Aneksi për demarkacionin, votimi në Kuvend do ta demaskojë fytyrën dinake të Haradinajt

Politika

Aneksi për demarkacionin, votimi në Kuvend do ta demaskojë fytyrën dinake të Haradinajt

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 16 shkurt 2018 Në ora: 14:49
Ramush Haradinaj

“Votimi i demarkacionit në variantin e ‘Komisionit shtetëror’ nga Qeveria aktuale, do ta demaskoj më së mirë fytyrën dinake, papërgjegjësinë shtetërore dhe prirjen kriminale të pushtetarëve të sotëm. Atë që e kanë pështyrë që tre vite për të ardhë në pushtet, tani do ta lëpijnë, me të vetmin qëllim, që të mbesin në pushtet. Ky është mentaliteti qeverisës që kemi sot”, thotë Avdullahu për “Bota sot”.

Marrëveshja e arritur në mes së presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, Filip Mujanovic për miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, po konsiderohet se është bërë për të amnistuar kryeministrin Haradinaj.

Për faktin se kjo marrëveshje do të miratohet me versionin e Murat Mehës, për të cilën Haradinaj thoshte se Kosova humb territor.

I pari i shtetit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se homologu i tij nga Mali i Zi, ka pranuar që të formohet një grup punues që do të punojë në caktimin e vijës kufitare dhe të rishikoj dhe korrektojë sektorët në orientim të Çakorrit dhe Kullës.

Por, deputetët të LDK-së thonë se kjo marrëveshje po miratohet ashtu si është nënshkruar nga Qeveria e Isa Mustafës dhe ashtu si e ka ratifikuar Mali i Zi.

“Deklarata e dy presidenteve, siç e thekson edhe vetë Presidenti i Kosovës, nuk ka karakter legal, është vetëm një akt i vullnetit të mirë, prandaj nuk përbën obligim. Me të nuk është vendosur asgjë e re, prandaj pretendimi i Hardinajt është i pavërtetë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ky subjekt politik e konsideron Haradinajn përgjegjësin kryesor që miratimi i kësaj marrëveshje u zvarrit për më shumë se tri vite.

Zyrtarët e LDK-së kanë deklaruar se do ta mbështesin marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa pas ratifikimit do të kërkojë shkarkimin e Qeverisë.

Image
Faton Avdullahu

Votimi i demarkacioni shpalos fytyrën e vërtetë të Qeverisë

Faton Avdullahu, ish-këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa thotë se miratimi i demarkacionit me versionin aktual, shpalos fytyrën e vërtetë të Qeverisë Haradinaj.

“Votimi i demarkacionit në variantin e ‘Komisionit shtetëror’ nga Qeveria aktuale, do ta demaskoj më së mirë fytyrën dinake, papërgjegjësinë shtetërore dhe prirjen kriminale të pushtetarëve të sotëm. Atë që e kanë pështyrë që tre vite për të ardhë në pushtet, tani do ta lëpijnë, me të vetmin qëllim, që të mbesin në pushtet. Ky është mentaliteti qeverisës që kemi sot”, thotë Avdullahu për “Bota sot”.

Sipas tij, Kjo Qeveri është e pabesë për Kosovën dhe qytetarin ashtu sikundër ishte për demarkacionin.

Image
Behxhet Shala

Shala thotë se marrëveshje e re nuk ndryshon asgjë

Edhe Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut thotë se janë simbolike ndryshimet që parashihen në marrëveshjen në mes së presidentit Thaçin dhe homologut të tij malazias për demarkacionin.

“Mendoj se demarkacioni do të ratifikohet sikur në variantin e parë, ndryshimet do të jenë më tepër të natyrës kozmetike, nuk do të ketë ndryshime të mëdha përmbajtësore. Mirëpo, është krijuar një situatë që të jetë e papranueshme për të gjithë përjashtuar këto Vetëvendosjes që besoj se nuk do ta votojë”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk zgjidhet përmes anekseve.

“Demarkacioni nuk zgjidhet me anekse. Anekset nuk janë ato që përcaktojnë ndryshime në marrëveshjen e nënshkruar paraprake. Nuk e besoj se do të ketë ndryshime të mëdha”, shtoi Shala.

Image
Blerim Burjani

Mendim të njëjtë me Shalen ka edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani.

Ai madje thotë se shpëtimi i vetëm për vendin është rënie e Qeverisë Haradinaj.

“Konsideroj se fati qytetarëve do të ishte që të bie kjo qeveri sa më parë që është e mundur. Unë mendoj se brenda një afati prej dy muajsh, duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, thotë Burjani për “Bota sot”.

Demhasaj: Marrëveshje i jep një lëvizje çështjes së demarkacionit

Nga ana tjetër, analisti Arton Demhasaj e sheh si pozitive marrëveshjen në mes të dy presidentëve për shënjimin e kufirit.

Image
Arton Demhasaj

“Pa dyshim që është bërë një ndryshim. Kjo aneks marrëveshja po shihet se i ka jap një lëvizje çështjes së demarkacionit, sidomos paragrafi i fundit, i cili parasheh që menjëherë pas marrëveshjes që të formohet një grup i përbashkët i të dyja qeverive për të vendosur vijën kufitare dhe do të ketë fokus specifik që rishqyrtimin e dy pikave kontestuese që është Çakorri dhe Kulla e Zhlebit”, thotë Demhasaj për “Bota sot”.

Demhasaj shtoi se tash deputetët nuk duhet të kenë dyshime sa i përket miratimit të demarkacionit.

Ndryshe, Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi u nënshkrua në vitin 2015, por që nuk ka arritë të bëhet miratimi i saj në Kuvend për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga ana e AAK-së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të NISMA-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat