Takimi i mistershëm i Haradinajt me “zotin e veriut”, njeriun që u refuzua nga Qeveria Mustafa

Politika

Takimi i mistershëm i Haradinajt me “zotin e veriut”, njeriun që u refuzua nga Qeveria Mustafa

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 shkurt 2018 Në ora: 11:59
Ramush Haradinaj

“Na ishte thënë edhe ne gjatë Qeverisë Mustafa se ky person ishte me ndikim, por ne kemi refuzuar ta takojmë për shkak të profilit të tij shumë të dyshimtë, por edhe faktit se ai legalisht nuk përfaqëson asgjë”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe AKR kishin arritur koalicion për formimin e Qeverisë në qershor të vitit të kaluar. Por, për ta formuar Qeverinë, këtyre partive u ishte dashur të negociojnë edhe me Listën serbe, e cila është edhe kategori kushtetuese. Arritja e koalicionit me Listën serbe. Kështu, në korrik të vitit 2017, Haradinaj, u takua me Milan Radojicic-in, i cili nga disa serbë quhet si ‘Zoti i veriut’, apo i dyshuari kryesorë për krimin në veri. Këtë takim, e kishte konfirmuar Qeveria e Kosovës, të cilin ndonëse ilegal e kishte konsideruar si përfaqësues të serbëve.

Asnjëherë nuk u sqarua takimi ndërmjet Kryeministrit Ramush Haradinajt me të akuzuarin për krime në veri, Milan Radojicic në korrik të vitit 2017. Ndonëse, u tha se ishte thjeshtë një takim për një koalicion të përbashkët me Listën Serbe, sjelljet e fundit të Beogradit dhe të kësaj partie po bëjnë të dyshohet se ka pasur diçka më tepër në këtë takim.

Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë nga Qeveria nuk kanë dhënë sqarime shtesë për këtë takim të realizuar muaj më parë.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Ne e refuzuam Radojicic-in

Bajram Gecaj, ish zyrtar në Qeverinë Mustafa, duke folur për këtë takim të Haradinajt me Milan Radojicic, ka thënë se gjatë qeverisjes së tyre, nuk e kishin pranuar në takime këtë person për shkak të profilit të tij shumë të dyshimtë.

“Është e paprecedent që Kryeministri legal i Republikës së Kosovës të takohet me një njeri i cili nuk mbanë asnjë pozitë formale as në strukturat e sistemit kosovar dhe as të atij të Serbisë. Na ishte thënë edhe ne gjatë Qeverisë Mustafa se ky person ishte me ndikim, por ne kemi refuzuar ta takojmë për shkak të profilit të tij shumë të dyshimtë, por edhe faktit se ai legalisht nuk përfaqëson asgjë”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Image
Halit Barani

Barani: Ramushi ishte dashtë të jep dorëheqje menjëherë

Nga ana tjetër, kryetari i KLMDNj-së në Mitrovicë, Halit Barani thotë se ndonëse nuk e njeh këtë person, të quajtur Milan Radojicic, thotë se për të ka dëgjuar vonë.

“Për këtë person unë kam dëgjuar pas vrasjes së kryekriminelit. Unë kam të regjistruar 474 emra dhe mbiemra të atyre kriminelëve serbë, të cilët ushtruan dhunë dhe kryen krime mbi popullatën civile shqiptare në Mitrovicë e gjetiu që nga viti 1990. Për emrin, që kam dëgjuar tani nuk kam dëgjuar asnjëherë më parë”, thotë Barani.

Ai thotë më tutje, se nëse Haradinaj ka pasur takime me këtë person duhet të jap dorëheqje dhe të kërkoj falje publikisht, familjes së tij dhe popullit shqiptar.

“Nëse vërtet ka pasur takime kryeministri, Ramush Haradinaj me të e nëse është ai ashtu si po shkruhet nëpër media për atë serb, Ramushi ishte dashtë të jep dorëheqje menjëherë. Dhe të kërkoj falje publike, së pari familjes së vet e pastaj popullit (kombit shqiptar)  sepse populli e njeh ndryshe Ramushin...”, thotë Barani për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Ky Koalicion nuk mund të mbijetoj gjatë

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti thotë se koalicioni qeverisës është ndërtuar në mes të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Milan Radojicic, një kriminel të rrezikshëm në veri siç e quan ai.

“Ky koalicion është i ndërtuar në marrëveshje në mes Ramushit dhe Milan Radojicicit, një kriminel i rrezikshëm në Veri të vendit. Andaj ky Koalicion nuk mund të mbijetoj gjatë, sepse nuk përfaqëson popullin por bandat, me pak fjalë qeveria i ngjason një bande kriminale”, vlerëson ai.

Po ashtu, Mehmeti thotë se derisa një kryeministër vjen në pushtet si pasojë e pazareve me kriminelë, Haradinaj nuk ka fytyrë as një minutë të jetë kryeministër.

“Është rast i paprecedent që kryeministri i vendit është pasojë e pazareve me kriminelë, në këtë sens duhet sa më parë të largohet kjo qeveri e kriminalizuar. Ramushi përfaqëson Radojicicin dhe jo shqiptarët. Besoj se Ramushi s’ka fytyrë asnjë minutë të jetë kryeministër i Kosovës”, thekson analisti Faton Mehmeti.

Takimi

Kështu, në korrik të vitit 2017, kandidati për kryeministër të Kosovës atë kohë nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, është takuar me Milan Radojicic, njërin nga figurat më kryesore të komunitetit serb të Kosovës. Burime të mediave bënin me dije se gjatë takimit ndërmjet Haradinajt dhe Radojicic, ishte diskutuar lidhur me përfshirjen e Listës Serbe në Qeverinë e drejtuar nga Haradinaj. Palët kishin rënë dakord që serbët e Kosovës të përfshihen në Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Takimi është zhvilluar në njërin nga restorantet në kryeqytet, atë në ‘Tiffany’.

Image
Milan Radojicic

Kush është Milan Radojicic?

Milan Radojicic është i afërt i Zvonko Veselinovic, të njohur si ‘baba i urës së Ibrit’. Për Veselinovic’in është raportuar shumë, madje është thënë se ndikimi i tij politik në veri por edhe në Serbi është aq i madh, sa ai kishte vendosur për heqjen ose jo të barrikadës mbi urën e Ibrit.

Me ikjen dhe angazhimin e tij në Beograd, Zvonko i la pushtetin në veri Milan Radojicic’it, që nga disa serbë po quhet si ‘Zoti i veriut’, krejt kjo pasi në tri komunat me shumicë serbe në veri nuk mund të merret asnjë vendim pa e mbështetur bosi i dyshuar i mafisë serbe.

Për Radojicic’in u tha shumë, por vlen të sqarohet se pushteti i tij shtrihet në veri me kontrollin që ushtron ai mbi Listën Serbe. Milan Radojicic dhe disa të afërm të tij, janë parë në fushatën e LS në Leposavic, e për të cilin takim.

Me rritjen e ndikimit politik, Radojicic mori pushtet edhe në terren duke u bërë ‘zot’ i veriut që vështirë kontrollohet nga organet e sigurisë. Por, edhe ai kontroll i vogël, është menaxhuar nga Radojicic’i, pasi shefin e Stacionit Policor në veri, Zeljko Bojic’in, e ka mik të afërt. Kështu, pushteti i Radojicic’it shtrihet edhe mbi Policinë.

Radojicic nisi operacionet e tij që në zgjedhjet për president të Serbisë, ku grupi i tij bleu votat e romëve të Mitrovicës për Aleksandar Vucic’in. Më pas, ai merrte pjesë në çdo aktivitet të Listës Serbe.

Ndryshe, në një përgjigje të mëhershme, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka deklaruar se nuk mund të përzgjedhë se kush mund të jetë përfaqësuesi politik i komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Në këtë kontekst, takimet që Kryeministri i Kosovës i ka realizuar në të kaluarën dhe mund t’i realizojë në të ardhmen me përfaqësues të komuniteteve, bëhen në bazë të asaj, se kush i përfaqëson ata”, thuhej në përgjigjen e gazetës “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat