“Thaçi po bën kompromis me viktimat e krimeve serbe në Kosovë”

Politika

“Thaçi po bën kompromis me viktimat e krimeve serbe në Kosovë”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 shkurt 2018 Në ora: 15:11
Kriminelët serbë gjatë luftës në Kosovë

Publicisti Fadil Lepaja e konsideron si kompromis me viktimat e krimeve serbe, deklaratën e presidentit Thaçi dhënë për Radio Televizionin Publik të Kroacisë (HRT), i cili ka thënë se Kosova nuk e harron gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por që ai është i vendosur të ndërtoj paqe me këtë shtet.

Ai madje thotë se edhe deklarata e presidenti se Kosova do të padiste Serbinë për gjenocid para tri viteve, ka qenë për qëllime të tij personale.

Image
Fadil Lepaja

“Thaçi asnjëherë nuk e ka përnjëmend, përpos kur bëhet fjalë për pushtetin e tij personal dhe të klanit të tij. Deklaratat e tjera janë pjesë e rrëfimit të tij mediatik, që ka për synim me qenë në qendër të vëmendjes dhe me qenë më i pranueshëm se të tjerët, për çfarëdo projekti ndërkombëtarë këtu”, ka thënë Lepaja për “Bota sot”.

Hashim Thaçi, në vitin 2015 pati thënë se Kosova do të padiste shtetin serbe për krime. Por, prej atëherë nuk është marrë asnjë hap në këtë drejtim.

Publicisti Lepaja thotë se presidenti nuk ka pasur kohë për të bërë një gjë të tillë, sepse gjatë kësaj kohe ai ka punuar për t’i shantazhuar ndërkombëtarët.

“Pjesën më të madhe të kohës ai e harxhon duke komprometuar dhe duke përçarë kundërshtarët politik, dhe njëherit bashkëpunëtorët e mundshëm, sepse sapo të dobësohen kundërshtarët ata bëhen bashkëpunëtorë të mundshëm. Tash i mbetur jashtë kombinimeve partiake, ai me deklarata të tilla, përsëri ofrohet si personi më i gatshëm për kompromise, dhe në këtë rast, po bëhet kompromis me viktimat e krimeve serbe në Kosovë, dhe me gatishmërinë e tij që të amnistoj shtetin serb për to”, ka deklaruar Lepaja.

Sipas, Fondit për të Drejtën Humanitare gjatë luftës së armatosur në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsejtë 13.535 njerëz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat