Njohësi i çështjeve politike Faton Mehmeti, ka komentuar veprimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ndaj deputetetit të Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi.
Veseli, në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, ia ka ndërprerë fjalën deputetit Krasniqi, duke i thënë se “ai nuk mund të thirret në patriotizëm”.
E gjestin e tij, Mehmeti e ka quajtur të turpshëm, duke thënë se në Kuvendin e Kosovës, dje është shkelur demokracia.
Ai ka theksuar në një prononcim për gazetën “Bota sot”, se kryeparlamentari Veseli, ka shkelur Rregulloren e institucionit, të cilin e drejton ai.
“Çdo ditë e më shumë po kuptohet se “krahu i luftës”, nuk di të bëjë shtet, aq më pak të mësohet me rregullat e demokracisë. Është e turpshme që në tempullin e demokracisë që duhet të jetë Kuvendi, shkelet demokracia. Kadri Veseli hoqi maskën e një gangster që paraqitej si reformator. Ndërprerja e fjalës së një deputeti pa asnjë bazë ligjore ose rregullative të punës së Kuvendit, është shkelje e Rregullores” është shprehur Mehmeti.
Sipas tij, Veseli do të duhej të jepte dorëheqje ose opozita të inicojë shkarkimin e tij, pasi siç ka thënë Mehmeti, “Kuvendi nuk mund të udhëhiqet me shantazhe e kërcënime të SHIK-ut”.
“Në raste të tilla kryetari i Kuvendit duhet të japë llogari, pse jo edhe dorëheqje. Por, kjo nuk mund të ndodhë nga njerëz të zbritur nga mali, që nuk u “zbutën” asnjëherë. Kadriu mendon se është shef i SHIK-ut, aty ku jepte urdhra. Andaj, opozita duhet të inciojë shkarkimin e Veselit, i cili po udhëheq Kuvendin sikur SHIK-un me urdhra dhe shantazhe e kërcënime. Veprime të tilla cënojnë frymën demokratike në Kuvend, duke thelluar ndasitë mes subjekteve politike”, ka pohuar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.