Presidenti Thaçi thyen ligjin!

Politika

Presidenti Thaçi thyen ligjin!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 shkurt 2018 Në ora: 11:35
Hashim Thaçi

Më datën 5 shkurt, Presidenti i vendit Hashim Thaçi, mbajti një fjalim para kabinetit qeveritar. Ligjërisht, fjalime të tilla presidenti do të duhej të mbante vetëm para Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse, këtë fjalim Presidenti e mbajti për nder të 10-vjetorit të pavarësisë, ky veprim po konsiderohet si mungesë serioziteti, sinqeriteti dhe vullneti për punë.

Sipas analistëve, “shkolla Thaçiane”, ka lënë gjurmë për keq, karshi respektimit të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë së vendit, duke prodhuar precedentë të rrezikshme për të ardhmen e vendit dhe funksionimin normal e demokratik të institucioneve.

Millaku: Ishte fjalim i pazakonshëm

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, duke folur rreth kësaj çështjeje, ka thënë për “Bota sot” se Presidenti Thaçi, duhet të mbajë fjalim para Kuvendit apo edhe mund ti drejtohet popullit nëpërmjet medieve në tema të ndryshme apo edhe me raportime për punën e tij, por fjalimi para kabinetit qeveritar nuk është i zakonshëm dhe nuk është praktik as në botë.

“Hashim Thaçi nuk na habit me veprimet e veta jo konvencionale, jo vetëm në këtë rast. Kjo situatë është me të vërtetë edhe për të qeshur por edhe për të qarë njëkohësisht”, ka thënë deputetja Millaku.

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi ka thënë se deri më tash nuk ka ndodhur që një President të mbaj fjalim në Qeveri.

Image
Faik Krasniqi

Ahmeti: Mbajtja e fjalimit të Presidentit Thaçi është veprim i kundërligjshëm

Sipas tij, ky është rast paprecedent dhe i kundërligjshëm, sepse Presidenti duhet t'i përgjigjet vetëm Kuvendit.

“Presidentin Thaçi madje jemi mësuar ta shohim edhe duke buzëqesh gjatë këtyre fjalimeve, madje jo vetëm me kryeministrin Haradinaj por me çdo politikan tjetër ai qesh. Dhe natyrisht se kjo ‘qeshje’ e tij ka të bëjë me mendjemadhësinë e tij, sepse është një politikan mediokër”, është shprehur politologu Krasniqi.

Analisti politik Hidajet Ahmeti, veprimin e Presidentit e ka quajtur “lojë”, karshi institucioneve shtetërore dhe e njëjta sipas tij, tregon për mungesën e seriozitetit, sinqeritetit dhe vullnetit për punë.

Image
Hidajet Ahmeti

“Egoja e tij personale kalon çdo parim moral e etik që së paku duhet të kishte një president vendi. Mbajtja e fjalimit të Presidentit Thaçi është veprim i kundërligjshëm, i cili brenda vetës ngërthen dinakërinë e tij politike. Shkolla (Thaçiane) ka lënë gjurmë për keq, karshi respektimit të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë së vendit, duke prodhuar precedentë të rrezikshme për të ardhmen e vendit dhe funksionimin normal e demokratik të institucioneve publike. Nuk është për tu habitur nga veprimi i zotit Thaçi, pasi personaliteti i tij dinak e përçarës në vazhdimësi ka bërë lojëra të tilla politike, duke treguar se ai është vetë shteti. Duhet të këtë një presion me të fuqishëm të shoqërisë civile për të larguar logjikën e tillë të funksionimit të institucioneve publike  duke prodhuar përfaqësues të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent, e mbi të gjitha duke respektuar rendin kushtetues e ligjor”, është shprehur Ahmeti.

Zorra: Presidenti nostalgjik për postin e Kryeministrit

Kurse, Lirim Zorra, ligjërues në Kolegjin ISPE ka thënë se raportet  midis  presidentit  dhe  kryeministrit janë më shumë institucionale, sesa personale apo miqësore, pasi të dytë kanë personalitete të ndryshme, qasje të ndryshme për takime dhe paraqitje në media apo publik.

Image
Lirim Zorra

“Sa i përket  fjalimit në qeveri, kjo është një risi të cilën nuk e shoh si diçka të keqe meqë është  prezantim edhe i disa ideve të presidentit, mirëpo kushtetuta jonë e përcakton  mirë detyrat dhe rolin e  secilit institucion. Këtë fjalim të Thaçit më shumë e shoh se qëllim për të dhënë ide dhe dëshirë, në mënyrë që presidenti të duket që është figurë e rëndësishme politike. Por, mund të jetë edhe një lloj dëshire ose nostalgjie e presidentit  për pozitën e kryeministrit, e cila padyshim është shumë më aktive, sesa pozita e presidentit, e  cila është më ceremoniale dhe pa shumë efekte ekzekutive”, është shprehur ligjëruesi Zorra.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se bazuar në rregullore assesi nuk duhet që president të mbajë fjalim në qeveri, pasi ai e ka rrolin e vet kushtetuese.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Presidenti duhet ti zbatojë kompetencat që i ka dhe të jetë jo partiak.

“Presidenti nuk shkon në një qeveri që është politike dhe e përbërë prej partive politike, pasi ai duhet të jetë i pavarur si në mbledhje ashtu edhe në qeveri. Ai ka të drejtë të ftojë edhe parti si president edhe mandatarin e qeverisë për të folur apo diskutuar për raste të nevojshme,  por jo tash edhe të mbaj fjalime në qeveri. Kjo është kundërshtuese jo e qarte dhe e pa pranueshme”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani.

Injorimi i Haradinajt

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti ka pohuar se është vërtetuar se krahu i luftës nuk di të bëjë shtet të së drejtës, por shtet anarkist, ku ligjet vlejnë veç për të varfërit .

Ai ka thënë se në këtë sens nuk është për tu habitur, pasi tashmë jemi mësuar me veprimet e tyre.

“Të tillët nuk i dinë as kompetencat e institucioneve që përfaqësojnë dhe rrjedhimisht kjo edhe shkakton situata sa komike aq edhe ironike, në kuptimin që presidenti Thaçi mban fjalim në qeveri që nuk ka nevoje dhe as kompetenca. Kjo le për të nënkuptuar se Thaçi po mundohet që të jetë edhe shef i Qeverise, me pretendimet për të marr përsëri postin e kryeministrit pas mandati të presidentit. Kjo shihet si flirtim i Thaçit me postin e kryeministrit, duke injoruar Ramushin me buzëqeshje ironike. Presidenti duhet ti përgjigjet vetëm Kuvendit, pasi  Kosova është Republike Parlamentare. Por ndoshta edhe  Thaçi këtë as nuk e di, kur dihet se disa nga këshilltarët e tij janë sa servil aq edhe injorant dhe te paditur”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat