Kryeministri i izoluar!

Politika

Kryeministri i izoluar!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 27 janar 2018 Në ora: 15:05
Ramush Haradinaj

Kryeministri aktual i vendit, Ramush Haradinaj, që nga ardhja e tij në pushtet nuk ka treguar ndonjë zhvillim në të mirë të vendit.

Përveç që qytetarë kanë mbetur të izoluar, i izoluar ka mbetur edhe kreu i qeverisë së Kosovës. Haradinaj, deri më tani nuk ka pasur takime me asnjë homolog të tij nga shtetet e fuqishme në Evropë. Ai deri më tani është takuar vetëm me homologët e tij të rajonit, respektivisht me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Sigurisht se mosbashkëpunimi i Haradinajt me homologë të shteteve të fuqishme, i sjellë gjëra negative vendit e këtë e konfirmojnë edhe politikanë dhe analistë politikë.

“Bota sot” ka provuar të kontaktojë Qeverinë e Kosovës dhe me deputetë që janë në koalicionin qeverisës lidhur me këtë, por nuk ka arritur të marrë përgjigje rreth kësaj çështje.

Ndërsa, nga pozita thonë se Haradinaj, përveç vetes po izolon edhe qytetarët e Kosovës.

Të gjithë drejtë izolimit

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, duke folur për “Bota sot” për këtë çështje, tha se ky koalicion qeverisës në krye me Haradinajn, nuk po e izolon vetëm kryeministrin, por edhe popullin e Kosovës.

“Kryeministri i ri që nga fillimi nuk ka shpreh interes fare për “çështjet e mëdha”, të cilat i kishte premtuar gjatë fushatës, por duket se prioritet e ka akomodimin e interesave parciale. Kjo qeveri dhe ky koalicion duket se do të na dërgojnë të gjithëve drejt izolimit, jo vetëm veten e tyre”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Kurse, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, duke folur për “Bota sot” rreth kësaj çështje, është shprehur se refuzimi i vizës për Haradinajn po izolon të gjithë, jo vetëm atë.

Image
Ismajl Kurteshi

“Refuzimi i vizës nga SHBA-të për kryeministrin Ramush Haradinaj, flet për një izolim të tërësishëm të tij ose për një përpjekje për të penguar lëvizjen e lirë të tij, e që mendoj se për Kosovën nuk është një gjë e mirë. Nuk e di sa a ka pasur iniciativa nga Haradinaj që të takohet me homolog të tij, por definitivisht kjo shkon në dëm të shtetit tonë, pasi po izolohemi të gjithë, jo vetëm ai”, deklaroi Kurteshi.

Kryeministri i gabuar

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Jeton Kelmendi, theksoi për “Bota sot”, se mos takimi i Haradinajt me homologët e tij, po japin mesazhe Kosovës nga vendet e QUINT-it se keni zgjedhur kryeministrin e gabuar dhe njëri ndër mesazhet më me peshë për Haradinajn, është refuzimi i vizës nga SHBA-të.

Image
Jeton Kelmendi

“Izolimi apo mos takimi me lider e personalitete politike ndërkombëtare, tregon se ky njeri nuk po merret seriozisht, dhe qarqet vendimmarrëse, po them me theks te veçantë, SHBA-të dhe vendet e QUINT-it, po i japin mesazh të qartë Kosovës që keni zgjedhur njeriun e gabuar në krye të qeverisë, aq më tepër se është i pabindur me kauzat e tij të cilat nuk përputhen me qëndrimet e vendeve të QUINT-it. Ndërkaq mesazhi kryesore ka qenë refuzimi i vizës nga Amerika, pra këto thjesht janë mesazhe për popullin e Kosovës që të ndërrohet lidershipi, të ndërrohet kreu i qeverisë, të largohen njerëzit që janë të involvuar në afera të ndryshme, pra, njeriu që kryeson këto afera po duket që është vet Haradinaj”, theksoi Kelmendi.

Ai shtoi se ardhja e Haradianajt në qeveri, ka qenë aksidentale, për arsye se Veseli hoqi dorë nga kandidimi për kryeministër për shkak të panikut nga Gjykata Speciale.

 “Mendoj se faktori politik ndërkombëtar që nga ardhja e tij në krye të qeverisë, e ka izoluar kryeministrin Haradinaj, në fakt edhe ardhja e tij ka qenë aksidentale , ku nga paniku i Gjykatës Speciale, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, nga ajo panik u detyrua të heq dorë nga posti i shumë lakmuar i kryeministrit dhe t’ia lë Haradinajt, në mënyrë që të bëhet ndonjë tollovi dhe sado pak të kalkulohet apo të bëhen pazaret që të shpëtojnë nga Gjykata Speciale”, përfundoi Kelmendi.

“Haradinaj në listë të zezë diplomatike”

Image
Lirim Zorra

Edhe analisti politik, Lirim Zorra, mendon se refuzimi i vizës për Ramush Haradinaj nga Amerika, tregon se Haradinaj është futur në një listë të zezë diplomatike të vizitave jashtë vendit dhe sipas Zorrajt, ky është një paralajmërim që çështjet e mëdha duhet të kryhen në koordinim me faktorin ndërkombëtarë.

“Qe nga refuzimi i marrjes se vizës nga ambasada amerikane, shohim qe kryeministri ka hyrë në një listë të zezë diplomatike të vizitave jashtë vendit dhe ardhjes së niveleve të larta politike nga vendet e tjera të botës, kjo mund të lidhet me aprovimin nga ana e kryeministrit për shfuqizim të Gjykatës Speciale padyshim është ndër rastet unike në botë kur një kryeministrit nuk i jepet viza dhe nuk bënë vizita në vendet tjera andaj pa u sqaruar situata me procedimin e Gjykatës Speciale në Kuvend padyshim nuk pritet ndonjë vizitë jashtë shtetit e kryeministrit Haradinaj. Kjo është vetëm paralajmërim për të që obligimet e marra nuk mund te ç’bëhen dhe duhet koordinim me faktorin ndërkombëtar për çështjet e ndjeshme”, është shprehur Zorra për “Bota sot”.

Skandalet e qeverisë

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, opinionisti politik, Blerim Burjani, duke i përmendur disa skandale të qeverisë, mendon se këto skandale po ia mbyllin derën për në BE dhe SHBA.

“ Kjo qeveri është mirë sa më parë të prishet që të shpëtoj shteti prej skandaleve tjera të radhës , skandali i rritjes së pagave në mënyrë të paligjshme, në vend që ta bëjë këtë kuvendi që e ka kompetence e bënë vet ekzekutivi ,skandali me gjykatën speciale dhe skandali me demarkacionin , deri tash tre skandale , kjo qeveri plotësisht do të izolohet dhe zyrtarët e saj zhvatës , kësaj qeverie pritet të ia mbyllin dyert edhe BE-së edhe SHBA-së të mos mund të lëvizin prej Prishtine veç deri ne Keqekollë, kështu është sjelle kjo pune , e kësaj qeverie të papërgjegjshme”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat