Demarkacioni, peng i rolit destruktiv të Hashim Thaçit

Politika

Demarkacioni, peng i rolit destruktiv të Hashim Thaçit

Nga: Arben Sylejmani Më: 4 mars 2018 Në ora: 12:20
Hashim Thaçi

Po bëhen tri vite që është nënshkruar marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, por deri më tani kjo marrëveshje nuk po arrin të marrë dritën e gjelbër nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Për publicistin, Fadil Lepaja fajtori kryesore për këtë zvarritje mbetet presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Në krejt këtë proces ka dështuar roli unifikues i presidentit të vendit dhe angazhimi i tij destruktiv gjatë gjithë kohës së këtij procesi”, thotë Lepaja për “Bota sot”.

Partitë e koalicionit PANA dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për miratimin e Demarkacionit.

Në bazë të kësaj marrëveshje, raporti i komisionit të Bulliqit, do të futet vetëm si tekst orientues.

Por, pavarësisht kësaj ujdie ndërmjet këtyre subjekteve politike për të kaluar marrëveshja për kufirin, Qeverisë po i nevojiten së paku dy vota të deputetëve të Listës Serbe ose të Vetëvendosjes.

Lista Serbe deri më tani është deklaruar kundër miratimit të saj, por në media ka qarkulluar një lajm se ky subjekt politik mund të votojë Demarkacionin pas zgjedhjeve lokale që në Serbi që pritet të mbahen javën e ardhshme.

Image
Publicisti Fadil Lepaja

“Faktori serb në Kosovë, në kuptimin e numrit të ulëseve në parlament, për shkak të dallimeve në mes partive tjera, mund të bëjë rolin e kaluesit ose të penguesit të një projektligji, në këtë rast, atë për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin. Duke qenë se qëndrimi i serbëve të Kosovës gjithnjë është i ndikuar edhe nga politika zyrtare në Beograd, zgjedhjet lokale atje, ishte e pritur të prolongojnë pjesëmarrjen e tyre në votim”, thotë publicisti Lepaja.

Lepaja shtoi se fajtori kryesor për këtë janë partitë e koalicionit qeverisës, të cilët me manipulimet, dhe akrobacionet e tyre, kanë ndikuar që kjo marrëveshje të dominoj skenën politike të vendit këto dy-tri vitet e fundit.

Ndryshe, Kuvendi ka shtyrë tri seanca që ishin thirrur për votimin e demarkacionit. Kurse, një seancë e tillë pritet të mbahet për javën e ardhshme nëse ekzekutivi arrin të sigurojë dy vota të deputetëve të Vetëvendosjes ose të Listës Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat