Pazaret e Qeverisë me Listën Serbe dhe kushtëzimi për Asociacionin

Politika

Pazaret e Qeverisë me Listën Serbe dhe kushtëzimi për Asociacionin

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 shkurt 2018 Në ora: 15:59
Lista serbe, Veseli dhe Haradinaj

Pas votimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, një nga proceset më të vështira për vendin pritet të jetë edhe formimi i Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe. Njohës të rrethanave politike në vend, kanë hedhur dyshimet se pranimi eventiaul i votës pro Demarkacionit, nga ana e Listës serbe, mund të jetë një “pazar politik”,  për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe vazhon të mbetet e pazgjidhur. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kishte hedhur poshtë disa pika të kësaj marrëveshjeje të arritur në Bruksel. Pala serbe, vazhdon të insistojë që Asociacioni të formohet në mënyrën se si është miratuar në Bruksel, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, deklarojnë se Asociacioni do të formohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Arifi: Asociacionin do ta diskutojmë në Bruksel

Image
Avni Arifi

Avni Arifi, koordinatori i negociatave me Serbinë dhe këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se çështja e Asociacionit do të jetë një nga 12-13 marrëveshjet që do të bisedohet në dialogun e Brukselit.

Në anën tjetër, Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Faton Topalli ka thënë për “Bota sot” se ekziston rreziku që për Asociacionin të mos vendoset në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por, sipas tij, Qeveria e Kosovës është ajo e cila duhet të vendos nëse pranon apo kundërshton kushte të tilla.

Njohësi i Integrimeve Evropian Sami Blakaj, çështjen e Asociacionit e ka ndërlidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, duke thënë se edhe votimi pro i Demarkacionit mund të kushtëzohet me marrëveshjen për Asociacionin.  

Image
Sami Blakaj

“Për mua është e qartë se Lista Serbe nuk do të votojë pro marrëveshjes, pa përfituar diçka për vete dhe pjesë e këtij përfitimi dyshoj të jetë edhe çështja e themelimit të asociacionit, e cila për përfaqësuesit serb duhet themeluar në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe assesi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim përfaqësuesit tanë të zgjedhur, veçmas ata nga koalicioni qeverisës duhet të kenë kujdese dhe të mos bien pre e pazareve politike që mund të vijnë në këtë kohë nga lista serbe, por të ulën se bashku për të gjetur një ujdi politike mbi demarkacionin, duke çuar tutje këtë proces jetik për fuqizimin e Kosovës dhe avancimin e saj drejt BE-së”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropian Blakaj.

Abdullahu: Lista do të kërkojë që Asociacioni të themelohet në bazë të marrëveshjes e jo Kushtetutës

Image
Faton Abdullahu

Publicisti Faton Abdullahu politikanët nuk po njoftojnë pothuajse asgjë se çfarë do të ndodhë me “Asociacionin e Komunave Serbe” ndërkohë që kjo do të jetë një nga problemet më të mëdha të kësaj Qeverie dhe të Kosovës përgjithësisht, pas demarkacionit.

“Nëse mendësia e vendosur nga kjo Qeveri, që më së miri po demaskohet me atë çfarë ajo tani po bën me demarkacionin për dallim prej asaj çfarë kanë thënë dhe vepruar, atëherë ka vend që të frikohemi se ajo mund të vazhdoj me politikë pa moral e pa interes nacional, me të vetmin qëllim që të mbetet në pushtet. Kjo mund të na kushtoj shtrenjtë sepse mënyrën si kjo Qeveri ka krijuar koalicion me Listën Serbe e ka institucionalizuar involvimin e Beogradit zyrtarë në Kosovë”, ka thënë publicisti Faton Abdullahu.

Ai ka thënë, se pasojat e këtij kalkulimi, që për qëllim e kishin ardhjen në pushtet me çdo kusht, do t’i hetojmë kur të vije puna tek vendosja për Asociacionit.

“Lista Serbe po pret si gilotinë mbi kokën e pavarësisë së Kosovës dhe ajo do të aktivizohet për të fituar sa më shumë ingerenca shtetërore për Asociacionin, duke e kushtëzuar votimin e demarkacionin themelimit të Ushtrisë së Kosovës dhe proceseve tjera. Këto janë gjëra që janë ditur se Lista do t’i bëj. Nuk i ka mbajtur të fshehura, por ‘tërpia’ për pushtet e Qeverisë aktuale ka determinuar që ajo të bëhet pjesë e gjëra dhe e rëndësishme e Qeverisë aktuale. Interesat do të ndeshen kur Lista do të kërkoj që Asociacioni të themelohet në bazë të marrëveshjes e jo Kushtetutës me kërcënimin se do të largohet me ç ‘rast bije Qeveria. Si do të zhvillohet ngjarja nuk është e vështirë të parashihet, nëse bazohemi në atë se çfarë krejt bërë kjo Qeveri për të mbetur në pushtet’, ka thënë publicisti Abdullahu.

Duhanaj: Të mos shkelet kushtetuta

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se as Lista Serbska, as partitë politike e as Brukseli, nuk ka të drejtë të kërkoj shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.

“Ato nuk duhet të punojnë me direktiva të Serbisë, duke u pallë me parulla nacionaliste. Askush, nuk ka të drejtë të kërkoj shkeljen e Kushtetutës. Ai që kërkon dhe synon një gjë të tillë, i ka shpallë luftë këtij vendi dhe si i tillë duhet trajtuar”, ka thënë Duhanaj.

Image
Arbër Gashi

Njohësi i çështjeve politike, Arbër Gashi, ka thënë se shtetësinë e Kosovës më së shumti është duke e kërcënuar mungesa e një alternative të mirëfilltë politike kombëtare.

Ai ka thënë, se marrëveshjet e Brukselit ishin dje, janë sot, dhe do të jenë edhe nesër akte të veprës së paramenduar për pushtet kundër shtetit në njërën anë, si dhe për pushtet të dhunës politike e ekonomike të klanit puçist e Listës Serbia kundër shqiptarëve, në anën tjetër.

“Pra, asgjë e re dhe çdo gjë me plan për ti nënshtruar të gjithë shqiptarët, për ti poshtëruar publikisht ata dhe për ti përdorur si taksapagues të mafisë politike sllavo komunistë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat