"Shkuarja e Thaçit e Haradinajt në ‘Lutjet e Mëngjesit’, pa asnjë rezultat”

Politika

"Shkuarja e Thaçit e Haradinajt në ‘Lutjet e Mëngjesit’, pa asnjë rezultat”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 shkurt 2018 Në ora: 22:05
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Krerët e shtetit të Kosovës po qëndrojnë jashtë vendit në vizita jashtë vendit.

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë udhëtuar për në SHBA për të marrë pjesë në ‘Lutjet e Mëngjesit’, ndërsa kryetari i Kuvendit po qëndron për vizitë në Kroaci.

Në këtë mënyrë vendi ka mbetur pa të tre krerët e shtetit dhe kështu është shkelur dhe protokolli i shtetit, sipas të cilit krerët duhet të koordinohen për vizitat që bëjnë jashtë vendit.

Për vizitat e tyre jashtë vendit, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në ‘Lutjet e Mëngjesit’ kanë shkuar zyrtarë që nga viti 2004 dhe se vizita të tilla nuk prodhojnë asnjë rezultat.

Image
Blerim Burjani

“Së pari të jemi të qartë, udhëtimi për Lutje të Mëngjesit çështje takim shëtitje, në këto lutje kanë shkuar përplot zyrtarë të Kosovës prej vitit 2004 dhe aty thjesht është takim ahengu për të u parë dhe për tu përshëndetur pa asnjë protokoll formal, thjesht ka pasur edhe më herët që shumë ministra kanë shkuar thjeshtë për kureshtje me pa çka po bëhet dhe kënd po e takon. Takime të tilla nuk janë të karakterit formal dhe nuk prodhojnë asgjë, pra ndonjë rezultat dhe kjo mund të quhet shëtitje. Kjo i bie thjesht për të shkuar dhe shpenzuar para të buxhetit të shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Burjanit, për vizita jashtë vendit me para të popullit, duhet të ketë dhe një rezultat dhe jo vetëm të fotografohesh me të pranishëm atje.

“Për të shkuar përtej Atlantikut me para të popullit duhet të ketë një rezultat jo thjesht për tu fotografuar atje me kënd të mundesh se aty do të jenë të pranishëm shumë njerëz, zyrtarë të lartë të shteteve madje edhe OJQ ka që kanë shkuar në këto Lutje të Mëngjesit, pra duhet ditur pse duhet shpenzuar para të buxhetit për këtë çështje, përndryshe të ishin shkuar me paratë e tyre Thaçi dhe Haradinaj, kishte pasur ndonjë kuptim, në këtë çështje është problem të arsyetohet shkuarja e tyre”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Ndryshe, ceremonia e Lutjeve të Mëngjesit drejtohet nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe shërben si takim ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga mbi 130 vende të botës, si: senatorë, kongresistë amerikanë, anëtarë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë të administratës dhe personalitete të ndryshme të botës nga fusha e artit, kulturës dhe shkencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat