“Udhëheqja nga komandantët, Kosova humb liberalizmin e vizave”

Politika

“Udhëheqja nga komandantët, Kosova humb liberalizmin e vizave”

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 6 shkurt 2018 Në ora: 08:20
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Liberalizimi i vizave ka mbetur çështje e pa zgjidhur, megjithëse është bërë presion edhe nga ndërkombëtarët që ky proces të përfundoj sa më shpejtë. Ratifikimi i Demarkacionit,  lufta e krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë ndër faktorët kryesore që po e pengojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. E si duket Kosova edhe këtë vit do të mbetët pa liberalizim të vizave.

Lojërat e komandantëve

Sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, kusht kryesor nuk është demarkacioni por është luftimi i korrupsionit.

Madje ajo thekson se Qeveria e ‘komandantëve’’ nuk do ta luftojë korrupsionin sepse i bie ta luftojë vetveten.

Image
Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku

“Lojërat e fundit të komandantëve pushtetar e kanë zbehur prestigjin e shtetit në Evropën Perëndimore. Këto lojëra kanë ndikuar negativisht tek vendet mike dhe besoj që do të ndikojnë shumë edhe në liberalizimin e vizave. Demarkacioni nuk është kusht i vetëm për liberalizim, por një ndër kushtet kryesore është luftimi i korrupsionit, gjë që kjo Qeveri nuk do ta luftoj për shkak se duhet ta luftojnë vetveten. Këto lojëra po shkojnë të gjitha në kurriz të qytetarëve. Hapi për liberalizim ka humbur qysh kur është formuar kjo qeveri e interesave individuale. Deri sa të udhëhiqemi prej komandantëve nuk ka as liberalizim as përparim në çfarëdo aspekti”, shprehet deputetja e VV-së, Drita Millaku.

Dy kushtet për liberalizim

Kurse analisti politik, Blerim Burjani në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’ thotë se Kosova duhet t’i përmbush dy kushtet për të fituar liberalizimin e vizave.

“Gjasat për liberalizim nuk janë humbur por janë prolonguar dhe mund të prolongohen edhe më tutje , BE-së nuk i ngutet, ata të cilët duhet të nguten janë institucionet e Kosovës për nevojat e qytetarëve , është humbur shumë kohë, për së tepërmi, dhe kjo i ka kushtuar qytetarëve më së shumti. Kosova duhet të përmbush kriterin apo kushtin për ratifikim të kufirit me Malin e ZI, dhe duhet të ofrojë gatishmërinë me të dhëna se është duke e luftuar kriminalitetin politik, pa këto dy kushte s’ka liberalizim’’, shprehet Burjani.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

Tutje ai vlerëson se edhe Bashkimi Evropian mban një lloj përgjegjësie për vonimin e liberalizimit të vizave.

‘’Kosova duhet të zë vend në strategjinë e zgjerimit të BE-së. BE duhet të zgjidhë problemin me shtetet që se kanë njohur edhe Kosovën për arsye të pa sqaruara apo për shkak të problemeve të tyre të brendshme e që s’kanë  të bëjnë gjë me Kosovën, pra BE është e pa aftë të bind këto shtete ta përmbyllin procesin e njohjeve të shteteve në trullin e Evropës. Pa aftësia e BE në këtë drejtim po shkakton zvarritje të proceseve në agjendën e përgjithshme evropiane’’, përfundon Burjani.

Ndërsa gazeta ''Bota sot'' ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga zyra e Kryeministrit, lidhur me atë se sa është punuar për liberalizimin  vizave, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon ka thënë  se është vështirë të shënohen përparime në Bruksel sa i përket liberalizimit të vizave, nëse nuk arrihet ndonjë përparim përbrenda Kosovës. Madje ajo kishte thënë se krejt kjo çështje është në duart e politikanëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat