Mesazhi i drejtpërdrejt i Gjermanisë për Kosovën

Politika

Mesazhi i drejtpërdrejt i Gjermanisë për Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 shkurt 2018 Në ora: 09:43
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ditë më parë ka thënë se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, nëse do integrim në BE-në. Ai ia ka bërë me dije Beogradit zyrtar, që nëse dëshiron integrimin në Bashkim Evropian duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësues partish dhe analistë, e konsiderojnë të vështirë njohjen e Kosovës nga Serbia, duke pasur parasysh, se ajo me çdo kusht mundohet ta shkatërrojë shtet formimin e saj, në çfarëdo forme.

Në lidhje me këtë, Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se institucionet e vendit do të duhej të punojnë fuqishëm në ndërtimin e institucioneve me njerëz profesional dhe kombëtar.

Image
Drita Millaku

Këmbëngulja deri në detyrim

Sipas saj, të gjithë duhet të punojnë shumë në kthimin e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës.

“Duhet të ruajnë dhe të rrisin bashkëpunimin me miqtë ndërkombëtarë por pa servilizëm. Kështu që duhet që të luftojnë krimin dhe korrupsionin në të gjitha dikasterët e qeverisë. Të jenë këmbëngulës në të gjitha këto pika dhe Serbia do të detyrohet ta pranojë Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë deputetja Millaku.

Ndërsa, anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë se porosia ishte shumë e qartë dhe e pa dilemë.

Image
Bajram Gecaj

Ai ka thënë se Gjermania nuk ka qenë asnjëherë më e drejtpërdrejtë se sa me këtë deklaratë.

“Serbia në fund do të jetë e detyruar të pranoj realitetin, por kjo do të thotë se edhe ne duhet të punojmë shumë më shumë se sa që po e bëjmë. Me qeveri si kjo që e kemi do të na duhet kohë shumë e gjatë që të ecim para drejt Integrimeve Euro-atlantike”, ka thënë Gecaj.

Analisti politik Skender Zogaj ka thënë se që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës për tërheqjen e trupave ushtarake serbe, Serbia e din fare mirë se Kosovën e ka të humbur përgjithmonë.

Detyrë e domosdoshme për integrim në BE

Image
Skender Zogaj

Ai ka thënë Serbia në këtë humbje të madhe, kërkon përfitime, sado të vogla që të jenë, sepse i duhen për t'u arsyetuar para popullit të vet duke ua ushqyer shpresën se Kosova nuk është e humbur.

“Kjo është karta më e fuqishme klasës politike serbe, sepse me këtë parullë po vazhdon të kalkulojë edhe tash klasa politike serbe për ta ruajtur pushtetin. Nga pikëpamja serbe ky është veprim i qëlluar, sepse, humbja shfrytëzohet deri në momentin kur, Serbia do të detyrohet të thotë: kaq ishte, nuk mundemi më shumë, dhe sepse ishte kundër nesh forca botërore. Këtë e din edhe Bashkësia Ndërkombëtare, prandaj diplomacia e saj pa u ngut po ia shtrëngon lakun në fyt duke e kushtëzuar se, pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka integrim në BE, sikurse Kosovën që po e kushtëzon me Gjykatën Speciale, rendin dhe ligjin, luftimin e krimit. Këto porosi i theksoi edhe ministri Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, duke ia përsëritur Beogradit detyrën e domosdoshme që duhet ta kryejë”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Sipas tij, Beogradi e din shumë mirë kështu që pranimin do ta bëjë shumë shpejt sepse këtë gjë, kohëve të fundit janë duke ia thënë edhe intelektualët serbë, njohësit e rrethanave dhe patriotët e vërtetë serb, që, po kërkojnë nga udhëheqja e vet të mos tallet por ta pranojë realiteti e ri.

“Serbia edhe aktin e pranimit të pavarësisë ka për ta quajt fitore të re, sepse, kjo është përbërja gjenetike e saj, që humbjet ti konsiderojë fitore dhe edhe ti festojë si të tilla. Udhëheqja e Kosovës duhet të shpejtojë kryerjen e detyrave të veta, e të mos na ngjajë si në Rambuje, ku vonesa e nënshkrimit të marrëveshjes na ka kushtuar me mija viktima”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Ndikimi rus si faktor

Image
Fadil Lepaja

Analisti politik Fadil Lepaja, ka pohuar se udhëheqja pro evropiane serbe është e gatshme të e bëjë këtë, por nuk ka shumë hapësirë për të bërë ndryshimet kushtetuese paraprakisht, sepse në rrethana të tilla njohja do të sillte rënien e kësaj qeverie, pasi që përmes gjykatës kushtetuese mund të shkarkohet çdo zyrtar kur dihet se kushtetuta serbe e sheh Kosovën si pjesë të veten.

“Jo vetëm qeveria por edhe presidenti serb nuk do ti mbijetonte një njohjeje para ndryshimeve kushtetuese dhe largimit të Kosovës nga kushtetua. Prandaj duke e ditur ndikimin e fuqishëm rus, ndërrimet kushtetuese do të jenë sfida më serioze për Serbinë, në rrugën e saj drejt Evropës. Sido që të jetë, unë mendoj se do të gjendet një formulë për të arritur deri te njohja. Dhe pavarësisht deklaratave të rënda të zyrtareve serb”, ka thënë Lepaja.

Kurse, njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi, ka thënë se deklarata e Ministrit të Jashtme të Gjermanisë Sigmar Gabriel është serioze, këshilluese e kushtore, mbushur me vërejtje diplomatike evropiane për Serbinë.

Image
Sulejman Mehazi

Mori fund Serbia në Kosovë

Sipas tij, këtë e thotë diplomati më me ndikim në BE-së, pasi Vuçiqi e të tjerët kanë dy variante: o të pranohet Republikës së Kosovës, o larg integrimeve evropianë, varianti i parë i pranimit të shtetësisë së Kosovës, jo vetëm që behet mirë për rajonin e BE-në, por më shumë dobi do ketë vet Serbia, prandaj sot, nesër Serbia këtë veprim të patjetërsueshëm do ta bëjë.

“Shtet formimin e forcimit të Kosovës më shpejte mund ta prishin e ta shkatërrojnë vet politikanët shqiptare sesa Serbia. Republika e Kosovës tani e tutje mund të shkatërrohet e dobësohet nga vet politikanet kosovar, e jo nga Serbia, mori fund Serbia në Kosovë, tani e tutje e keqja e shtetit të Kosovës, vjen nga politika katastrofike e vet politikaneve të Kosovës. E keqja dhjete vjeçare e mos integrimit të Kosovës në BE e NATO, e instancat më kryesore evropianë vjen nga politika korruptuese, gllabëruese ”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Mehazi.

Image
Lirim Zorra

Ndërsa ligjëruesi në Kolegjin e ISPE-së Lirim Zorra ka thënë se kjo  është  njëra  ndër deklaratat më të drejtpërdrejta nga një zyrtarë i lart evropian dhe veçanërisht mbas prezantimit të strategjisë së zgjerimit.

“Padyshim që ky opsion i njohjes çdo  ditë e më shumë po fiton teren brenda  shteteve të  BE-së, sepse është e vetmja  mënyrë për një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjate politike në Ballkan për të mos hapur tema teknike të cilat gjithmonë marrin kohë dhe mund të shpien në  konflikte apo edhe luftë të ftohtë midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova duhet të vazhdojë me  reforma  dhe ofrime të sigurisë për të  gjitha komunitetet dhe sa më shpejtë fokusin ta përqendrojë në zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik me  një  drejtim të vetëm BE-në dhe NATO-në ka thënë Zorra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat