Çfarë do të ndodhë me Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale?

Politika

Çfarë do të ndodhë me Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 janar 2018 Në ora: 14:46
Foto ilustrim "Bota sot"

As në seancën e 25 janarit në Kuvendin e Kosovës, nuk hyri në rend dite miratimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Para deputetëve nuk erdhi marrëveshja të cilën ndonëse e ka proceduar në Kuvend, nuk e përkrah Kryeministri Ramush Haradinaj. Për deputetët e opozitës dhe njohësit e çështjeve politike, është paradoksale që Kryeministri të jetë sponzorizues i një ligji dhe në të njëjtën kohë të jetë kundër tij.

Qeveria e Kosovës duhet të gjej një zgjidhje për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sepse qytetarët e saj nuk e meritojnë të mbesin edhe me tutje të izoluar. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike dhe profile të ndryshme nga subjekte politike ku sipas tyre, demarkacioni shërbeu si karrem për Ramush Haradinaj për të ardhur në pushtet, të cilin më pas e ktheu në “pronë private”.

Image
Shqipe Pantina

Opozita kërkon zgjidhje

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, duke folur rreth asaj se a është praktikë që sponzorusi i ligjit, të jetë edhe kundër të njëjtit ligj dhe se si vlerësohet qëndrimi i kësaj Qeverie për demarkacion, ka thënë se Qeveria si sponzorizuese e shumicës së ligjeve ka të drejtë në çdo kohë të tërheq një propozim ligj, ashtu si edhe çdo propozues tjetër, në rast se vlerësohet se ai propozim ligj nuk duhet të kalojë në Kuvend.

“Qeveria duhet të vij me një zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi sepse qytetarët e vendit nuk e meritojnë të mbesin edhe me tutje të izoluar dhe për këtë izolim përgjegjëse është edhe kjo qeveri e tanishme por edhe ato para saj”, është shprehur deputetja Pantina.

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik  Faton Mehmeti ka thënë për “ Bota sot” se është ‘non sens’ që sponzoruesi i një ligji të bëjë thirrje për mos u votuar i njëjti, pasi kjo të jep të drejtë të quash këtë Qeveri "jo normale".

Sipas tij, kjo qeveri nuk ka interes hallin e qytetarëve që mbesin të izoluar për pasurimin e oligarkëve të saj, prandaj sinjalet negative për vendin tonë po vijnë duke u shtuar.

“Demarkacioni shërbeu si karrem për Ramushin për të ardhur në pushtet, të cilin e ka kthyer në pronë private. Andaj besoj se hipokrizia e Ramushit ka dalë në sipërfaqe. Demarkacioni e solli në pushtet Ramushin, por Gjykata Speciale do e rrëzojë nga pushteti. Andaj mendoj se karriera politike e Ramushit ka përfunduar. Gjithsesi, mendoj se duhet organizuar protesta nga qytetarët që t'i jepet fund demarkacionit, pasi s’mund të mbesim peng i saj dhe kapriçove të politikanëve”, ka thënë Mehmeti.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: I takon deputetëve të vendosin mbi bazën e projekteve të sponzoruara

Njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë se projektligji i sponzoruar nga Qeveria Mustafa, nuk është në të njëjtën kohë edhe i kësaj Qeverie.

“Madje kjo Qeveri e sponzorojë këtë projekt me Raportin e ish deputetit të LDK-së Shpejtim Bulliqit dhe tash i takon Kuvendit të vendosi. Kuptohet se ligjet ndryshohen  dhe ka mundësi që një ligj i votuar të ndryshon pas ca muajve. Është punë që bëhet dhe lejohet sepse demarkacioni është një çështje shumë konfliktuoze. Është kërkuar nga Qeveria e kaluar vijë e re kufitare. Kjo nuk është normale, pasi në pyetje ka qenë tërheqja e vijës kufitare administrative në vijë shtetërore. Këtu ka kundërthënie dhe i takon deputetëve të vendosin mbi bazën e projekteve të sponzoruara”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Kelmendi.

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani nuk beson se kjo është lojë e pakuptimtë kur Kuvendi kthen ligjin sponsorizuesit dhe kërkon sërish mendim prej qeverisë.

Sipas tij, kjo nuk ka aspak kuptim sepse çështja është se kjo temë është për kuvend e jo më për Qeveri.

“E gjithë kjo thjesht është blerje kohe andaj dhe ka nxit panik tek disa lider politik dhe deputet, duke pasur parasysh se presioni ndërkombëtar po rritet mbi Kosovën. Kjo Qeveri mund të bie shumë lehtë për shkak Gjykatës Speciale dhe po ashtu demarkacioni është temë e vështirë që të zgjidhet nga kjo Qeveri. Kosova do të vazhdojë të mbetet e izoluar, sepse nuk ka asnjë lëvizje për zgjidhje, sepse kjo qeveri mund të bie lehtë deri në muajin maj. Pra për këto çështje nuk shoh zgjidhje, pasi më parë duhet të bie kjo Qeveri, dhe eventualisht në muajin maj mund të ketë zgjedhje ose në muajin qershor”, ka thënë Burjani.

Krasniqi: Ratifikimi i Demarkacionit nuk nënkupton direkt liberalizimin e vizave

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa politologu Faik Krasniqi ka thënë se kryeministri Haradinaj është tejet i bindur se marrëveshja e vjetër e komisionit të Murat Mehës është me plotë gabime.

Ai mendon se edhe shkuarja në Gjykatën e Arbitrazhit pa përkrahje ndërkombëtare është një vështirësi tjetër dhe problem në vete.

“Ratifikimi i Demarkacionit megjithatë nuk nënkupton direkt liberalizimin e vizave, sepse kushti kryesor mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo çështje duhet të sillet në Kuvend dhe përfundimisht t'i jepet një epilog. Kosova ka probleme të mëdha ekonomike dhe nuk ka kohë për të humbur me tema që janë obligime shtetërore dhe ndërkombëtare, njëkohësisht edhe kushte për integrime evropiane”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ndryshe, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, pritet të vizitojë këto ditë Kosovën me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015. Këtë marrëveshje Kuvendi i Mali i Zi e ka ratifikuar, por jo edhe ai i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat