Hashim Thaçi, dështimi i një presidenti!

Politika

Hashim Thaçi, dështimi i një presidenti!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 shkurt 2018 Në ora: 17:33
Hashim Thaçi

Me rastin e dhjet vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i vendit Hashim Thaçi, mori iniciativën për të dekoruar 200 personalitete me Medaljen Presidenciale të Pavarësisë.  Një pjesë e të dekoruarve refuzuan të marrin dekoratën e Presidentit, derisa ky i fundit, në një status në rrjetin social Facebook, u tërhoq nga këto dekorata, duke thënë se të njëjtat kanë qenë vetëm propozime.

Propozime apo vendime, nuk ka shumë rëndësi, aq sa po konsiderohet i rëndësishëm, refuzimi që iu bë këtyre dekoratave nga disa prej të dekoruarve.

Rexhep Qosja, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Jakup Krasniqi janë vetëm disa nga ish bashkëpunëtorët e ngushtë të Thaçit, të cilët me anë reagimeve publike, i refuzuan dekoratat e tij.

Politikanë e njohës të rrethanave politike në vend, konsiderojnë, se kredibiliteti i institucionit të Presidentit të shtetit, është në pikën zero dhe rikthimi i tij në përfaqësimin e mandatit të tij kushtetues e ligjor, por edhe integritetin tij moral e intelektual është utopike të mendohet.

Image
Drita Millaku

Deputetja e VV-së Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Hashimi nuk ka pasur kredibilitet asnjëherë.

“Secili nga ne duhet të kemi kujdes ndaj veprimeve të tij, pasi ato veprime janë të dëmshme dhe të zeza për Kosovën. Ky njeri qe 18 vite punon kundër popullit dhe shtetit të Kosovës. Pasojat e veprimeve të Hashimit po i përball çdo ditë populli, madje edhe në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha. Dekorimet që po i bënë ai s’janë asgjë më shumë se lojëra me letra”, është shprehur deputetja Millaku.

Gecaj: Thaçi nuk ka pasur kredibilitet asnjëherë

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, pa dashur ta zgjasë më shumë këtë çështje, ka thënë se Presidenti i tanishëm nuk ka pasur kredibilitet asnjëherë.

“Thaçi nuk ka pasur kredibilitet asnjëherë, e posaçërisht në krijimin e profilit të personit i cili përfaqëson unitetin e popullit”, ka thënë Gecaj.

Kurse analisti politik, Hidajet Ahmeti ka thënë se transformimi i Thaçit prej një idealisti në progamtist politik është përkthyer në jetëgjatësinë e tij në politikë.

“Thaçi, gjithherë ka qenë i gatshëm për karrierën e tij politike të vë në pyetje substancën  e shtetit, por edhe duke eliminuar kundërshtarët e tij politikisht  e shpesh edhe bashkë partiaket. Thaçi, përmes këtyre lojërave të ndyta politike po mundohet të mbulojë dështimet e tij të njëpasnjëshme, duke u mundur të shpërqendroj opinionin nga dështimet e iniciativave të pasinqerta dhe joserioze. Pozita e tij prej një presidenti po i kushton Kosovës në aspektin e politikës së jashtme, por edhe në politikën e brendshme. Një manipulim i tillë është vazhdimësi e traditës dhe logjikës së tij të mbrapsht për ta drejtuar vendin duke mos zgjedhur mjete për të qëndruar në kolltukun e tij, jo për një pagë, por për t’i bërë favore klinteles së PDK-së dhe ta shkruaj historinë re të Kosovës për të keq”, ka thënë Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Thaçi të reflektojë

Sipas tij, injorimi i institucionit të Presidentit nuk është shumë e hijshëm, por në kontekstin e rastit, injorimi ka ndodhur shkaku i personalitetit i cili përfaqëson institucionin.

“Injorimi ka simbolikën shumë të madhe në kontekstin politik e social. Në  njërën anë personalitetin  e një presidenti përçarës e jo unifikues, personalitetin e një njeriu, i cili nuk përfaqëson të gjitha shtresat e shoqërisë, por përfaqëson një komunitet të vogël njerëzish me interesa reciproke. Gjykoj se  ky injorim i Presidentit nga figura e institucione të rëndësishme të cilat kanë kontribuar në forma të ndryshme për shoqërinë kosovare është mesazh për reflektim karshi personalitetit të tij të  luhatshëm dhe egos së sëmur për pushtet. Kredibilitet i institucionit të Presidentit të shtetit është në pikën zero dhe rikthimi i tij në përfaqësimin e mandatit të tij kushtetues e ligjor, por edhe integritetin  tij moral e intelektual është utopike të mendohet”, ka thënë Ahmeti.

Image
Faton Abdullahu

Kurse, publicisti Faton Abdullahu, duke folur rreth kësaj çështjeje ka thënë se çuditet me ata që e refuzuan dekoratën e Presidentit Thaçi, aspak, pasi është në të drejtën e tyre.

“Numri kaq i madh i atyre që refuzojnë dekoratat nga ai, është thirrje për të se ai duhet të mendoj seriozisht për pensionim. Pak po çuditem edhe me ata që deri dje s’kanë lënë gjë pa thënë kundër tij, e tash me përulje e pranojnë atë . Më së shumti po çuditem me vetë Presidentin aktual se ku e gjeti atë moral dhe arsye që t’i dekoroj ata që kanë qenë kohë të gjatë pandalshëm dhe shumë kundër politikave dhe sidomos personalitetit të tij. Ku e gjeti Presidenti Thaçi arsyetimin vetanak, shpjegimin me veten e tij dhe respektin për pozitën e tij, për t’i dekoruar disa prej tyre”, ka thënë Abdullahu.

“Politikë pa moral”

Ai mes tjerash ka thënë, se me këtë veprim Thaçi, ndoshta edhe dëshiron të tregoj se ai kurrë nuk i ka marr seriozisht ata, apo edhe ndoshta se nuk është inatgji, por pragmatik.

“Thaçi ndoshta dëshiron të perceptohet edhe si president institucionalit, duke lënë kështu që të nënkuptohet se sa i madh është, para vogëlisë së këtyre tjerëve – në kuptimin unë e bëj timen, e ata të veten. Por pak e hiç ka nder tek ky “nderim”. Kjo është tipike e mendësisë së instaluar tash sa kohë ndër ne, thjesht politikë pa moral”, ka thënë publicisti  Abdullahu.

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani ka thënë se presidenti ka vepruar jo drejt sa i përket dekorimeve. 

Ai ka thënë se, këto dekorime Thaçi i ka bërë pa ndonjë respektim të kritereve që do të duhej të ishin strikt, vetëm për të arritura shtetërore , për persona të cilët kanë bërë një rrugëtim të gjatë të jetës dhe ka kontribuar dukshëm edhe në mënyrë thelbësore për shtetin nga fusha: shkencore, intelektuale, veteran të arsimit, humanist për të drejtat e njeriut.

“Pra ka të atillë të cilët janë dekoruar plot herë dhe disa prej tyre edhe i kanë refuzuar për inate dhe çështje tjera pa lidhje. Po ashtu, lista e gjerë e dekorimeve dhe pa kritere i ka bërë të padenjë thuajse të gjithë duke shndërruar gjithë këtë veprim  në hajgare. Dekorimet e tilla, në secilin shtet të botës bëhen me kritere, për fusha të caktuar dhe për kontribute jetësor për qytetaret e jo vetëm për sy e faqe”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat