Kosova mbetet pa liderë, Thaçi, Haradinaj, Veseli shkelin protokollin e shtetit

Politika

Kosova mbetet pa liderë, Thaçi, Haradinaj, Veseli shkelin protokollin e shtetit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 shkurt 2018 Në ora: 17:24
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Lutjet e Mëngjesit në Uashington do të mbahen me 9 shkurt, ku do të marrin pjesë presidenti i Kosovë Hashim Thaçi dhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Presidenca sot ka njoftuar se Presidenti Thaçi, sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Uashington dhe po ashtu do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues amerikanë dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse.

Image
Avni Arifi

Ndërsa, kryeministri do të udhëtojë nesër për në SHBA, e këtë e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi.

“Kryeministri do të jete prezent në Lutjet e Mëngjesit”, ka thënë Arifi, duke konfirmuar se presidenti dhe kryeministri nuk do të udhëtojnë bashkë.

Por, përpos dy krerëve të shtetit që do të jenë në SHBA, jashtë vendit për një vizitë zyrtare në Kroaci sot ka udhëtuar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e këtë e ka konfirmuar zyra për informim e Veselit.

Kështu, të tre krerët e shtetit do të jenë jashtë vendit nesër, duke e lënë vendin pa udhëheqës.

“Nesër pra të tre krerët nuk do të jenë në Kosovë”, ka thënë për “Bota sot Avni Arifi.

Sipas Protokollit të shtetit, kreu i IV, neni 19, paragrafi 4 parasheh që për vizita jashtë vendit, krerët e shtetit duhet të koordinohen.

Image
Adrian Gjoshi

“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në paragrafin e 4 të nenit 19.

E një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe avokati Adrian Gjoshi, i cili thotë se duhet të bashkërendohen vizitat e krerëve të shtetit jashtë vendit.

“Dalja në vizita zyrtare e gjithë krerëve kryesor të shtetit në të njëjtën kohë përbën shkelje të nenit 19 para. 4 të Ligjit për protokollin e shtetit ku parashihet se: “Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.” Zyra e Protokollit të Shtetit ka qenë dashur të jetë në nivel të detyrës dhe të mos lejoj të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Gjoshi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat