Njohja e Kosovës, kushti që duhet t’i vihet Serbisë

Politika

Njohja e Kosovës, kushti që duhet t’i vihet Serbisë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 shkurt 2018 Në ora: 13:53
Foto arkiv, bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel

Vrasja e liderit serb në Veri, Oliver Ivanoviq, u bë shkak i ndërprerjes së bisedimeve Kosovë-Serbi. U bënë më tepër se dy javë që janë ndërprerë bisedimet, ndërsa zyrtarët e Kosovës thonë se bisedimet do të rifillojnë shpejtë.

Kështu, shefi i ekipit negociator me Serbinë, Avni Arifi në një prononcim për media ka thënë se dialogu pritet të rifillojë shumë shpejt. Sipas tij, fundi i muajit shkurt do të shënojë kohën e fillimit të negociatave Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Datë të saktë nuk ka mirëpo në fund të muajit shkurt do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Arifi ditë më parë.

Mirëpo i kontaktuar nga gazeta, ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse janë dakorduar me palën serbe për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Zyrtarë nga Bashkimi Evropian ndonëse janë shprehur se Kosova po kontribuon në të ardhmen e saj evropiane, disa herë janë treguar edhe kritikë ndaj Serbisë për veprimet e saj. Në këtë mënyrë a do të mund BE-ja t’i vë si kusht Serbisë që të njoh pavarësinë e Kosovës, për të normalizuar marrëdhëniet?

Image
Muhamet Kelmendi

Kushti ndaj Serbisë

Kështu njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi thotë se kushti i vetëm që duhet vënë Serbisë, është ai për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Natyrisht se kushti i vetëm që njeh Serbia është pikërisht kushti që duhet vënë shtetit serb për Kosovën. Nuk është e thënë se domosdo shpie nga njohja reciproke. Këtu ka gabime Prishtina kundruall UE dhe shtetit serb, pse nuk e ka paraqitur mu njohjen si pikësynim themelor, gjatë punës”, thekson Kelmendi.

Ai thotë më tutje se bisedimet kanë filluar dhe kanë ecur pa kurrfarë plani nga ana e Kosovës.

“Turpi i shtetit të Kosovës është edhe tash, ku fare nuk kemi reagime dhe qëndrime mbi raportet me shtetin serb. Prishtina kërkohet që të paraqes domosdo planin në raport me shtetin serb. Nuk duhet më e vazhduar pa plan dhe sipas tekeve. Këndej duhet vepruar. Edhe UE duhet të ndikoj në këtë anë. Nuk njeh gjuhë të paqes shteti serb. Ai fletë qartë vetëm me masa shtyrese dhe detyruese.  Këndej UE duhet të veprojë”, thekson juristi Kelmendi.

Image
Blerim Burjani

Përfundimi i dialogut me njohje

Po ashtu edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani mendon se përfundimi më i mirë i këtij dialogu do të ishte pranimi i Kosovës shtet nga ana e Serbisë.

“Më së miri do të ishte që dialogu të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia, kjo do të i jepte fund të gjitha ndasive shekullore shqiptare në Ballkan dhe përgjithmonë ndoshta do të ishte zgjidhja në mes dy vendeve dhe do të hapte perspektiven rajonale në Ballkanin Perëndimor, por kjo duket të mos ndodhë, pritet të nënshkruhet një dokument ku palët obligohen të respektojnë parime ndërkombëtare për një fqinjësi të mire dhe pa probleme, me kufijë aktual të vitit 1974, pra s’ka zgjidhje tjetër, BE nuk e ka  kushtëzuar Serbinë për anëtarësim në BE jo deri më tash së paku”, thekson Burjani.

Ai thotë më tutje se BE pa kushtëzuar Serbinë plotësisht me njohje të Kosovës gjasat janë zero që normalizohen raportet , pra fare s’ka shpresë në këtë drejtim.

Image
Leon Duhanaj

Serbia nuk mund ta bllokojë rrugën e Kosovës

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, thotë se ideja e një Kosove të pavarur, të integruar në Unionin Evropian, të anëtarësuar në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, së pari ishte projekt shqiptar, të cilin e kishte promovuar dhe për të cilin kishte lobuar Presidenti Rugova.

“Me pastaj, ky projekt, u shndërrua në projekt ndërkombëtarë. Shtetet e Kuintit e ndihmuan dhe sponsorizuan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si projekt i cili ishte zgjidhja me e pranueshme për paqen dhe stabilitetin në regjion. Tani, procesi nëpër të cilin po kalojmë, është mjaftë kompleks. Në njërën anë, është Kosova si projekt i përbashkët dhe, në anën tjetër Serbia, si interes strategjik i përbashkët i NATO-s dhe UE-së”, thekson Duhanaj.

Sipas, tij , Serbia e shantazhon faktorin ndërkombëtar për aq sa po mundet.

“Në anën tjetër, Kosova, projekt i cili shantazhohet nga shumë çarqe. Nga njëra anë Serbia me partnerët e vetë dhe agjenturat e ndryshme. Dhe nga ana tjetër shqiptarët, të cilën nuk po arrinë ta kuptojnë seriozitetin e problemit. Janë dhënë pas interesave personale e grupore, në dëm te interesit të përgjithshëm. Politika kosovare, është brengë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtarë. Ne nuk po arrimë të shpërfaqim seriozitet si shtet, i cili mund të përllogaritet si partner serioz. Megjithatë, edhe përkundër gjithë këtyre dështimeve, komuniteti ndërkombëtarë, përkatësisht shtetet e Kuintit, do ta gjejnë modusin se si t'i integrojnë brenda Unionit Kosovën dhe Serbinë. Ndoshta nuk do ta detyrojnë ta njoh Kosovën në mënyrë eksplicite, apo de jure. Por me siguri që po në atë implicite, apo de facto”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia edhe nëse anëtarësohet para Kosovës, nuk do të mund ta bllokojë në rrugën e saj integruese.

“Nëse shqiptarët, këndellen dhe fillojnë me qeverisë në favor të interesit të përgjithshëm, mund të ndodhë integrimi i përnjëherëshëm. Por, nëse zgjatë kjo amulli, atëherë ne do kemi ënde rrugë të gjatë por me Hapy End. E them këtë në fund, sepse e kemi fatin të kemi miq që dëshirojnë ta shtyejnë Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi përpara. Jo pse ne si shqiptarë jemi duke punuar për ta arritur këtë qëllim”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat