Bisedimet Kosovë-Serbi, çfarë sjellë përfshirja e SHBA-së në dialog?

Politika

Bisedimet Kosovë-Serbi, çfarë sjellë përfshirja e SHBA-së në dialog?

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 26 shkurt 2018 Në ora: 07:38
Takimi Thaçi-Mogherini-Vuçiq

Procesit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kishte filluar më 8 mars 2011.

Trajta e këtij dialogu ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Deri më tani ky dialog është zhvilluar nën monitorimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel. E, së fundmi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se edhe SSBA do të jetë aktive në dialogun Kosovë-Serbi.

Për pozitën, opozitën dhe analistët kjo përfshirje është e mirëseardhur dhe shpresëdhënëse për Republikën e Kosovës.

Ndërhyrja e SHBA -së sjellë paqe

Image
Avni Arifi

Shefi i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë njëkohësisht edhe shef i kabinetit të kryeministrit kosovar, Avni Arifi në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’ vlerëson se ndërhyrja e SHBA-së në procesion e dialogut do të sjellë paqe në mes dy shteteve.

‘Kur Ballkani ishte në luftë të përgjakshme në vitet e 90-ta ishte përfshirja dhe roli udhëheqës i USA që solli paqen. Ne besojmë se tregimi për Ballkanin e posaçërisht për Kosovën ende s’ka përfunduar dhe besojmë se kjo mund të arrihet vetëm me rol të fuqishëm amerikan’’ përfundon Arifi.

SHBA siguron garancë dhe besueshmëri

Image
Lirije Kajtazi

Për deputeten nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lirije Kajtazi, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog është e mirëpritur.

Sipas saj shteti mik do të jetë krahë i djathtë në këtë proces madje siguron ‘garancë dhe shumë besueshmëri’’, përfundon deputetja.

Përfshirja e SHBA-së ofron luks për ekipin negociator nga Kosova?

Sociologu Ardian Gola në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’ u deklarua se ndërhyrja e SHBA-së është e mirëpritur.

Image
Ardian Gola

‘’Deklarata e ambasadorit është e mirëpritur. SHBA-të nga fillimi kanë qenë faktor konstruktiviteti në shtetbërjen e Kosovës. Këtu nuk ka asnjë dilemë, ndonëse është për diskutim se sa ruajtja e stabilitetit shoqëror e politik, përfshirë këtu edhe rajonal, është arritur në kurriz të demokratizimit dhe funksionalitetit institucional të Republikës’’, thekson Gola.

Tutje, ai thekson se përfshirja e SHBA-së në procesin e negociimit nuk duhet parë si luks nga ekipi negociator nga ana e Qeverisë së Kosovës pasi që askush më mirë se ne nuk mund të luftojë për interesat e vendit.

‘’Sot përfshirja e SHBA-së në procesin negociator i jep siguri më të madhe palës kosovare. Por kjo nuk duhet t’iu jep komoditet atyre që të mos mendojnë me kokën e tyre, ngase askush më mirë se vetë ne nuk mund të mendojmë për interesat tona. Përfshirja e SHBA-së nuk duhet të ushqejë mendësinë paternaliste, e cila është e dëmshme për funksionimin demokratik të shtetit. SHBA duhet të jetë aty për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, implementimin e marrëveshjeve dhe, mbi të gjitha, arritjen e maksimumit të mundshëm në atë proces nga pala kosovare’’, përfundon Gola për gazetën ‘’Bota sot’’.

Që nga fillimi i dialogut e deri më tani janë arritur një numër i konsiderueshëm i marrëveshjeve e që janë në pritje të zbatimit. Por, jo në çdo pikë kanë hasur në mirëkuptim të plotë.

Disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht siç janë: Marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e “mbrojtjes civile”, rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë.

Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat