Drejtësia selektive në rastin e ministrit Gashi, pse nuk u dënua për përdorimin e armës?

Politika

Drejtësia selektive në rastin e ministrit Gashi, pse nuk u dënua për përdorimin e armës?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 janar 2018 Në ora: 22:00
Dardan Gashi

As mocioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës Dardan Gashi, për gjuajtjen me armë në odën e Fatmir Limajt, nuk kreu punë.

Kjo pasi partia opozitare, dështoi të miratojë shkarkimin e tij, për shkak se nuk pati vota të mjaftueshme.

E dështimin e LDK-së për shkarkimin e Gashit, e ka komentuar njohësi i zhvillimeve politike Faik Krasniqi.

Ai ka thënë se përdorimi i armës, sanksionohet me ligj dhe me burgim, dhe se ligji duhet të vlejë jo vetëm për qytetarët, por edhe për politikanët.

Nëse kjo nuk bëhet, sipas tij, kemi të bëjmë me drejtësi selektive.

Image
Faik Krasniqi

“Përdorimi i armëve sipas Kodit Penal të Kosovës, sanksionohet me ligj dhe me burgim. Nëse për qytetarët e thjeshtë zbatohet ligji, e kemi me qindra rastë që përveç që janë dënuar me gjobë, janë dënuar edhe me burgim. Ligji i njëjtë duhet të vlejë edhe për politikanët, sepse në rast të mos zbatimit të ligjit edhe për politikanët, atëherë kemi të bëjmë me drejtësi selektive, praktikë që është bërë e zakonshme në Kosovë”, është shprehur Krasniqi në prononcimin për “Bota sot”.

Ai më tej ka theksuar se nëse Qeveria nuk e shkarkon Gashin, atëherë këtë duhet ta bëjë drejtësia.

Sipas Krasniqit, qytetarët kanë të drejtë të ankohen nëse dënohen për raste të tilla.

“Nëse Qeveria nuk e merr atë hap, të paktën për shkarkimin e zyrtarit të saj, atëherë duhet të veprojë drejtësia dhe presioni mediatik dhe publik, në këtë rast duhet të bëhet tek drejtësia e Kosovës, ashtu siç është në çdo vend ku funksion ligji, sepse drejtësia është organ I pavarur. Përndryshe, edhe qytetarët e thjeshtë, kanë të drejtë të ankohen në rast se dënohen për raste të tilla”, ka shtuar Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat