“Lidhjet e Sami Lushtakut me vëllezërit Thaçi dhe uzurpimet në Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri e Klinë”

Politika

“Lidhjet e Sami Lushtakut me vëllezërit Thaçi dhe uzurpimet në Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri e Klinë”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 shkurt 2018 Në ora: 13:37
Sami Lushtaku

Në prag të dekadës së parë të pavarësisë së Kosovës, partitë politike, përveç që nuk po gjejnë zgjidhje për çështje shumë me rëndësi për vendin, po futen në një krizë të brendshme. Kështu, Lëvizja Vetëvendosje për  shkak të disa konflikteve brenda anëtarësisë së saj,  është ndarë në dy pjesë. Një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të kryesisë është larguar nga Vetëvendosja, duke u grupuar me gjasë tek një parti tjetër.

Partia Demokratike e Kosovës, duke mos e pranuar “lëkundjen” në vendlindjen e saj, në Skenderaj, në zgjedhjet e fundit lokale nuk pati fare kandidat për kryetar në këtë komunë, duke thënë se mbështesin kandidatin e pavarur, Bekim Jasharin. Por, mospërkrahja ndaj tij, doli në pah vetëm pak muaj më vonë, kur ish kryetari i Skenderajt nga PDK-ja, Sami Lushtaku, shprehi pakënaqësitë ndaj kryetarit aktual. Lushtaku përveç Jasharit, pati konflikte edhe me anëtarë të partisë së tij, madje me deputetin nga e njëjta komunë, Bekim Haxhiu. Disa anëtarë të PDK-së në Skenderaj madje u përjashtuan.

Një krizë duket se ka filluar edhe Aleancën Kosova e Re. Ditë më parë, zyrtari i kësaj partie, Agim Bahtiri u përmend se mund të largohet nga kjo parti. Kjo si shkak i disa mospajtimeve ndërmjet anëtarëve të kësaj partie.

Këto kriza politike duket se po bëjnë që edhe shumë çështjeve të rëndësishme politike të lihen në ‘harresë’.

Kështu njohësi i çështjeve politike dhe publicisti Idriz Zeqiraj, duke folur për krizën në Lëvizjen Vetëvendosje, thotë se  kur Lëvizja Vetëvendosje, me shkëlqimin e saj fiktiv, po i afrohej pushtetit, u përflak si kashta.

Kriza Vetëvendosje

Image
Idriz Zeqiraj

Sipas tij, Orientimi i gabuar ideologjik, diktati dhe bindja verbërisht, nuk mund të fshihej dhe të heshtej në pafundësi.

“Dhe, kontradiktat u sheshuan bindshëm dhe bujshëm. Edhe përpjekja për ta fajësuar grupin e rebeluar, dështtoi, sepse çështjet nuk ishin, thjeshtë, karrieriste, por, thellësisht, parimore. Albin Kurti dirigjohet nga ideologë të kuq. Ftesa e tij për bashkëpunim dhe pajtim, ishte sa vonuar, aq edhe demagogjike. Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, nuk duhej thirrur pa e konsultuar kryetarin e partisë, Visar Imerin, paraprakisht. Ashtu siç nuk duhej caktuar data e zgjedhjeve, njëanshëm, sepse Vetëvendosja nuk ishte "me bythë në prush!" Rrjedha e ngjarjeve e nxori edhe fajtorin e përçarjes, deri në ndarje të pritshme të partisë. Ngulmimi i Albinit, për të qenë sërishmi në krye të partisë, kur grupimi oponent e kundërshton, duke motivuar edhe arsyen, flet për kryeneçësi, mosbindje dhe besim pa mbulesë në vetvete. Dhe, kjo u dëshmua me faktin se ai nuk fitoi 50+1 % të numrit të anëtarësisë të Vetëvendosjes. Rrjedhimisht, Albini është "kryetar" jolegjitim, i dhunshëm. Andaj, edhe do të pasojë ndarja e partisë rinore e simparike, Vetëvendosje, e cila u pa si shpresë e besim, por, që zhgënjeu shumë”, thekson Zeqiraj.

Kriza në PDK

Ndërkaq, sa i përket krizës në PDK, Zeqiraj thotë se kjo ishte e pritshme. Sipas tij, u dëshmua se ‘komandantët’ e kësaj partie nuk ishin pjesë e mirëfilltë e luftës, përveç që janë zhvatës, hajna e vrasës të shqiptarëve të pafajshëm.

“Tkurrja, së fundi, e partisë-bandë, PDK-së, ishte e pritshme. "Heroizmit" fiktiv të "komandantëve" i doli kallaji. Dëshmohet bindshëm se ata nuk ishin as pjesë e mirëfilltë e luftës. Përkundrazi, janë sabotatorë faktik të luftës. Akuza shtesë: haraçxhinj, zhvatës, hajna zyrtarë, dajakxhinj dhe vrasës serikë të shqiptarëve të pafajshëm. Çarja aktuale në PDK-në e Skenderajt, duket lokale, në një komunë të vogël, me mendësi e votim provincial. Por, protagonisti kësaj përçarjeje, Sami Lushtaku, është i forti i partisë, sepse ështe në lidhje me Vëllezërit Thaçi. Rezoluta e turpshme, e votuar në Parlament, kinse, "për mbrojtjen e vlerave të luftës të UÇK-së", ishte sulmi zyrtar kunder Gjykatës Speciale. LDK-ja, e tërhequr për hunde, nga klani i Isa Mustafës, e votoi! Turp i madh! Dhe, e gjithë kjo bëhej për ta liruar të fortin Sami Lushtaku me shokë. Vërtet, komuna e Skenderajt është minore. Por, dëshmitë e reja flasin, se i forti i Lushtakëve, ka pasur ndikim parësor në komunën e Mitrovicës, Vushtërisë, Klinës... Ai ua ka garantuar mandatet, por, edhe diktatin. Në Mitrovicë nuk u gjend një lokacion për një fabrikë. Gjithçka ishte uzurpuar dhe përvetësuar nga "komandantët", hapësirat tokësore shoqërore dhe shtetërore. Gjatë Balotazhit për zgjedhjen e të parit të komunës në Istog, është parë këtu Lushtaku, në shoqërim të eksponentëve të partisë-bandë AAK-së. Qytetarët paqedashës të Istogut, të irrituar, u mobilizun, si kurrë më parë, për të mos lejuar instalimin e bandave të krimit të Dukagjinit në këtë komunë”, vlerëson Zeqiraj.

Kriza në AKR

Ai thotë se këto zënka mundet me i menaxhua Presidenti Hashim Thaçi në bashkëpunim me Kadri Veselin, kryetarin aktual të PDK-së.

“Hashimi, duke qenë i parë i këtij klani të fuqishëm, në ujdi me Kadri SHIK-un, mund ta menaxhojë krizën. Ata nuk pyesin për ligje dhe institucione. Jo vetëm zënkat partiake brenda sojit, por edhe rastet e vrasjeve i kanë heshtur në oda, me preferenca kanunore, si në kohën e "Islihatit", thekson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se dorëheqjet i filloi Vetëvendosja, tani, po i vazhdon AKR-ja. Largimi i Korab Sejdiut ishte i dinjitetshëm e parimor. AKR-ja ishte e angazhuar, së bashku me LDK-në, për ta nxjerrë PAN-in në opozitë.

“Behxhet Pacolli bëri ca akuza boshe ndaj LDK-së dhe u zhytë në llumin PAN, për t`i dhënë infuzion krimit. E "motivoi" për qëllime kombëtare, por ishin, thjeshtë, interesa personale. Defatani Labinot Tahiri, krejt i pa taban, ishte i dyzuar dhe neveritës, qysh në fillim. Himnizonte, jo vetëm me këngë, por edhe me intervista, "komandantët çlirimtarë", rrast të inkriminuar. Mjerë Kosova për deputetët e saj!!! Pakënaqësia, deri në largim nga partia, e Agim Bahtirit, është rrjedhojë logjike e veprimeve kontroverse dhe banditeske të shefit të tij, Behxhet Pacolli. AKR-ja komunën e Mitrovicës e fitoi me votat e Vetëvendosjes dhe të LDK-së. Dhe, kjo u bë jo për ta forcuar PAN-in kriminal, por, për ta dobësuar atë. Kryetari Bahtiri ndjehet i tradhtuar nga shefi i tij partiak, Pacolli, për koalicionin me bandën e PDK-së. Sepse përgjatë fushatës, elektoratit u kishte premtuar kundërshtinë e tij, karshi partive-banda të PAN-it. Largimi i tij nga AKR-ja, edhe pse i vonuar, është një kërkim-falje për elektoratin, që i siguruan qeverisjen komunale”, vlerëson ai.

Zeqiraj: As LDK nuk e ka të siguruar rehatinë

Zeqiraj duke folur për LDK-në, thotë se edhe kjo parti nuk e ka të siguruar rehatinë dhe nuk është imune ndaj krizës, të filluar në partitë tjEra.

“Tendenca e trashëgimisë të klanit të stazhionuar aktual, që ka ndarë LDK-në, dikur, dhe vazhdon ngulfatjen e saj, sot, kanë filluar lakimin e emrave, për kryetar të ardhshëm të partisë, bazuar në fitoret lokale komunale. Duket se, qëllimshëm është rrënuar sistemi i votimit të fshehtë e demokratik, duke e zëvendësuar me aklamacionin e monizmit regresiv. Dhe, ngulmimi, për ta lëndëzuar këtë tendencë, do të pëlcasë në revoltë, pse jo, edhe në krizë e ndarje të sërishme të LDK-së”, thotë Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat