Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të mbetet problem brenda koalicionit qeverisës, kështu ka vlerësuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në një prononcim për “Bota sot” tha se koalicioni qeverisës nuk po arrin që të zgjidh ngërçin e brendshëm.
“Vazhdon të mbetet problem i koalicionit qeverisës. Ata nuk po arrijnë që të zgjidhin ngërçin mes tyre, sidomos raporti i tyre me Listën Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës. Ndërkohë që ne si LDK jemi zotuar tashmë edhe publikisht se votat tona do të jenë në favor të saj”, u shpreh deputeti i LDK-së.
Selmanaj pret që çështja e ratifikimit të Demarkacionit të përfundojë në mesin e javës së ardhshme.
“Ne po presim që ata të gjejnë një kohë, deri ka mesi i javës, që të arrijnë një dakordim të brendshëm dhe më pas që kjo tematik të merr epilog, që urojë të ndodh në mesin e javës së ardhshme, sepse jemi vonuar në çdo aspekt”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj për “Bota sot”.