Partnerët i përgjigjen Pacollit për largimin nga Qeveria

Politika

Partnerët i përgjigjen Pacollit për largimin nga Qeveria

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 shkurt 2018 Në ora: 14:22
Behgjet Pacolli dhe Ramush Haradinaj

Demarkimi i Kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, mund të bëhet shkak për prishje të koalicionit qeverisës PDK-AAK-NISMA-Lista serbe.

Partnerët e koalicionit, po dalin me deklarata dhe qëndrime kundërthënëse për çështjen e Demarkacionit, i cili mbetet kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës dhe kryetari i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, duke folur për mundësinë e miratimit të Demarkacionit,  ka deklaruar se Qeverisë do t’i humb kuptimi nëse kjo çështje nuk zgjidhet brenda 10-15 ditëve të ardhshme.

“Nëse nuk ratifikohet Demarkacioni, dëmet do të jenë të pariparueshme. Do t’i humb kuptimi kësaj Qeverie”, ka deklaruar Pacolli në një emision televiziv, derisa ka theksuar se nëse nuk zgjidhet ky problem brenda këtij afati kohor, Kosova rrezikon të mos e marrë liberalizimin e vizave as gjatë këtij viti.

Por, partnerët e koalicionit, deklaratën e Pacollit nuk e shohin si kërcënim.

Image
Time Kadrijaj

AAK: Nuk kemi krizë në koalicionin qeverisës

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, nuk kanë dashur të komentojnë shumë për deklaratën e tij, me arsyetimin se duhet të pyetet vet kryetari i AKR-së se çfarë ka menduar me këtë “kërcënimin” e tij.

Mirëpo, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj, ka theksuar se koalicioni aktualisht po funksionon mirë dhe se nuk ka krizë qeveritare.

“Për këtë çështje është më mirë të deklarohet vet Pacolli, se nuk e dimë çka ka menduar me këtë dhe nuk është mirë që unë t’i komentojë deklaratat e kolegëve deputetë. Përndryshe, koalicioni po punon mirë dhe është shumë stabil dhe nuk ka krizë qeveritare. Ne jemi duke bashkëpunuar dhe deri më sot asnjë krizë qeveritare nuk e kemi pasur. Por, se si ka menduar, më mirë pyetni z.Pacollin”, ka pohuar deputetja e AAK-së për gazetën “Bota sot”.

Sipas Kadrijajt, AAK nuk e sheh si “kërcënim” deklaratën e Pacollit, pasi siç ka thënë ajo, koalicioni është formuar me dëshirë e jo me dhunë.

E në rast se AKR del nga koalicioni, deputetja Kadrijaj, ka pohuar se AAK do të dal publikisht të shpreh pakënaqësinë për këtë.

“Absolutisht nuk e shohim si kërcënim deklaratën e tij. Koalicioni është formuar me dëshirë dhe me vullnet, nuk ka pasur koalicion të dhunshëm me asnjë nga partnerët e koalicionit dhe po mendoj se me dëshirë edhe po vazhdon. Nëse vie deri të një moment i tillë, atëherë do të dalim publikisht që t’i shprehim pakënaqësitë, po megjithatë koalicioni po funksionon mirë dhe nuk ka asnjë rrezik që mund ta dëmtojë”, është shprehur Time Kadrijaj për “Bota sot”.

Image
Isa Xhemajlaj

Nisma: Qeveria nuk bie edhe nëse largohet AKR-ja

Edhe tek Nisma Socialdemokrate, “kërcënimin”, e Behgjet Pacollit nuk e marrin si serioz. Madje thonë se edhe në rast se AKR largohet nga koalicioni, Qeveria nuk do të bie.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri nga Nisma Socialdemokratike Isa Xhemajlaj, të dielën për gazetën “Bota sot”.

Si arsye për këtë, ai ka përmendur se AKR ka shumë “hise” në Qeveri, edhe pse ka vetëm dy deputetë në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk besoj që AKR do të largohet nga koalicioni, për arsye se ka shumë hise në Qeveri dhe ka vetëm dy deputetë në parlament. Por, edhe nëse tërhiqet, Qeveria nuk besoj se bie. Kjo për shkak se gjithmonë ka edhe zgjidhje tjera për zëvendësime. Qoftë në parlament, ashtu edhe në Qeveri”, ka deklaruar Xhemajlaj.

Ai ka thënë po ashtu se Nisma po merret seriozisht me çështjen e Demarkacionit dhe se shpejti do të përmbyllet kjo temë.

“Nisma është duke u marrur shumë seriozisht me çështjen e Demarkacionit dhe shpejt do të përmbyllet edhe kjo temë. Por, qëndrimi apo dalja e AKR-së nga koalicioni varet nga vetë AKR-ja”, ka shtuar për “Bota sot”, zëvendësministri Isa Xhemajlaj.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: Qeverinë e rrëzon mosmarrëveshja PDK-AAK

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend Leon Duhanaj, ka thënë se vetëm mosmarrëveshjet mes PDK-së dhe AAK-së, mund të rrëzojnë Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Sipas tij, kërcënimet e kryetarit të AKR-së, nuk merren seriozisht nga partnerët e koalicionit.

“Qeveria mund të rrëzohet vetëm nëse ndodhin mosmarrëveshje mes PDK-së dhe AAK-së. Sa për AKR-në, zgjatë Zot kësi moti. Pacolli, dhe kërcënimet e tij, tanimë si merr askush seriozisht. Ai, njëherë i kërcënon, të nesërmen, i therret në darkë për t'mos iu hidhëruar”, ka thënë Duhanaj.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka kritikuar Qeverinë, që sipas tij, mbetet e dobët, pa asnjë aktivitet të mirëfilltë.

Zgjidhje për këtë, Duhanaj e sheh vetshkarkimin e Qeverisë ose marrjen e vendimeve të rëndësishme në favor të Kosovës.

“Është  e dhimbshme që një Qeveri, të mbetet aq e dobët sa mos të ketë asnjë aktivitet të mirëfilltë. Ndoshta, bëjnë mirë të ulën dhe ta analizojnë situatën vetë dhe, ta shkarkojnë vetëveten. Do t'i bënin një shërbim të madhe vendit. Ose të këndellen dhe, të fillojnë me marrë vendime të rëndësishme në favor të vendit”, ka shtuar për “Bota sot”, analisti Leon Duhanaj.

Për çështjen në fjalë, gazeta nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga zyrtarët e PDK-së, pasi ata nuk kanë dashur të prononcohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat