, në muajin tetor të vitit të kaluar pati mbajtur një takim me Radojiçiq në njërën nga lokalet në kryeqytet për të siguruar nga ai votat e Listës Serbe për tu bërë kryeministër.

Kurse, në një deklaratë në televizion publik, i pari qeverisë ka përmendur atë edhe si bashkëpunëtor.

“Unë punoj shumë mirë me kolegët serbë, për shembull me zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq, me ministrat Nenad Rikalo, Teodosijeviqin, punoj me kryetarin Goran Rakiq, punoj edhe me Sllavko Simiqin, punoj edhe me njerëzit nga veriu- Millan Radojçiqin për shembull, besoj që edhe ai e ka rolin e tij dhe të gjithë… “, kishte thënë Haradinaj në një intervistë televizive në RTK 2.

Avni Arifi, që është këshilltar i kryeministrit në një përgjigje me shkrim për “Bota sot”, kurse është pyetur se si i komenton kritikat ndaj shefit të tij për takim me Radojiçiq, ai ka thënë se shefi i tij nuk është fajtorë për përfaqësuesit serb që zgjedhën nga komuniteti në veri të vendit.

“Nuk i zgjedhim ne përfaqësuesit e serbëve, por serbet vet i zgjedhin. Edhe liderët tonë për shtetin serb dhe bashkëpunëtoret e tyre janë terroristë, por as ata nuk i zgjedhin njerëzit tonë. Përpjekjet e Millosheviqit në vitet 90 që nga Sejdo Bajramoviqi të bëjë lider shqiptarësh kanë pas dështuar keq. Shqiptarët nuk duhet ta ndjekin rrugën e tij të dështuar dhe duhet të bisedojnë më të gjithë serbët që kanë përkrahje tek populli i vet”, ka thënë Arifi për “Bota sot”.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat