Loja e Presidentit me dekorata dhe tërheqja e Thaçit

Politika

Loja e Presidentit me dekorata dhe tërheqja e Thaçit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 shkurt 2018 Në ora: 08:01
Foto ilustrim "Bota sot"

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kishte dekoruar një sërë personalitetesh me Medalje Presidenciale, një ditë para se vendi të mbushte 10 vjet pavarësi.

Ai dekoroi 200 personalitete të ndryshme për kontributin e tyre në shtet-formimin e Kosovës, ndër të cilët edhe “shokë” të tij të luftës dhe të akuzuar e të dënuar për krime ekonomike pas luftës.

Mirëpo, atij i janë refuzuar këto dekorata nga shumë personalitete, të cilët janë shprehur nuk kanë dashur të dekorohen nga presidenti.

Madje, Thaçi është kritikuar se në mesin e shumë personaliteteve të dekoruara, nuk ka dekoruar gazetarë të gazetës kombëtare “Bota sot” dhe njerëz të kulturës, mes tyre edhe gazetari i ndjerë Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Hilmi Zogiani, Safet Zejnullahu e shumë të tjerë.

Tërheqja e Thaçit

Deri më tani, dekoratat i kanë refuzuar ish-komandantët e UÇK-së, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Komandant Drini, Sylejman Selimi dhe Hydajet Hyseni, Rexhep Qosja e Veton Surroi.

Por pas këtyre refuzimeve, Presidenti Thaci, nëpëmjet një postimi në Facebook, gjatë ditës së  ka “tërhequr” dekoratat e tij, duke thënë se deri tash nuk ka dekoruar asnjë individ apo organizatë, por vetëm po shqyrton rreth 500 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të propozuar, por edhe të vetë propozuar për marrjen e Medaljes Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë.

“Deri më tani kam shqyrtuar jo më shumë se 20 propozime, 13 prej të cilave tanimë janë refuzuar dhe 7 janë aprovuar. Të tjerat do t’i shqyrtojë në ditët dhe javët në vijim”, ka thënë Thaçi.

“Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar. E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht”, ka shkruar Thaçi.

Image
Imer Mushkolaj

Loja me dekorata

E mohimin e Thaçit se ka dekoruar personalitetet, analisti politik Imer Mushkolaj e ka quajtur “lojë të fëlliqtë”.

“Nji lojë e fëlliqtë e Hashim Thaçit. Zyrtarisht nga Presidenca është thënë se personalitete, media, organizata e institucione "janë dekoruar", tash presidenti po thotë se janë vetëm "të propozuar””, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Kelmendi: Janë dekoruar njerëzit e pa vlerë

Ndërsa, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Muhamet Kelmendi, ka thënë se në listën e Thaçit, janë anashkaluar shumë emra të rëndësishme të çështjes kombëtare dhe të jetës politike e mediale, jo vetëm gazetarë e politikanë të LDK-së.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi ka theksuar se listën presidenti Thaçi e ka bërë, sipas raporteve që ai i ka ndërtuar nga korriku i vitit 1998.

“Në listën e të “dekoruarve” nuk janë emrat dhe personalitetet më të rëndësishme të çështjes ilegale, të themeluesve të UÇK-së, dhe të shumë personaliteteve të jetës mediale dhe politike. E thashë këtë se në listë janë anashkaluar edhe forca nga ka dal Thaçi, jo vetëm gazetarë dhe politikanë të LDK-së, etj. Është një listë ndërtuar nga Thaçi, sipas raporteve që ai ka ndërtuar nga viti kur ai ka dalë si drejtor i Drejtorisë politike të UÇK-së, në korrik të vitit 1998. Kushdo që ka qenë kundër Thaçit, është anashkaluar dhe nuk ka marrë dekorata të tilla. Madje as që janë propozuar në listën e tillë”, është shprehur Kelmendi.

Sipas tij, janë dekoruar njerëzit e pa vlerë.

“Në këtë anë nuk më ka çuditur fare lista dhe nuk kam pritur asgjë tjetër. Kjo tregon turpin e trupave të Hashim Thaçit. Dekorohen njerëzit e pa vlerë”, ka thënë Muhamet Kelmendi.

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa Rexhep Shahu, njohës i çështjeve politike, ka akuzuar presidentin se ka shëmtuar rëndë institucionin e presidentit të Kosovës, “duke e shndërruar atë në dyqan që shet dekorata lavdie”.

“Ky është shteti privat i Hashim Thaçit, që dekoron e gradon partizanët e tij, jo heronjtë e meritorët që kanë kontribuar kombëtarisht. Ky është shteti privat, kështu sillen krerët e tribuve. Hashim thaçi me dekorimet e shokëve të luftës, vitin e kaluar, edhe sivjet, e ka shëmtuar rëndë institucionin e presidentit të Kosovës, e ka bërë apo shndërruar institucionin e presidentit të Kosovës në dyqan që shet dekorata lavdie, në shitore që shet mashtrime e falsifikime, në shitore ku shitet deformimi e falsiteti, ku shitet mashtrimi, ku heronjtë varrosen e të pamerituarit gradohen si heronj”, ka pohuar Shahu.

Sipas tij, personalitetet e LDK-së nuk janë dekoruar nga Thaçi, pasi ata nuk janë taraf i tij.

“Hashim Thaçi shet llamarina, shet kartona me euro, me vota. Personalitetet e LDK-së, apo të Kosovës që nuk janë taraf i Hashimit, nuk marrin dekorata lavdie e trimërie e meritë në dyqanin e Hashimit. Presidencën e Kosovës, Hashim Thaçi e ka bërë shitore dekoratash. Me dekorimet që bën Hashimi, do të ngrihen të dekoruarit me meritë, e do të refuzojnë dekoratat që i ka shëmtuar Hashim Thaçi”, është shprehur Rexhep Shahu, për gazetën “Bota sot”.

Image
Naim Miftari

Ndërsa, ish-eprori i UÇK-së Naim Miftari, ka thënë se Thaçi ka futur në listë, ata që e ndihmuan për të ardhur në pushtet.

“Lista e Thaçit përbëhej kryesisht nga milionerë që e kanë dëmtuar luftën dhe që kanë vjedhur fondet e luftës dhe njerëz që kanë mbi vete shumë afera korruptive dhe njerëz që kanë në dorë edhe në vrasjet politike, duke mos dashur t’i fus në thes të gjithë të dekoruarit. Por Thaçi ka futur ata që i ndihmuan për të ardhur në pushtet me çdo çmim. Ai kishte harruar t’i dekorojë edhe ndihmësit kryesorë si Slobodan Millosheviqi, Goran Radosavljviqi, Gani Thaçin, Ivica Stanishiqin, ish shefin e UDB-së, Baton Haxhiu, pastaj Bedri Selmanin dhe Dino Asanin, të cilët i ka mjelë rregullisht deri në palcë, pastaj kishte harruar njerëzit që ia kursyen burgun Francezët, ata që e dështuan edhe EULEX-in, apo kryeprokurorët, lodrat e tij nga teatri i kukullave si Ismet Kabashin, Sylë Hoxhen, Nik Lumezin, Reshat Milakun.. Kishte harruar ta dekorojë shefin e tij Denjear Arnautin e shërbimit sekret Francez (DGSE) dhe këshilltarin e tij dhe Aleksandar Vuçiqit”, ka thënë Naim Miftari.

Dekorimi i “Halabakëve”

Ai ka thënë se është mirë që gazetarët e vrarë të gazetës “Bota sot”, nuk janë futur në listë me vrasësit e tyre.

“Sa i përket asaj pse s’i ka dekoruar gazetarët e vrarë të Bota Sot, është mirë pasi gazetarët e vrarë dhe vrasësit e tyre nuk shkojnë në një listë”, ka theksuar Miftari për “Bota sot”.

Image
Skender Zogaj

Kurse njohësi i zhvillimeve politike Skender Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti nuk është dashur që të dekoronte “halabakët” dhe njerëzit e padenjë”.

Zogaj ka thënë se mbi 20 mijë “rrenacakë”, e kanë shkatërruar imazhin e luftëtarit të lirisë, duke “u pajisur me çertifikatën e veteranit.

“Pak e për merak, shumë e për lum!” thotë një fjalë e urtë e popullit tonë! Ata që nuk e kanë parasysh gjithmonë kanë për të bërë gabime që kushtojnë! Le të kemi parasysh vlerat e luftës që u përdhosën nga disa tregtarë bastard, të cilët duke i pajisur me çertifikatën e veteranit mbi 20 mijë rrenacakë, e kanë shkatërruan imazhin e luftëtarit të lirisë! Ky shembull i shëmtuar nuk do të kishte qenë mirë që të përsëritej nga Presidenti Thaçi, me dekorimin e halabakëve dhe njerëzve të krejtësisht të padenjë”, është shprehur Skender Zogaj.

Ai ka porositur presidentin që të ketë kujdes dhe që dekoratat të shkojnë te vlerat e vërteta.

“Presidenti duhet të ketë shumë kujdes që të ruaj autoritetin e dekoratave të cilat duhet të shkojnë te vlerat e vërteta”, ka thënë analisti për “Bota sot”.

Deri tani presidentit Thaçi i është pranuar dekorata vetëm nga ish-kryeparlamentari Nexhat Daci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat