“Udhëheqësit e shtetit në garë me njëri-tjetrin”

Politika

“Udhëheqësit e shtetit në garë me njëri-tjetrin”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 janar 2018 Në ora: 16:44
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Pavarësisht kundërshtimeve që pati, Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

Në këtë komision, një pjesë e anëtarëve kritikuan, siç u shprehën, rregullimin në mënyrë të njëanshme të pagave dhe privilegjeve, duke thënë se përgjigjen për ligjin për paga duhet ta japë Ministria e Administratës Publike.

E për këtë, analisti politik Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se udhëheqësit e vendit po procedojnë ato që kanë të bëjnë me interesat e tyre, derisa shton se Kosova nuk ka buxhet për privilegje të tilla për presidentët.

“Kjo garniturë politike e cila e drejton vendin, po procedon dhe po i kalon nëpër parlament vetëm ato që kanë të bëjnë me interesat e tyre të drejtpërdrejta. Nuk mendoj se Kosova ka buxhet të krijojë privilegje të veçanta për presidentët dhe zyrtarët që nuk zgjidhen drejtpërdrejtë nga populli, por që vijnë si rezultat i kompromiseve shpeshherë të dëmshme”, është shprehur ai.

Image
Fadil Lepaja

Sipas tij, duke ngritur tema të tilla, temat e rëndësishme po lihen anash, duke humbur kështu trenin për liberalizim vizash.

“Fatkeqësisht, duke ngritur tema koti, aspak të ngutshme përpos për interesat e oligarkëve, temat e mëdha të rëndësishme për vendin po prolongohen pafundësisht, ose po kontestohen ato që tashmë janë votuar, duke humbur kështu trenin për liberalizim vizash dhe hapin në proceset integruese në BE, proces i cili tash po rifillon pas një pauze prej disa vitesh”, ka vlerësuar Lepaja.

Ai thotë se tani kemi një garë në mes të udhëheqësve të vendit, se kush po shijon më shumë privilegjet, në vend që të ketë garë për kontribut në procese integruese.

“Qytetarët e Kosovës nuk duhet të shikojnë indiferent derisa oligarkët po e mbajnë të izoluar dhe po ja rrënojnë perspektivën euro-atlantike. Fatkeqësisht, në vend të garës kush po kontribuon më shumë në proceset integruese, kemi një garë të çmendur kush do të shijojë më tepër privilegje nga buxheti i shtetit, që mbushet nga xhepat e qytetarëve”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Tani pritet që Projektligji të sillet në Kuvend për ndryshime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat