“Qeveria e Kosovës, nuk e kupton diplomacinë”

Politika

“Qeveria e Kosovës, nuk e kupton diplomacinë”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 3 mars 2018 Në ora: 16:27
Ilustrim

Që nga shpallja e pavarësisë Serbia vazhdimisht ka lobuar që mos të njihet pavarësia e Kosovës, po ashtu po vazhdon të bëjë fushatë që të tërhiqen këto njohje.

Për më tepër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se numri i vendeve që kanë njohur Kosovën do të jetë nën njëqind dhe se ky proces nuk ka përfunduar  e ka vende që po rishqyrtojnë vendimet për njohjen e Kosovës.

Politologu Gurakuq Kuqi ka thënë se Kosova nuk ka asnjë aftësi as diplomatike e as kuadro në pushtet apo në institucionet përkatëse institucionale që të sjellë, krijojë apo të mbrojë njohjet diplomatike.

Image
Gurakuq Kuqi

“Andaj nuk mund të bëjë asgjë qeverisja në Kosovë pasi ata vetë nuk e kuptojnë diplomacinë dhe e shohin vetëm si një vend pune për militant dhe zhvatje pa u lodhur për mbrojtjen e interesave shtetërore, sepse kanë hasur edhe para një populli ku një pjesë fle dhe një pjesë janë ushtarë të oligarkisë funksionale brenda demokracisë formale. Njohjet e Kosovës i ndajmë në dy kategori, njohjet kualitative të cilat vijnë dhe janë siguruar nga aleatë, miqtë dhe ndërtuesit e shtetit të Kosovës, dhe njohjet fiktive të cilat janë marrë nga kanale të ndryshme, madje me dyshime edhe për blerje të disa njohjeve nga shtete kaotike”, ka thënë ai për "Bota sot".

Ndërsa, për kategoria e dytë e njohjeve, Kuqi ka thënë se tani vetëm se kanë filluar të tërhiqen me një kundër-çmim më të lartë që u ofron shteti i Serbisë.

“Dhe gjasat janë të mëdha që ashtu siç ka pretendua Daçiqi, tërheqjet e njohjes të vazhdojnë dhe në këtë mënyrë ta dëmtoj imazhin e Kosovës tek vendet anëtare të OKB-së. Hapi i parë që duhet të bëhet që kjo kundër-diplomaci e Serbisë të ndalet, është ndryshimi komplet i tërë klasës diplomatike dhe qeverisëse të Kosovës, pastaj nga njerëz të ditur dhe shtetarë të ndërtohen strategji dhe taktika diplomatike nëpërmjet fuqisë së butë dhe shfrytëzimit të sponsorizueve të shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Kuqi.

Në fund, ai ka shtuar se një gjë të tillë nuk mund ta presim, oligarkia asnjëherë me vullnetin e tyre nuk e lëshojnë pushtetin, dhe madje shfrytëzojnë demokracinë për të ricikluar dhe fuqizuar pushtetin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat