Ideja e Edi Ramës, a mund t’i bashkojë një president shqiptarët?

Politika

Ideja e Edi Ramës, a mund t’i bashkojë një president shqiptarët?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 shkurt 2018 Në ora: 11:07
Edi Rama

Në seancën solemne të organizuar nga Kuvendi i Kosovës për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria mund ta kenë një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

“Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë ai histori dhe shqiptarët dhe serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes si dy popuj në fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Evropian. Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politik të jashtme e jo vec ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta. Por, pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të  ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka thënë kryeministri Rama.

Kjo deklaratë ka sjellë debate të shumta, në Kosovë e Shqipëri, por edhe reagime nga Komisioni Evropian.

Komisioni Evropian është shprehur se deklarata e Ramës nuk ndihmon për raporte të mira mes dy vendeve dhe një fqinjësi të mirë, dhe se mund të interpretohet si një ndërhyrje ekonomike.

“Nxisim vendet të punojmë për përmbushjen e reformave. Ne mbështesim pajtimin e vendeve të Ballkanit” ka deklaruar Catherine Ray, zëdhënësja e  Komisioni Evropian.

Deklarata e Ramës ka ndarë në dysh pozitën e opozitën në Kosovë, ndërkaq analistët politikë e quajnë të rrezikshme dhe populiste.

Një president, gjëja me e mirë e mundshme për dy vende

Image
Nait Hasani

Nait Hasani në një prononcim për “Bota sot” ka konsideruar se një President simbol është gjëja më e mirë e mundshme për të dy vende.

Hasani ka thënë se është një hap i mirë dhe i qëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht.

“Një president simbol i unitetit të kombit është gjëja më e mirë e mundshme tani dhe një mundësi e unifikimit politik, ekonomik, edukativo- arsimor, e kulturor. Kjo do të ishte një hap i mirë, i qëndrueshëm politikisht dhe forcë ekonomike në tregun e lirë brenda vetes si komb. Unë edhe më herët e kam thënë që do të duhet një konfederatë në fillim të bëhet pastaj te shkohet me një federatë me dy dhoma, e një politik të jashtme, një qeveri qendrore dhe një President të përbashkët. Këtë e kam thënë qe disa vite, mund ta shihni edhe në intervistat e mia”, ka pohuar Hasani.

Ideja për një President të përbashkët, është kritikuar nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, por jo edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se ideja e Ramës duhet të diskutuar fillimisht, por janë për veprim bashkërisht për qëllimet e kombit.

Sveçla: Politike e jashtme e përbashkët me Shqipërinë

Image
Xhelal Sveçla

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë për “Bota sot” se ata dëshirojnë sa më shumë koordinim e përafrim me Shqipërinë.

Sipas Sveçlës, nuk është nevoja për institucione të reja simbolike e pa ndikim.

“Ashtu siç kemi theksuar deri tash dhe e kemi shpjeguar në Alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje! ne jemi për një politikë te jashtme të përbashkët me Shqipërinë dhe të veprojmë bashkërisht për qëllimet e përbashkëta të kombit, duke e ndikuar dhe plotësuar njëra-tjetrën, e jo duke garuar me njëra-tjetrën. Natyrisht, edhe përtej politikës së jashtme, sa më shumë koordinim e përafrim aq më mirë, drejt një qëllimi të qartë. E kjo duhet të bëhet paralelisht me punët për ndryshim, përmirësim të situatës, brenda shtetit. Megjithatë, ideja e propozuar nga Kryeministri Rama duhet diskutuar se çka saktësisht është menduar pasi nga formulimi, ajo mund të interpretohet në shumë aspekte të ndryshme. Po ashtu, bazuar nga përvoja, me lejoni të theksoj që nuk është nevoja që të krijojmë institucione të reja simbolike e pa ndonjë ndikim. Mendoj që tash më shumë se kurdoherë kemi nevojë t’i largohemi simbolikës e t’u vishemi punëve reale me rezultate konkrete”, ka pohuar Sveçla.

I pyetur se sa do t’i bashkonte shqiptarët Presidenti i propozuar nga Rama, përkundër problemeve që përballet politika dhe shqiptarët qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, Sveçla ka shtuar se ai beson në çdo nismë për bashkim që do t’i shërbente përmirësimit të situatës në shoqëri.

“Plotësisht besoj që çdo nismë e sinqertë për bashkim do t’i shërbente përmirësimit të situatës të kombit tonë, shoqërisë tonë. Zgjidhja është kuq e zi. Ashtu siç patëm mundësinë të shohim edhe në sheshin e mbushur të Prishtinës, sado që po mundohen të ndryshojnë këtë fakt, natyrshmën e ardhmja jonë është kuq e zi, por ta bëjmë atë bashkërisht sa më të mirë. Dhe ajo bëhet me punë të drejtë e të pandalshne në të tashmen”, ka theksuar Sveçla.

Bytyçi: Ide e rrezikshme

Image
Enver Bytyçi

Ndërkaq, analisti politik Enver Bytyçi, propozimin e Ramës e konsideron të rrezikshëm dhe me këtë mund të përfitojë Serbia që t’i ndalojë njohjet për Kosovën.

“Propozimi ose ideja e Edi Ramës për një president të përbashkët është shumë e rrezikshme për Kosovën. Së pari nuk ka e nuk mund të ketë president simbol. Ka dhe duhet të ketë vetëm president. Dhe presidentët zgjidhen sipas kushtetutës. As Shqipëria, as Kosova nuk parashikojnë në kushtetutë një president për dy vende as edhe një president simbol. Pritja e Edi Ramës për të hedh shashka tymuese antikushtetuese më shqetëson më shumë se sa ideja e tij. Kjo prirje çon në totalitarizëm. Çdo ide bazohet në ligjin kushtetues. Ndryshe cenon karakterin e shtetit. Por,  veç kësaj prirjeje shoh se propozimi i Edi Ramës hkon përtej kësaj. Ai turbullon ujërat e lumenjave dhe liqeneve të Shqipërisë, me qëllim që t’i krijohet mundësia Serbisë të angazhohet në “kthejllin” e këtyre ujërave, për të përfituar nga turbllirat. Kurrgjë mos përfitoftë Serbia, nga kjo përrallë kryeministrore ajo do të përpiqet që të stopojë njohjet për Kosovën. Mjafton ky dëm që Rama ia shkakton Kosovës dhe nuk i duhet më shumë Serbisë. Por dëmi dhe rreziku shkon më tej. Ideja e Edi Ramës i krijon legjitimitet propozimit serb për ndarjen e Kosovës. Mesa duket kryeministri i Shqipërisë është palë me presidentin e Serbisë. Nuk e di nëse e njeh këtë fakt Hashim Thaçi apo jo! Eshtë punë për të, por ky fakt është tashmë një realitet i hidhur!”, ka pohuar Bytyçi.

Sipas tij, të dyja vendet kanë problem tjera për t’i zgjidhur dhe një President i përbashkët nuk është zgjidhje.

“Shqipëria e Kosova  njëjtë  kanë probleme të tjera për të zgjidhur. Ndërsa një president i përbashkët nuk zgjidh asgjë. Janë problemet e kufirit, të doganave, të njësimit të taksave, tatimeve, tarifave doganore e kështu me radhë. Është edhe problem i  njohjeve. Me asnjë prej këtyre çështjeve nuk merret e nuk ka vullnet të merret Edi Rama, sepse nuk është në agjendën e tij forcimmi i shtetit të Kosovës dhe lehtësimi i jetës së qytetarëve të dy vendeve. Në agjendë ai ka shoun politik dhe angazhimin aksial për ndarjen e Kosovës! Është shumë e gabuar të mendohet ngritja e institucioneve të përbashkëta, qofshin këto edhe simbolike. Bota do të na merrte për shtetarë joseriozë, për popull diletant e pa kulturën minimale politike. Kanë filluar madje të tallen e të qeshen me kllounin tonë kryeministër, që nxjerr nga goja pisllëqe e ide të shpifura shkatërrimtare për fatin e Kosovës, të shtetësisë së saj dhe të sovranitetit të saj. Kam parë se shumë e shumë shqiptarë ndjehen entusizatë nga propozimi i zotit Rama! Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Ai ka folur pikërisht për këtë kategori, që nacionalizmin e patriotizmin e shohin te simbolet dhe nuk shohin përtej tyre, nuk dalin deri në megje e të shohin se si i përdor Edi Rama simbolet për të falë territore! Kjo dëshmon se na duhet më shumë kulturë politike, më shumë intuit dhe nuhatje për të dalluar çfarë fshihet pas deklaratave të tilla”, ka theksuar Bytyçi.

Sipas tij, shqiptarët nuk bashkon një President i përbashkët, por janë gjërat tjera.

“Nëse bashki e shqiptarëve do të varej nga një president simbolik, atëherë zgjidhja do të ishte shumë e thjeshtë. Por,  nuk mendoj kështu. Shqiptarët i bashkon unifikimi  i doganave, unifikimi  i tarifave doganore e tatimore, unifikimi i kufijve dhe i kontrollit kufitar, unifikimi i teksteve shkollore, i teksteve të historisë, të gjuhës, të letërsisë, lëvizja dhe punësimi i lirë i shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri, trajtimi i bizneseve të të dyja vendeve me procedurat e bizneseve brenda vendit, përpjekjet e përbashkëta për njohjet për Kosovën. Të gjitha sa ka thënë Rama për këto në pesë vite kanë rezultuar përralla, mashtrime dhe në vend të këtyre zgjidhjeve na servir intrigën e radhës të presidenti simbolik të përbashkët të shqiptarëve!”, ka  nënvizuar tutje  Bytyçi.

Deklaratë popullsitë e Ramës

Image
Mentor Tahiri

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri, deklaratën e Ramës e quan popullsite.

Sipas Tahirit, Rama është duke luajtur rolin e patriotit.

“Është një deklaratë populiste. Kur në një shoqëri nuk ka përgjegjësi politike, mund të deklarohet çfarëdo. Të luash me kartën e nacionalizmit, do të thotë të kamuflosh nevojat reale të qytetarëve, diçka që ata të cilët janë sot në krye të institucioneve, po e bëjnë relativisht lehtë. Duke pretenduar patriotin, po shantazhojnë çdo zë kritik. Organizimi tepër i dobët e seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, prodhoi margaritarin e quajtur “president simbol”. Izolimi i skenës së sotme politike të Kosovës, nuk la si duket shumë zgjidhje. Të vetmit udhëheqës shtetëror prezent në seancën solemne, ishin shqiptarë. Në vend se nga Prishtina të përçohet një mesazh i mirëfilltë që i bën thirrje shteteve të tjera të njohin Kosovën, kryeministri shqiptar përçoi mesazhin mbi “përkohshmërinë” e Shtetit të Kosovës”, ka deklaruar  Tahiri.

Pas reagimeve të shumta, Kryeministri Rama ka sqaruar deklaratën e tij duke thënë se i aka lejuar vetës të vrapojë në imagjinatë se si mund të jetë 20 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

“Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, ka deklaruar kryeministri Rama për mediat shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat