Kthesa e Hashim Thaçit!

Politika

Kthesa e Hashim Thaçit!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 8 shkurt 2018 Në ora: 07:32
Hashim Thaçi

Në fund të vitit 2017, saktësisht me 22 dhjetor ishte marrë iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, por një gjë e tillë nuk u arrit të realizohet pas shumë tentimeve, për shkak të mungesës së kuorumit në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Por, tani në fillim të muajit shkurt Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk e ka qëndrimin e njëjtë për këtë Gjykatë.

Ai në një konferencë për media në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka deklaruar se nuk duhet dhe as nuk do të shfuqizohet Gjykata Speciale

“E theksoj unë kamë opinionet e mija për gjitha zhvillimet por askush mos të kërkon prej meje me marrë pozicion partiak se nuk e marrë atë pozicion. Prandaj është e qartë ketë them edhe me biseda që kam zhvilluar, edhe me liderët politik, kryeparlamentarin Veseli dhe kryeministrin Haradinaj se gjykata speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet. Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës. Jo opinion i shtetit të Kosovës i prezantuar prej presidentit të Kosovës i bazë të hierarkisë institucionale kushtetuese dhe ligjore“, ka deklaruar Thaçi.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

“Ata që luftuan ndershëm nuk i frikësohen Gjykatës Speciale”

Lidhur me tërheqjen e presidentit Thaçi nga mbështetja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi ka thënë se si duket Thaçi është dorëzuar para presionit ndërkombëtar.

“Gjykata speciale nuk mund të shfuqizohet, tanimë edhe kundërshtaret politike të saj po e pranojnë. Presidenti Thaçi si duket është dorëzuar para presionit ndërkombëtar dhe tani dëshiron të ndikojë te të tjerët, madje me urdhër të tij. Kosova dhe qytetaret e vendit para se gjithash duan respektim të ligjit, si e vetmja shpresë për një orientim të duhur të vendit”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

Ajo ka shtuar se para drejtësisë duhet të dalin ata që kane kryer krime, ndërsa ata që luftuan me ndershmëri nuk i frikësohen asnjë gjykate.

“Para drejtësisë duhet ndalur të gjithë ata që kanë kryer krime, jo ata që luftuan me ndershmëri, ata e kanë vendin e merituar në historinë e lavdishme nëpër etapat e vështira për kombin. Ata nuk i frikohen asnjë gjykatë përveç asaj të popullit. Ata janë pjesa e ndritur e këtij vendi, të cilën fatkeqësisht e nëpërkëmben disa të tjerë!!!”, ka përfunduar Bunjaku Rexhepi për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Tërheqje taktike e Thaçit

Kurse, analisti politik Nexhat Haziri ka thënë se tërheqja e Thaçit vije si pasojë e presionit ndërkombëtar, dhe nga refuzimi që është bërë nga qytetarët e vendit.

“Kjo tërheqje "taktike" e presidentit Thaçi nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe deklarata e tij e fundit në të cilën e deklaron dështimin e iniciativës se tij, vije si rezultat i presionit ndërkombëtar, sidomos nga shtetet mike të Kosovës, por edhe nga refuzimi që i bënë qytetarët e vendit iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, ai ka kërkuar dorëheqjen e të tre udhëheqësve të vendit  Thaçit, Haradinajt dhe të Veselit.

“Por ky "pishmanllëk" nuk e amniston Thaçin për tendencën e tij për shfuqizimin e Gjykatës Speciale me të cilën ndikoj në përkeqësimin e imazhit të shtetit në arenën ndërkombëtare por edhe izolimin e vendit. Andaj është e udhës së pas kësaj orvatje të tij të pasuksesshme ai së bashku edhe me kryeministrin Haradinaj dhe kryekuvendarin Veseli të ofronin dorëheqje”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Kthesa e Thaçit ndodhi në Davos të Zvicrës

Ndërkaq, analisti tjetër, Faton Mehmeti ka thënë se në samitin e mbajtur në Davos të Zvicrës ka ndodhur kthesa për ndryshimin e qëndrimit të Thaçit rreth Gjykatës Speciale.

“Ndryshimi i Thaçit vjen pas samitit në Davos, aty ku Thaçi e ndjeu izolimin pasi tërë kohën u sorollatë nëpër korridoret e saj. Besoj se në Davos ndodhi kthesa, derisa edhe aleatët e koalicionit filluan të braktisin një nga një Thaçin. Si asnjëherë më parë Thaçi po e ndjen fuqinë e SHBA, e cila nuk toleron askënd që është kundër procese të vendit”, ka thekuar Mehmeti.

Më tutje, ai ka shtuar se Thaçi pranoi dështimin e tij ndaj drejtësisë.

“Me këtë Thaçi u tërhoq nga tentativa për  të matur pulsin e perëndimit ndaj kërkesës për shfuqizim, dhe kur nuk i doli siç dëshiroj u tërhoq. Në fakt kjo mund të quhet dështim i Thaçit. Gjykata Speciale është uragan që nuk ndalet, kush i del para e merr me vete. Thaçi  pranoj dështimin e tij ndaj drejtësisë, cak i të cilës është vet ai”, ka deklaruar Mehmeti.

Image
Faik Krasniqi

Izolimi nga Bashkësia Ndërkombëtare

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi ka thënë se nuk është hera e parë që Thaçi tërhiqet nga ideja dhe se kjo mund të ketë ndodhur nga  presioni i ndërkombëtareve.

“Nuk është hera e parë që Presidenti Thaçi vepron në këtë mënyrë. Njëherë insiston për diçka, e pastaj tërhiqet nga ajo ide. Këto janë metodat e tij manovruese. Siç duket presioni i ndërkombëtareve dhe njëfarë izolimi i lehte atij, ka bërë që të ndryshoj mendim rreth shfuqizimit të Gjykatës Speciale”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai i ka thënë se gjërat do të shkonin shumë më mbarë nëse Bashkësia Ndërkombëtare do ta izolonte klasën politike.

“Sikur Bashkësia Ndërkombëtare ta izolonte komplet këtë klase politike, jam mese i bindur që gjërat do të na shkonin shumë më mbarë. Por as ndërkombëtaret nuk po tregojnë seriozitet rreth ndërtimit të një shteti serioz dhe ligjor, dhe për këtë dështim padyshim që edhe ata mbajnë përgjegjësi”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat