“Paqe me Beogradin”, Thaçi heqë dorë nga padia për gjenocid?

Politika

“Paqe me Beogradin”, Thaçi heqë dorë nga padia për gjenocid?

Nga Më 6 shkurt 2018 Në ora: 12:02
Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq

Deklaratat e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për të paditur Serbinë për krime lufte po del të kenë qenë vetëm për konsum politik. Pasi që tashmë ai vet ka deklaruar se do t’i jep prioritet normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e jo të padisë shtetin serb për krimet e luftës. Opozita dhe analistët kritikojnë Thaçin se ai zakonisht bën deklarata të mëdha politike për konsum ditor.

“Kosova do të ngritë padi ndaj Serbisë për gjenocid. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, sepse dhuna dhe spastrimi etnik ka qenë i dirigjuar drejtpërdrejt nga shteti i Serbisë në Kosovë”, kështu pati deklaruar Hashim Thaçi në një deklaratë për media, në shkurt të vitit 2015 që mbante pozitën e zëvendëskryeministrit të parë.

Për të bërë këtë, ai thoshte se duhet pritur vetëm momentin e përshtatshëm.

“Çështja e ushtrimit të gjenocidit në Kosovë nuk vjetërsohet. Prandaj në momentin që krijohen rrethanat e përshtatshme legale për Kosovën si shtet, ne do ta ngrisim këtë çështje”, pati deklaruar ai.

Por, tash Thaçi që mban pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës po e thotë pikërisht të kundërtën.

Në një intervistë të tij të fundit për Radio Televizionin Publik të Kroacisë (HRT), Presidenti është shprehur se ai është i vendosur për të arritur paqe me Beogradin, e jo për të hedhur në gjyq shtetin serb për të bëmat çnjerëzore gjatë luftës në Kosovë.

“Çdo armiqësi e re Kosovë – Serbi nënkupton stagnim për dy vendet, por edhe për rajonin, sepse raporti Kosovë – Serbi nuk nënkupton vetëm raport të dy vendeve, por ka një reflektim më të gjerë. Kosova nuk e harron gjenocidin e Serbisë që e ka kryer në Kosovë, por jemi të vendosur të ndërtojmë paqe”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Radio Televizionin Publik të Kroacisë (HRT).

Deputetët dhe analistët politikë shprehen kritik ndaj deklaratës së presidentit dhënë për televizionin kroat, pasi që sipas tyre ishte pikërisht ai që thoshte publikisht se institucionet e Kosovës duhet të padisin Serbinë për krimet e luftës.

Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të presidencës për të dhënë një qëndrimi për ndryshimin e qëndrimit të presidentit për çështjen në fjalë, por askush nuk është përgjigjur.

Opozita kritikon Thaçin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi thotë se nuk është i befasuar me deklaratat kontradiktore të kreut të shtetit.

“Nuk është hera e parë që presidenti bënë deklaratat të ngjashme për qëllime të tij personale. Unë mendoj se ai e bënte këtë për konsum ditore se ai thoshte edhe për Dick Martin se do ta padiste, por nuk ndërmori asgjë në këtë drejtim”, ka thënë deputeti Lajçi për “Bota sot”.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Ali Lajçi

Ai ka shtuar, se nuk pritet diçka e mirë nga i pari vendit që ndërron qëndrime në baza të interesave ditore.

Mendim të ngjashëm me Lajçin ka edhe kolegu i tij nga LDK-ja, Haxhi Avdyli.

“Deklaratat e Presidentit janë gjithmonë të ngutshme, të paarsyeshme në aspektin politik, sepse krimi është krim, nuk vjetrohet. Abonimi i këtij krimi nuk bëhet për pajtim, por e kundërta. Nëse e dënojmë krimin, atëherë ka mundësi pajtimi mes popujve”, ka thënë Avdyli për “Bota sot” .

Image
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli

Sipas tij, dënimi i krimit nuk duhet të mbetet peng i procesit të dialogut të Brukselit.

“Mendoj se dënimi i veprave të krimit duhet bëhet patjetër dhe ajo duhet të shërbej si pajtim mes popujve, e jo ajo siç po thotë presidenti se nuk po ta padisim Serbinë për shkak të normalizimit të marrëdhënieve. Unë mendoj se kjo është e kundërta e pajtimit”, ka shtuar Avdyli.

Beqaj: Thaçi po vuan nga amnesioni

Kritik ndaj të parit të vendit, është shprehur edhe profesori universitar, Belul Beqaj.

“Thaçi kohët e fundit po vuan nga amnesioni. Ai, po harron çfarë ka thënë dje, fjala bie, për tendencën e shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, e për deklaratat që i ka dhënë para disa vjetëve. Për gjasa se ngritjes së padive kundër gjenocidit të Serbisë apo Raportit Dik Martit, të mos flasim”, ka thënë Beqaj.

Image
Analisti Belul Beqaj

Sipas Beqajt, deklaratat e Thaçit janë shndërruar në ndotje hermeneutike.

“Deklaratat e tilla më nuk mund të trajtohen si konsum politik, më shumë, janë shndërruar në ndotje të hermeneutike ngase e kanë humbur domethënien e kuptimit të mirëfilltë semantik. Deklaratat e Thaçi, duhet ti kuptojmë më shumë si mekanizma lajthitës të cilat po i trazojnë vetëm “zogjtë e malit”, ka shtuar Beqaj.

Barani: Serbia do duhej të paditej para 15 viteve

Nga ana tjetër, Halit Barani Kryetari i KMDLNJ-së, Qendra Rajonale-Mitrovice, thotë se Serbia do duhej të paditej para 15 viteve për krimet në Kosovë.

“Sa i përket asaj se a duhet të zvarritet, jo që nuk ishte dashur të zvarrite, por është dashtë para 15 viteve të ngritët padia kundër Serbisë, të akuzohet për gjenocid pasi që edhe ka ushtruar gjenocid”, ka thënë Barani për Bota sot.

Kryetari i KMDLNJ-së, Qendra Rajonale-Mitrovice, Halit Barani thotë se gjatë luftës në Kosovë forcat serb kanë bërë rreth 400 masakra.

Image
Halit Barani Kryetari i KMDLNJ-së, Qendra Rajonale-Mitrovice

“Duke u bazuar në numrin e vrasjeve të civilëve shqiptarë, gra, burra, fëmije, persona të paralizuar, gjatë luftës së UÇK-së, ku numri arrin mbi 11 mijë”.

Barani përmend edhe zhdukjen e mbi 6 mijë personave.

“Zhdukjen e mbi 6.000 personave civil, të cilët janë pushkatuar nga ushtria, policia, paraushtaraket dhe civilët serbë të armatosur dhe pas pushkatimi u janë humbur gjurmët. Mbi 4.600 janë gjetur nëpër vende të ndryshme, varreza masive në Kosovë dhe nëpër vende të ndryshme të Serbisë”, thotë Barani për Bota sot.

Sipas tij, në Serbi shumë janë gjetur nëpër lumenj të ndryshëm dhe në rrugët e asfaltuara me qëllim që të humbin gjurmët e të pushkatuarve.

Në Kosovë u bënë rreth 400 masakra

Kreu i KMLDNJ-së për Mitrovicën përmend edhe numrin e masakrave që forcat serb kryen mbi popullatën civile në Kosovë.

“Në Kosovë ka pas rreth 400 masakra apo vrasje në masë. Masakrat më masive patën ndodhur në: Qirez e Likoshan, Izbicë, Prekaz, Reçak, Rezalle, Obri, Lubeniq, Meje dhe Korrenice, Shalë, Mitrovicë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Studime, Beleg e Izniq, Qyshk, Qyqavice, Poklek i vjeter, Pastaselle, Zhabar e në shumë vende tjera”.

Ai thotë se vetëm në Mitrovice dhe rrethine kanë ndodhur 10 masakra.

Pra, siç shihet mbi 28 masakra nëpër vende të ndryshme të Kosovës janë pushkatuar mbi 11.000 civil shqiptarë pa dallim moshe dhe gjinie, janë zhdukur mbi 6.000 civil shqiptare poashtu pa dallim moshe e gjinie, janë dhunuar rreth 20.000 femra dhe meshkuj shqiptare nga banditët kriminel çetnik serbe pra nga ushtria, policia, paraushtaraket dhe civilet serbe te armatosur.

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare jep përafërsisht të njëjtat të dhëna lidhur me vrasjet gjatë luftës në Kosovë.

Sipas këtij fondi, gjatë luftës së armatosur në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsejtë 13.535 njerëz. Shqiptarët përbëjnë 10.812, serbët 2.197, kurse romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë i përbëjnë 526 viktima.

Zyra për informim e Presidencës së Kosovës, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me padinë që nuk po ushtrohet ndaj Serbisë për krime lufte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat