Takimi i MPB-së dhe KFOR-it, eksperti i sigurisë thotë se do duhej të bisedohej për Ivanoviqin

Politika

Takimi i MPB-së dhe KFOR-it, eksperti i sigurisë thotë se do duhej të bisedohej për Ivanoviqin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 shkurt 2018 Në ora: 21:50
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ne takim me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Salvatore Cuoci

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka pritur në takim sot komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Salvatore Cuoci.

Në takimin e tyre ishte diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, e cila është vlerësuar të jetë e qetë dhe stabile.

Kjo gjendje e qetë dhe stabile, vjen pas vrasjes së liderit të iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq.

Ivanoviq është vrarë të martën e 16 janarit me katër plumba afër vendit të punës, ndërkaq eksperti i sigurisë thotë se në takimin e sotëm në mes të ministrit të Punëve të Brendshme dhe komandatit të KFOR-it është dashur të diskutohet edhe për këtë çështje.

Hajrullah Tërnava, ekspert i sigurisë ka thënë për “Bota sot” se zbardhja e rastit të Ivanoviqit duhet angazhim dhe ndihma e KFOR-it është e mirëseardhur.

Image
Hajrullah Tërnava

“Vizita e Komandantit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Salvatore Cuci me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj për sigurinë në vend është vlerësuar gjendja si e qetë dhe stabile. Në këto rrethana ishte dashur homologu në fjalë të njoftohet se deri ku kanë arritur hetimet për vrasjen e Ivanoviqit nga ana e ministrit të PB. Zbardhja e rastit të Ivanoviqit donë angazhim të gjithëve, e sidomos në këto rrethana që gjendet pjesa e veriut dhe marrëdhënieve etnike që janë për momentin në atë pjesë. Edhe ndihma e KFOR-it është e mirëseardhur, e sidomos kur e dijmë situatën e sigurisë në ato anë të veriut, kur garantues të sigurisë të kufijve janë KFOR. Në rrethanat normale ndërkufitare, sikur me Serbinë t’i kishim marrëdhëniet e mira, ndihma e tyre do të ishte shumë e nevojshme, sikur çdo kund ku krimi nuk njeh kufij”, ka pohuar Tërnava.

Përderisa hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke vazhduar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ku me rastin janë duke u marrë një prokuror shqiptar dhe një serb, nga takimi i sotëm nuk u bisedua për këtë.

Sefaj dhe Gjeneral Major Salvatore Cuoci kanë shprehur optimizmin që bashkëpunimi në mes të MPB-së dhe KFOR-it të thellohet.

Në këtë takim u bisedua edhe për format e bashkëpunimit në mënyrë që të koordinohen veprimet në bazë të përgjithësisë dhe mandatit që kanë Policia e Kosovës dhe trupat e KFOR-it në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë i premtoi mbështetje të mëtutjeshme ministrit të MPB-së në fushën e sigurisë, por dhe në proceset e tjera demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat