Kundërshtohen ashpër fyerjet kundër Ibrahim Rugovës në biografinë e Hashim Thaçit

Politika

Kundërshtohen ashpër fyerjet kundër Ibrahim Rugovës në biografinë e Hashim Thaçit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 25 shkurt 2018 Në ora: 11:22
Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi

Ka dalë në shitje libri “Shteti i ri, burrështetas modern”, i shkruar nga autorët britanik, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, i cili thuhet të jetë porositur nga presidenti Hashim Thaçi. Ky libër është autobiografi për vetë  Hashim Thaçin.

Përgjatë rreshtave të këtij libri, ka edhe përmbajtje ofenduese ndaj ish-presidentit historik, Ibrahim Rugovës, ku shkruhet se Rugova ishte pijanec serb, frikacak defetist, njeri që nuk mund ta menaxhonte as kollën e tij, etj.

Këtu u shfaq edhe njëherë urrejtja e Thaçit ndaj presidentit historik, Ibrahim Rugovës, edhe pse Thaçi shkon nëpër homazhe tek varri i Rugovës dhe lëvdon jetën dhe veprën e tij.

Zogaj: Librat e porositur janë pamflete

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, ka folur për “Bota sot” analisti politik dhe ish-përfaqësuesi i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, Skënder Zogaj, i cili tha se libra të tillë me porosi, zakonisht shkruhen nëpër kuzhina të ndyta dhe nga autorë përfitues prandaj janë pamflete.

“Librat që bëhen me porosi zakonisht shkruhen nëpër kuzhina të ndyta dhe nga autorë përfitues prandaj janë pamflete! Librat e këtillë janë të destinuar që të lindin të vdekur! Kështu ka ndodhur gjithmonë me librat e shpifur dhe, ne shqiptarët e dimë më së miri se çfarë ka ndodhur fjala vjen, me dhjetëra librat e porositura për Enver Hoxhën, Stalinin, Maon, Titon! Kujt i shkon mendja t’i lexoj?! Askujt! “, thotë Zogaj.

Ai mendon se është shumë keq që Thaçi ka rënë në këtë pozitë dhe do të ndihet i turpëruar nga e vërteta për gjenialitetin e presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Sa i përket librit biografik për presidentin Thaçi nuk mund të them asgjë sepse nuk e kam lexuar, por nëse janë të vërteta ato që po fliten, më vjen shumë keq, që presidenti i vendit tim të lejojë veten të bie kaq poshtë, sepse, ka për t’u ndi i turpëruar nga e vërteta për gjenialitetin e Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, që e kanë shprehur dhe vazhdojnë ta theksojnë me pietet, personalitete më njohura e më mendjendritura të botës”,-përfundoi Zogaj për “Bota sot”.

Shahu: Nuk ka libër që e rrezon apo cenon Ibrahim Rugovën

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq për këto shkrime ka folur edhe publicisti i njohur Rexhep Shahu, i cili për “Bota sot” tha se ashtu siç duhen dy mijë libra dhe 600 vjet të tjera për ta rrëzuar figurën e Skënderbeut, po ashtu duhet të shkruhen edhe dy milionë libra e artikuj në shtypin botëror dhe duhet të kalojnë shekuj që ta njollosin figurën e Rugovës.

“Sikundër për ta rrezuar Skënderbeun, duhen shkruar edhe dymijë libra të tjerë a më shumë dhe duhet të kalojnë edhe 600 vjet të tjera, po ashtu duhet të shkruhen mbi 2 milionë artikuj në shtypin botëror, disa mijëra libra, duhet të kalojë një shekull a më shumë luftë kundër Ibrahim Rugovës dhe ai veç do të rritet në madhështi. Nuk ka libër atentati që e rrezon apo cenon Ibrahim Rugovën. Duhet zhbërë Kosova, liria e pavarësia e saj, dhe vetëm atëherë mund të cenohej Rugova”,-tha Shahu.

Ai thotë, se është i vogël cilido që e fyen Rugovën dhe se autorët e këtij libri dhe porositësit e tij, nuk i mbërrijnë as te thembra Ibrahim Rugovës.

 “Është i vogël dhe është morr cilido që fyen Rugovën, aq më tepër që nuk jeton më fizikisht që të zhbënte me heshtjen e shpërfilljen e tij shpartalluese çdo kundërshtar. Autorët e librit fyes ndaj Rugovës dhe porositësit e atij libri nuk i mbërrijnë as te thembra e Ibrahim Rugovës. Kosova është fryma e Rugovës, ai është feja e Kosovës”,- u shpreh Shahu për “Bota Sot”.

Fyerjet kundër Ibrahim Rugovës në biografinë e Hashim Thaçit

Image
Nexhat Haziri

Kurse në anën tjetër, analisti politik, Nexhat Haziri, u bën thirrje intelektualëve, njerëzit e politikës dhe artit, që të mos heshtin për këto fyerje nda Rugovës, dhe heshtjen e tillë e konsideron nënshtrim ndaj Thaçit.

“Ku janë intelektualët e Kosovës,njerëzit e politikës dhe artit, historianët, LDK-ja,qytetarët, që po heshtin për fyerjet ndaj presidentit historik Ibrahim Rugova në librin “Shteti i ri, burrështetasi modern” – një biografi të autorëve autorët Roger Boyes dhe Suzy Jagger, libër i porositur nga Hashim Thaçi. Pijanec si serbët, frikacak, defetist, njeri që nuk mund të menaxhonte as kollën: Fyerjet kundër Ibrahim Rugovës në biografinë e Hashim Thaçit. Heshtja ndaj këtyre fyerjeve, është nënshtrim ndaj diktatorit Thaçi, i cili me anë të gënjeshtrave, trillimeve dhe pagesave me para të majme të taksapaguesve Kosovar, po tenton që ta “zbardhë” sa do pak biografinë e tij të zezë prej një krimineli, që me veprimet e tij, aty ku u gjend dhe mundi i solli vetëm të këqija Kosovës dhe qytetarëve të saj. Në shenjë proteste ndaj këtyre fyerjeve, ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që mos të heshtin, por ta ngritin zërin e kundërshtimit ndaj kësaj tendence të diktatorit Thaçi për ta fyer jo vetëm presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, por të kaluarën e lavdishme të Kosovës dhe popullit shqiptar, të sotmen dhe të ardhmen tonë si shoqëri. Në Republikën tonë nuk duhet të ketë vend për diktator si soji i diktatorit nga Bosfori, Sulltanit Erdogan. Merreni atë libër dhe mu në qendër të kryeqytetit të Republikës, në Prishtinë, para hunëve të Thaçit, Sulltanit të Kosovës, p.sh*****i n’ta”,- potencoi Haziri.

Mehmeti: Të qenurit inferior ndaj figurës së Rugovës e bren Thaçin

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti Faton Mehmeti, e analizon këtë çështje si vazhdë të përpjekjeve të Thaçit për ta lartësuar veten, i cili përmes sponzorizimeve të librave, po tenton ta lavdëroj veten.

“ Ne vazhdën e përpjekjeve për të lartësuar veten, Thaçi po përdor edhe sponsorizimin e librave për ta lavdëruar veten. Urrejtja patologjike ndaj madhështisë se figurës së Presidentit Rugova, ka kulmuar me sponzorizimin e librit" Shteti i ri, burrështetasi modern”, një biografi të autoreve Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Në këtë libër lartësohet Thaçi ndërsa me shpifje mundohet të ulet figura e presidentit Rugova”,-thotë Mehmeti.

Sipas Mehmetit, Thaçi po bën këso lojërash duke qenë si figurë episodike, ndërsa Rugova figurë historike, kurse thotë se asgjë nuk mund ta njollosë figurën markante të “babait” të Kosovës.

“Duke qenë se Rugova ka qenë dhe do mbetet figurë historike, ndërsa Thaçi episodike, një gjë e tillë e mundon këtë të fundit, andaj, po bën këso lojëra për të munduar të njollos figurën e presidentit historik. Kjo shpreh më së miri nivelin e ulët te Hashimit, i cili kurrë nuk arriti të del përtej mediokritetit. Asgjë nuk mund të njollos figurën markante të babait te Kosovës, presidentit historik. Është e turpshme për një president që sponsorizon libra për të njollos të tjerët dhe lavdëruar veten. Të qenurit inferior ndaj figurës së Rugovës e bren Thaçin”,-përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat