Deputetja e LDK-së: Qeveria duhet të dorëhiqet, kjo është akuza për Haradinajn

Politika

Deputetja e LDK-së: Qeveria duhet të dorëhiqet, kjo është akuza për Haradinajn

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 shkurt 2018 Në ora: 15:29
Besa Gaxherri

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, as në mbledhjen e mbajtur sot, nuk ka shqyrtuar Projektligjin për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Demarkacioni është hequr nga rendi i ditës, duke u shtyrë për një seancë të radhës, por pa u definuar se kur do të bëhet kjo.

Pas mbledhjes, kryeparlamentari Kadri Veseli, ka treguar se Demarkacioni është shtyrë derisa për çështjen e kufirit me Malin e Zi të ketë konsensus politik.

“Kërkova nga kryesia që kjo të bëhet në një moment më të përshtatshëm”, ka thënë Veseli.

Ai ka treguar që ky vendim është marrë në unanimitet, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë refuzuar që çështja e Demarkacionit të shtyhet, duke kërkuar që kjo të dalë në votim sa më parë.

Por, me vendimin e Kryesisë, nuk është pajtuar LDK-ja, sipas së cilës është për keqardhje që nuk po adresohen temat e rëndësishme nga Qeveria.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se nuk mund të vazhdohet kështu, duke theksuar se koalicioni është shpartalluar tërësisht për çështje të mëdha.

“Tri vjet po bëhen, që kjo temë po sillet poshtë e lart, në pamundësi për t’u adresuar nga spektri politik. Ky koalicion është themeluar për të marrë këtë vendim, për të marrë vendime të mëdha. Shihet qartë që këta janë të shpartalluar plotësisht në këto vendime. Unë besoj që kështu nuk mund të vazhdohet më tutje. Vendit i du het një qeveri e re, që mund të adresojë nevojat e qytetarëve dhe vendimet që janë kapitale për të ardhmen e vendit”, ka thënë Hoti.

E duke komentuar vendimin e sotëm të koalicionit Qeverisës për shtyrje të shqyrtimit të Demarkacionit, deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, ka thënë se PANA-Lista serbe nuk i ka numrat për miratimin e kësaj çështje.

Ajo në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka akuzuar koalicionin qeverisës, se nuk ka bërë asgjë për çështjen e Demarkacionit.

Sipas saj, nëse Qeveria nuk dëshmon unitet përmes 61 votave, ajo duhet të dorëhiqet.

“Po nuk ka asgjë të re, këta nuk i kanë numrat, pasi koalicioni i tyre është me 61 deputetë, e faktikisht kjo marrëveshje nuk kalon as me 61 deputetë, por duhet me i pas 80, ndërsa këta nuk i kanë.  Këta nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, këta duhet të shohin me partitë e veta nëse i kanë 61 vota për ose kundër. Në qoftë se nuk i kanë 61 vota, këta duhet të japin dorëheqje, duhet të shkojnë, sepse Kosova nuk pret”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Gaxherri ka akuzuar kryeministrin Ramush Haradinaj, për mospërmbushje të premtimit për liberalizimin e vizave.

“Ai pati premtuar se do të liberalizojë vizat për tre muaj, e jemi dëshmitarë se ka filluar muaji i pestë. Unë nuk po befasohem që këta e kanë shtyrë edhe sot Demarkacionin dhe që e kanë hequr nga rendi i ditës, se demarkacioni duhet të sillet në Kuvend, mirëpo paraprakisht duhet të shohë koalicioni nëse i ka 61 vota, për ose kundër, është çështje e tyre, nëse duan të tregojnë unitetin e koalicionit”, ka thënë më tutje Besa Gaxherri.

Ajo ka theksuar se koalicioni qeverisës duhet të zhbllokojë vet këtë proces, pasi sipas saj, as opozita nuk i ka 61 vota për të nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

“Në qoftë se këta nuk munden t’i bëjnë 61 numra, atëherë duhet të japin dorëheqje, sepse as ne nuk i kemi 61 vota për t’i bërë mocion për ta shkarkuar këta qeverinë, por këta duhet të zhbllokojnë vet procesin”, ka shtuar për “Bota sot”, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat